“Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, flasin shqip në kuadër të “Pranverës italiane”
Izaura Ndoj
“Gjashtë personazhe kërkojnë autor” vjen në skenën e Teatrit Kombëtar përgjatë datave 26, 27 dhe 28 Mars, në kuadër të organizmit që njihet tashmë me emrin “Pranvera italiane- dy vende, një det, një miqësi”, ku publiku shqiptar ka mundësinë të ndjekë një shfaqje, e cila pasqyron fuqishëm natyrën tragji-komike të ekzistencës sonë dhe dhimbjen e të ekzistuarit. Kjo pjesë ka në themel të saj një dramë të fuqishme sociale, që vë gishtin në plagë të tilla si degradimi i familjes, varfëria, prostitucioni, etj. Ajo është një dramë që pasqyron poetikën e teatrit, e këtij tempulli të shenjtë, te kësaj kutie magjike ku buron pasioni dhe dashuria, ku zbulohet misteri i ekzistencës, por edhe zbavitja e spektakli. Ishte pikërisht kjo komedi pra, që Teatri Kombëtar kishte rezervuar për publikun e kryeqytetit në këtë fillim sezoni, të vitit 2010. Veç të tjerash ajo i takon një shkrimtari me famë botërore, siç është Luixhi Pirandelo, ndërkohë vjen e realizuar dhe e zgjedhur nga regjisori Mehmet Xhelili. Ky i fundit ka zgjedhur gjithashtu për rolet përkatëse një kastë aktorësh, ndër më të mirët e skenës shqiptare si, Fatos Sela, Eftjola Laçka, Marjeta Ljarja, Dritan Boriçi, Olta Dako, Fadil Kujovska e Olta Gixhari. Skenografia vjen nga Genc Shkodrani e kostumografia i është besuar Anila Zajmit. “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” (1921), është një nga veprat më të rëndësishme të dramaturgjisë botërore të shekullit të njëzet. Në të është përmbledhur gjithë gjenia krijuese dhe pasioni i madh për teatrin i një prej fituesve të çmimit Nobel, shkrimtarit dhe dramaturgut italian Luixhi Pirandelo. Subjekti i saj mbështetet në një gjetje të mrekullueshme, sa të çuditshme e spektakolare, aq edhe tronditëse e emocionante, sa tragjike, aq edhe komike. Në të trajtohet një gamë e gjerë problemesh të karakterit psikologjik, social, filozofik dhe universal. Subjekti është tejet interesant, ku në skenën e një teatri ku një trupë aktorësh janë duke bërë prova në një ditë të zakonshme, shfaqen nga kushedi se ku, gjashtë personazhe. Kur regjisorja i pyet se përse kanë ardhur, ata i përgjigjen se kërkojnë një autor, sepse, një autor tjetër, pasi i ka krijuar në fantazinë e tij , i ka refuzuar dhe nuk i ka futur në botën e artit. Natyrisht, një përgjigje e tillë shkakton të qeshura të papërmbajtura tek aktorët dhe regjisorja. Pas këtij reagimi, personazhet përgjigjen të fyer dhe të prekur se ata mbartin një dramë tepër të dhimbshme që ata e kanë brenda vetes dhe e vuajnë, një dramë që merr frymë, flet, lëviz vetë dhe prandaj këmbëngulin që të shfaqet në skenë. Drama e tyre ka në qendër një familje e cila përbëhet nga babai, thjeshtra, nëna, biri, vogëlushja dhe djaloshi; është një familje e ngatërruar në një histori tepër interesante dhe tronditëse. Pas rrëfimit të kësaj historie, regjisorja, e emocionuar dhe e ngacmuar artistikisht, vendos që trupa ta luajë dramën në skenë edhe pse mungon autori. Rezultati që përftohet në përpjekje për të vënë në skenë këtë dramë është një përzierje e tragjikes me komiken, e fantastikes me realisten, një situatë humoristike, tepër e veçantë dhe