Trafikuan gjysmë ton heronë, në Itali, 66 vite burg
PRETENCA
Prokuroria, kërkoi dje dënimin e pesë të akuzuarve që e kalonin drogën në itinerarin Turqi- Bullgari- Maqedoni Shqipëri Itali
TIRANË- Përfaqësuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, lexoi mesditën e djeshme konkluzionet përfundimtare në ngarkim të pesë shijakaseve të akuzuar për trafikimin e 450 kg drogë nga Shqipëria në Itali, duke i kërkuar togave të zeza dënimin e tyre në me 66 vjet e 8 muaj burg.
Sipas pretencës së lexuar nga prokurori Edvin Kondili, u kërkua që i pandehuri Alket Hatia të dënohet me 15 vjet e 4 muaj burg, i pandehuri Hekuran Hoxha i njohur si Roni me 14 vjet burg, për të pandehurit Fatbardh Hoxha dhe Mentor Shehu prokurori kërkoi dënimin e tyre me nga 12 vjet e 8 muaj burg secili si dhe për të pandehurin Sajmir Gjepali prokurori kërkoi dënimin e tij me 12 vjet burg.
Pritet që pas vendimit përfundimtar, çdo i pandehur të përfitojë uljen e 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të shqyrtimit gjyqësor me gjykim të shkurtuar. Sipas prokurorit, gjatë fazës hetimore janë siguruar një sërë provash materiale që provojnë se të pandehurit kanë konsumuar veprat penale të "krijimit të organizatës kriminale"; "kryerjen e veprës penale të trafikut të lëndëve narkotike në kuadër të organizatës kriminale" si dhe "Mbajtjes së armëve dhe municioneve luftarake pa leje".
Sipas dosjes, të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në role të ndryshme kanë organizuar dhe trafikuar brenda 12 muajve, gjatë vitit 2003-'04, nga Shqipëria në Itali 450 kg heroinë. Mësohet se sasia e 450 kg heroinë e sekuestruar në Itali, është nisur nga Shqipëria në 13 episode dhe me sasi të ndryshme nga 12 kg deri në 70 kg heroinë për çdo rrugë.
Droga fshihej në pjesë të ndryshme të makinave me të cilat udhëtonin korrierët, kundrejt pagesave të ndryshme. Sipas pretencës së përpiluar në 156 faqe të pandehurit siguronin drogën nga vendet e lindjes, nëpër Turqi-Bullgari-Maqedoni-Kosovë ose Shqipëri dhe më pas nisej drejt Italisë.
Droga vinte e pastër dhe më pas përpunohej në punishten e të pandehurve në Shijak dhe më pas paketohej e nisej me korrier drejt Italisë, nëpërmjet portit të Durrësit duke përfunduar në qytetin e Milanos. Për llogari të këtij operacioni, policia italiane, ka arrestuar në shtetin fqinjë rreth 90 persona të cilët pranonin dhe më pas e shpërndanin mallin nëpër rrugët dhe qytetet e ndryshme të Italisë, duke ia dërguar më pas parat të pandehurve.