Gjashtë gardianë rrahin të burgosurin

Pelivan Latollari, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e një polici, u dhunua në qelinë e tij në burgun e Drenovës
Pezullohen policët e dyshuar, ndërsa nis një hetim i SHKB-së së Burgjeve. Të dënuarit e tjerë, në protestë pas incidentit
KORÇË- Skandal në bugurn e Drenovës, keqtrajtohet barbarisht një i burgosur, pezullohen nga puna 6 efektivë të policisë, ndërsa pas ngjarjes të burgosurit hidhen në protestë. Burgu i sigurisë së lartë në Drenovë, vetëm 4 kilometra larg qyetit të Korçës, është kthyer në vëmendjen e një grupi kontrolli të Drejtorisë së Përgjithsme të Burgjeve pas një incidenti të rëndë të regjistruar gjatë fundjavës.
Gjashtë punonjës të policisë së këtij Institucioni, kanë hyrë në qelinë ku ndodhej vetëm i dënuari Pelivan Latollari duke e keqtrajtuar atë. Dhuna ndaj Latollarit i dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e një punonjësi policie, ka ardhur për shkaqe ende të panjohura, ndërkohë që të gjashtë policët kanë shfryrë dufin duke e keqtrajtuar të burgosurin që gjendet në zonën e sigurisë së lartë në këtë institucion të vuajtjes së dënimit.
Pas ngjarjes së rëndë, kanë reaguar menjëherë të burgosurit të cilët kanë protestuar duke mos hyrë në qelitë e tyre pas nxjerjes për ajrim. Së paku 16 të burgosur u solidarizuan menjëherë me shokun e tyre, pasi dëgjuan britmat e të dhunuarit nga policët, në ambientet e brendshme të burgut në qelinë e tij.
Për këtë shkak, prej dy ditësh të 16 të dënuarit, të cilët ashtu si Latollari i përkasin zonës së sigurisë së lartë, të dënuar për krime të rënda, janë futur në një grevë urie. Ata kërkojnë nxjerrjen e përgjegjësve për këtë ngjarje të rëndë.
Menjëherë pas ngjarjes, një grup kontrolli ka mbërritur në këtë institucion, që mësohet se janë pezulluar nga puna të gjashtë protagonistët e ngjarjes, deri në sqarimin e plotë të saj. Emrat e policëve nuk bëhen të ditur, ndërsa pritet që për ngjarjen e rëndë të nisë dhe një hetim i posaçëm nga SHKB- ja e Burgjeve.
Ngjarja që është mbajtur në fshehtësi të plotë ndodhi gjatë fundjavës së kaluar, kur gjashtë policët që mendohet të kenë qënë në efektin e alkoolit në kohën kur janë futur në qelinë e Latollarit, i dënuar për vrasje e një polici në vitin 1997.
Pelivan Latollari vuan dënimin prej 25 vitesh burg, pas dhunës së ushtruar ndaj tij, ka mbetur me shenja të dukshme në trup. Pas kësaj ngjarjeje kanë vendosur të reagojnë vetë të burosurit e sigurisë së lartë, meqënëse ankesat dhe ndihma Latollarit, është refuzuar sipas burimeve nga punonjësit e policisë së burgut.
Pas nxjerrjes në ajrim të të burgosurve, këta të fundit nuk kanë pranuar të hyjnë brenda në qeli. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se edhe ndaj tyre është përdorur dhunë, ndonëse jo në përmasat e Latollarit.
Pas këtij momenti, prej 48 orësh 16 të burgosurit janë duke refuzuar ushqimin e tyre, ndërsa kanë kërkuar dhe ndihmën e Avokatit të Popullit. Prej dy ditësh gjendja në burgun e Drenovës në Korçë është e rënduar, ndërsa drejtuesit e këtij institucioni kanë vendosur të pezullojnë nga puna gjashtë policët të cilët keqtrajtuan të burgosurin.
Ndërkaq pritet që pas kësaj ngjarjeje të pazakontë për të cilën do të nisin hetimet, të ketë një furtunë të vërtetë shkarkimesh në drejtuesit e këtij burgu. Ngjarjet e rënda duket se janë duke shoqëruar në mënyrë të vazhdueshme kohët e fundit këtë burg. Vetëm pak kohë më pare, një tjetër punonjës i këtij burgu u arrestua me 10 gram hashash të cilin ishte duke ia çuar një të burgosuri në qeli.