komplekse. Dramën e përmban historia që rrëfehet nga vetë personazhet pjesëmarrës, kurse, komedia vjen nga përpjekja e kotë që kjo dramë të mund të realizohet në skenë sepse personazhet nuk bien dakord me aktorët dhe, madje përfshihen në një konflikt me kthesa humoristike se kush janë më të rëndësishëm, ata, personazhet, apo njerëzit e gjallë. “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” mbart një gjuhë sa të pasur intelektuale, aq edhe të ngjeshur me veprim e dramaticitet; ajo ka një mënyrë tepër origjinale të servirjes së subjektit: në fillim e çuditshme dhe pastaj e hapur dhe sugjestionuese. “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” është një vepër që pasqyron fuqishëm natyrën tragji-komike të ekzistencës sonë dhe dhimbjen e të ekzistuarit. Por ajo është edhe një dramë e fuqishme sociale që ve gishtin në plagë të tilla si degradimi i familjes, varfëria, prostitucioni, incesti, etj. Ajo është gjithashtu një dramë që pasqyron poetikën e teatrit, e këtij tempulli të shenjtë, i kësaj kutie magjike ku buron pasioni dhe dashuria, ku zbulohet misteri i ekzistencës, por edhe zbavitja dhe spektakli. Realizimi i pjesës “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” në Teatrin tonë Kombëtar, i ka të gjitha gjasat të kthehet, jo vetëm në një ngjarje të rëndësishme kulturore kombëtare, por edhe në një diskutim të hapur artistik, në kohën dhe vendin e duhur, mbi problemet që kalon prej shumë dekadash, shoqëria jonë, por edhe teatri dhe publiku shqiptar.
Ina Zhupa sjell në shqip poetin Garcia me “Unë nuk kam shtëpi”
Poeti Carlos Ernesto Garcia vjen në shqip me librin e tij më të ri “Unë nuk kam shtëpi” nën përkthimin e Ina Zhupës, antologjia ku përmblidhen plot 80 poezi të autorit nga Salvadori vjen në versionin dygjuhësh, shqip e spanjisht, nga shtëpia botuese “Dita2000”. Vetë poeti do të vijë në Shqipëri për të prezantuar vëllimin e tij poetik nga data 22 deri 26 mars, ku do të prezantojë librin në qytetet e Shkodrës, Elbasanit, Fierit, Tiranës dhe Durrësit. Ai do të vizitojë universitete dhe qendra të ndryshme kulturore, ku do të lexojë poezitë e tij. Antologjia “Unë nuk kam shtëpi” do të ketë shpërndarje edhe në Kosovë e Maqedoni. Poezia e Carlos Ernestos e reflekton në origjinalitetin e vet madhështinë e paraardhësve, duke sjellë risitë e papërsëritshme të kohës që jetojmë.
Prozatori Ingo Schulze vjen në Shqipëri me romanin “Adami dhe Evelina”
Për gjithë dashamirët e letërsisë dhe të kulturës gjermane në Shqipëri, Ingo Schulze, njëri prej prozatorëve të sotëm më në zë të Gjermanisë, do të ndodhet për tre ditë rresht në Tiranë, ku do të lexojë nga romani i tij i përkthyer së fundmi në shqip “Adami dhe Evelina” ku do të ketë biseda me publikun dhe me kolegë shkrimtarë. Mbrëmë në ambientet e Teatrit Metropol u bë leximi në shqip, me aktorët Valbona Imami, Sesilia Plasari e Dritan Boriçi. Sot ora 19.00 po në Teatrin e Metropolit leximi do të jetë në gjermanisht. Jürgen Röhling do të flasë për jetën dhe veprën e Ingo Schulzes. Shkrimtari do t’u përgjigjet pyetjeve të publikut. Të mërkurën, ora 10.00 takim i shkrimtarit me kolegë të tij shqiptarë dhe përfaqësues të medias në Sallën Gjermane të Librit (Biblioteka e vjetër Kombëtare, përballë Parlamentit).
23 Mars 2010