Kapen klandestinët në kufi, arrestohen 5 trafikantët
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Ndalohen pesë persona në Sarandë në tentativë për të trafikuar disa klandestinë drejt Greqisë. Operacioni u krye mesnatën e së shtunës nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar e Tiranës në bashkëpunim me policinë e Vlorës. Nga hetimet e kryera është bërë e mundur edhe zbardhja e linjës së trafikut të klandestinëve, si dhe mënyra e organizimit të kësaj veprimtarie të jashtëligjshme. Policia e Vlorës bëri të ditur se në sajë të operacionit të koduar "Piramida 72", u arrestuan në kushtet e flagrancës, Qazim Dautaj, 55 vjeç, lindur në fshatin Dukat dhe banues në lagjen "28 Nëntori" të qytetit të Vlorës, Elidon Demaj, 31 vjeç, lindur në fshatin Velçë e banues në lagjen "Isa Boletini", Vlorë. Andrea Rako, 44 vjeç, nga fshati Mursi të Sarandës, Dalip Dalipaj, 34 vjeç, nga Saranda dhe Sinan Mato, 47 vjeç, nga Vlora, ish-polic në Sarandë. Të pestë këta persona u kapën në kushtet e flagrancës, teksa po çonin klandestinë në afërsi të kufirit tokësor me shtetin grek. Ata do t'i kalonin klandestinët nëpërmjet pikës kufitare të Qafë Botës ose në zonën e Mursisë. Këto ishin linjat e përhershme që ndiqte grupi i trafikantëve. Nga hetimet e kryera prej më shumë se një muaj, ka rezultuar se klandestinët mblidheshin nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Ata transportoheshin me shoqërues në Sarandë, ku akomodoheshin në motele e më tej me autobusë i afroheshin kufirit grek. Sipas policisë, transporti drejt Greqisë i tyre kryhej kundrejt pagesës prej mbi 2 mijë eurosh për person. Gjatë operacionit të organizuar, blutë prangosën trafikantët, ndërsa shoqëruan edhe disa klandestinë, të cilët ishin nisur me qëllim që të kalonin kufirin. Ata u morën në pyetje, ndërsa konfirmuan edhe shumën e mësipërme në këmbim të kalimit të kufirit. Sipas burimeve të policisë, pasi u morën dëshmitë për disa orë, klandestinët do të ndiqen në gjendje të lirë me akuzën e kalimit të paligjshëm të kufirit. Mësohet se klandestinët kanë dhënë detaje të rëndësishme për të hedhur dritë akoma më shumë mbi këtë rrjet trafiku, ku nuk përjashtohet mundësia e arrestimeve të tjera. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale tre automjete, të cilat përdoreshin për transportimin e klandestinëve, një sasi prej 6 mijë eurosh si dhe disa aparate celulare. Të arrestuarit janë në paraburgimin e Vlorës, ndërsa u akuzuan për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Burime të policisë thanë se ka dyshime se trafikantët operonin prej disa kohësh në këtë linjë trafiku. Ata bashkëpunonin me persona të tjerë nëpër rrethe, të cilët iu siguronin gjetjen e klandestinëve. Policia e Vlorës konfirmoi se do të vijojë në luftën kundër trafikut të klandestinëve, pasi ka të dhëna se në pikat e mësipërme të kalimeve kufitare ka nisur kalimi i personave në mënyrë të paligjshme karshi pagesave në euro.