E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjashtë dosje pas “Gërdecit”, analizë pas akuzave të Mediut

 

TIRANE – Akuzat e bëra nga ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, pak ditë në adresë të prokurorisë, janë bërë shkak për një analizë lidhur me dosjen “Gërdeci”, në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo e fundit ka pretenduar se nuk ka pasur asnjë ngatërresë me numrat e telefonave të zyrtarëve, që janë përgjuar për llogari të hetimeve të tragjedisë. Megjithatë pas kësaj akuze të bërë publike nga ish-ministri i Mbrojtjes, i pandehur për “shpërdorim detyre” në dosjen “Gërdeci”, grupi hetimor i çështjes dhe zyrtarët më të lartë të prokurorisë, kanë marrë në analizë fashikullin e dërguar në Gjykatën e Lartë si dhe gjashtë dosje të tjera të lidhura me tragjedinë, që janë mbajtur në hetim. Nga burime jozyrtare të akuzës mësohet se kryeprokurorja Ina Rama ka qenë e ashpër me vartësit, duke u kërkuar të qëndrojnë strikt me ligjin në çdo moment procedural dhe hetimor. Burimet e Prokurorisë theksojnë më tej se prioriteti në aspektin e numrave të përgjuar është vendosur jo nga individët, por nga ecuria e hetimit dhe indicet e provave që gjenden në dosje. Megjithatë, sipas organit të akuzës nuk ka pasur zyrtarë të dyshuar që janë lënë jashtë hetimit, pasi tabulatet dhe përgjimet telefonike të të gjithë të pandehurve për tragjedinë ndodhen në dosjen penale, që është dorëzuar në Gjykatën e Lartë. Pjesë e analizës së punës mësohet se ka qenë edhe fati i gjashtë dosjeve penale të hapura pas dërgimit në gjykatë të fashikullit për shpërthimin e Gërdecit. Me të mbaruar hetimet për ngjarjen e rëndë, prokuroria ndau provat e mbledhura në gjashtë dosje, që bëjnë fjalë për korrupsionin e zyrtarëve në fushën e mbrojtjes, “grupin hije” të Gërdecit, trafikun e armëve, ushtarakët e nivelit të dytë dhe një sërë problemesh të tjera, që janë zbuluar në mënyrë të përgjithshme gjatë hulumtimeve për ngjarjen e Gërdecit. Një procedim i veçantë është mbajtur në hetim lidhur me partnerin e Mihal Delijorgjit, biznesmenin amerikan Patrick Henry, ndërsa dosja tjetër në hetim, bën fjalë për një tjetër personazh kontravers, Henry Tomei, rezident të Zvicër i cili ka qenë i inkuadruar në transaksionin e municioneve nga Shqipëria për në Afganistan për llogari të kompanisë AEY.                  tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›