Letra e Pangos: Jam gati të dëshmoj
Trazhgim Sokolaj
Ish-ministri i Kulturës Ylli Pango mori kontakt me Prokurorinë e Përgjithshme, duke u shprehur i gatshëm të dëshmojë lidhur me hetimet që po zhvillohen në adresë të tij. Deputeti i PD-së ka kontaktuar me organin qendror të akuzës pak ditë më parë përmes avokatit të tij mbrojtës. Me iniciativën e tij, duke qenë se është vënë në dijeni për hetimin e nisur pas publikimit të regjistrimeve filmike në emisionin “Fiks-Fare”, ish-ministri ka tentuar të bëhet pjesë e procesit për të dhënë versionin e tij. Akuzat për të cilat po verifikon Prokuroria e Përgjithshme, nisur nga materialet e publikuara, janë “kryerje e marrëdhënieve seksuale duke shpërdoruar detyrën, mbetur në tentativë”. Hetimi i referohet dyshimeve se Pango, në cilësinë e ministrit të Kulturës, ka tentuar favore seksuale nga vajzat që aplikonin për punë në dikasterin e drejtuar prej tij deri në mesin e muajit mars 2009. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria, mësohet se në një “memo” të dorëzuar zyrtarisht, ish-ministri Pango, duke qenë se është njohur me fillimin e hetimit, ka shprehur gatishmërinë për të dhënë deklarime mbi çështjen objekt hetimi. Komunikimi i Pangos me Prokurorinë e Përgjithshme, vjen në një kohë kur organi qendror i akuzës nuk ka të drejtën ligjore të thërrasë ish-ministrin në mënyrë të detyrueshme, pasi ai gëzon imunitet parlamentar. Një cilësi e tillë ndalon Prokurorinë të thërrasë në mënyrë të njëanshme ish-ministrin, duke lënë si mundësi të vetme, paraqitjen me dëshirën e tij deri në heqjen e imunitetit në rast se verifikohet se ka kryer vepër penale.
Hetimi i ish-ministrit
Prokuroria e Përgjithshme e cila filloi hetimet kryesisht, nuk ka shfaqur ende asnjë qëndrim lidhur me kërkesën e ish-ministrit të Kulturës Ylli Pango. Organi i akuzës pohon se është vënë në dijeni të “memos” së dorëzuar nga avokati i ish-ministrit. Burimet nga prokuroria thanë se po e shqyrtojnë dokumentin në fjalë. Nga burime zyrtare konfirmohet se hetimi është në fazën paraprake të verifikimit të veprave penale. Në këtë mënyrë, është e qartë se Prokuroria e Përgjithshme nuk ka regjistruar procedim penal. Në mungesë të procedimit, organi i akuzës është duke bërë verifikime lidhur më vërtetësinë e ngjarjeve që bëhen prezente në regjistrimet filmike. Periudha e zgjatur e verifikimeve paraprake shpejtohet nga burimet e Prokurorisë me maturinë, që po tregon organi i akuzës para se të vendosë për fatin e çështjes. Fillimi i procedimit penal duket një veprim procedural, i cili menjëherë duhet të pasohet me kërkesën për imunitetin parlamentar për shkak se pa heqjen e tij, Prokuroria nuk mund të bëjë asnjë veprim hetimor ndaj ish-ministrit. Ai në mënyrë publike i ka hedhur poshtë akuzat e bëra ndaj tij, duke i konsideruar materialet e publikuara si një “montaturë mediatike” e madje, duke shkuar më tej kur aludoi për një lloj provokimi nga gazetarja, që vizitoi ish-ministrin në banesën e tij në Qytetin Studenti në kryeqytet.
Abuzimet seksuale
Prokuroria e Përgjithshme ka identifikuar dy vajzat, që kanë zhvilluar me ish-ministrin dy takimet gjatë të cilave është kryer regjistrimi filmik dhe zanor i kontakteve me deputetin e PD-së. Nga burime të organit të akuzës mësohet se lidhur me vajzat është marrë informacioni paraprak, duke qenë se atyre mund t’u kërkohet të depozitojnë kallëzim penal nëse gjykojnë se veprimet e ish-ministrit përbëjnë ngacmime ndaj tyre. Materiali filmik i cili është transkriptuar dhe ekspertuar, konsiderohet vetëm si një indice për kryerjen e veprave penale, pasi është e pamundur të vlerësohet si provë materiale derisa regjistrimet nuk janë bërë me autorizim nga gjykata apo prokuroria, siç e parashikon ligji.
Hetimi për korrupsion me institutin
Mes rrethanave që po merren në shqyrtim nga prokuroria për kryerjen e veprave të mundshme penale nga ish-ministri Pango është edhe korrupsioni i mundshëm me Institutin privat të studimeve Psikologjike. Në video, Pango është regjistruar duke thënë se e kishte kaluar institutin në emër të së afërmve dhe se kishte punësuar aty nëpunës të Ministrisë.