Përplasja e madhe me sovjetikët në Pashaliman më 1 maj të vitit 1961
Myfit Qorduka
Luftës së nervave, provokimeve të ushtarakëve rusë (sovjetikë) ndaj atyre shqiptarë në bazën ushtarake të Pashalimanit, shpesh me incidente sporadike në muajt e parë të vitit 1961, me sa dukej po u vinte fundi. Tashmë, pala sovjetike, me porosi nga qendra, kishte planëzuar dhe po vinte në zbatim një skenar të detajuar mirë, ku provokimet, shpesh deri edhe në konflikt, kishin pikësynime të caktuara. Serinë e incidenteve të rënda e paraprin ai i 1 Majit, ditën që edhe në këtë bazë, si çdo vit, do të përkujtohej Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.
Historia si në film
Si ndodhi? Incidenti i rëndë i majit të vitit 1961, edhe pse Komanda ruse e nëndetëseve në Pashaliman u përpoq më pas ta quante atë sporadik, “veprim i nxituar i një detari”, shënon rastin e parë të “tregimit të dhëmbëve” nga rusët për të arritur qëllimin e tyre për të mos lëshuar në duar të ushtarëve vendas këtë pikë të rëndësishme strategjike. Skenari i përgatitur nga sovjetikët që u synua të realizohej më pas, kur ata tentuan të rrëmbenin anijet dhe nëndetëset nga Baza e Vlorës drejt vendit të tyre, dështoi përballë qëndresës së shqiptarëve, të cilët me forcën e madhe të shpirtit dhe të armëve i mbrojtën ato duke ruajtur e mbrojtur Bazën detare të Vlorës. Qëndresa e ushtarakëve protagonistë përmblidhej vetëm në zbatimin e betimit ushtarak dhe detyrës ndaj atdheut. Kuadrot drejtues Dashamir Ohri, Petrit Myftiu, Skënder Doçi, Beqir Gerbi, Aleko Pojani, Shezai Kasa etj., mbeten anonimë, por që brezat i “njohin” nëpërmjet lojës së aktorëve të filmit “Ballë për ballë”. Ushtarakët tanë ishin të përgatitur për të përballuar incidente edhe më të rënda, ndaj dhe ai i majit nuk qe jashtë përmasave parapërgatitore për përballim që ishte marrë nga Komanda e Flotës Luftarake Detare dhe ajo e bazës.
Krisja e madhe
Si në çdo festë, mjediset e Bazës së Pashalimanit ishin zbukuruar me flamuj të kuq, parulla për festë, për vigjilencën e gatishmërisë luftarake. Por, në bazë të rregullores, në rast ceremonish festive, përballë Flamurit Kombëtar, si në të gjitha repartet e njësitë luftarake, bëhej parakalimi ceremonial i trupave, që hapte kështu edhe programin festiv të ditës. Në momentin që po ngrihej flamuri, befas, në bazën lundruese, në direkun e kiçit të saj, krahas flamurit shqiptar, një detar sovjetik po ngrinte edhe flamurin sovjetik, çdo ishte një rast i paprecedent dhe një provokim tejet i rëndë politik. Ky precedent, në mënyrë të menjëhershme nga Komanda shqiptare u vlerësua si një shkelje e integritetit territorial të vendit. U krijua një situatë e rëndë, një gjendje e ngrirë, sikur po priste vetëm çastin e shpërthimit, por nga drejtuesit shqiptarë të bazës kërkohej që zgjidhja të bëhej me gjakftohtësi. Në këtë moment, një nga detarët tanë, Tahir Nela, së bashku me shokun e tij, skraparlliun Hekuran Sinani, me shkathtësi u ngjit në direk, hoqi flamurin sovjetik dhe e hodhi atë në kuvertën e anijes. Provokimi po rrezikonte ta përkeqësonte më tej situatën, por që po administrohej me zgjuarsi dhe kujdes nga ushtarakët shqiptarë. Dëshmitarë të pranishëm në këtë incident të rëndë kujtojnë që çasti më kritik ishte ai kur sapo detari shqiptar hoqi flamurin sovjetik nga direku, u rrethua nga detarë sovjetikë që nisën të ushtronin dhunë mbi të duke e goditur me grushte. Megjithatë, mundën t’i ndanin dhe të evitonin pasoja edhe më të rënda.
Situatë e ngrirë
Festimet e 1 Majit u ndërprenë dhe gjithçka ngriu pa e ditur se ç’rrjedhojë do të merrnin zhvillimet në minutat dhe orët në vazhdim. Komanda shqiptare njoftoi menjëherë Komandën e Flotës. Në moment, Abdi Mati urdhëroi Dashamir Ohrin (Mujo Bermema në filmin “Ballë për ballë”) komandantin shqiptar të Brigadës së Nëndetëseve që të marrë urgjent kontakt me homologun sovjetik, Ribalko. Në këtë takim të tensionuar midis Ohrit dhe Ribalkos, pala shqiptare akuzoi zyrtarisht palën sovjetike për incidentin e ndodhur, që kurrsesi nuk ishte i rastësishëm, por i parapërgatitur dhe i qëllimshëm, me një skenar të hartuar qysh më parë dhe që kishte si qëllim final mbajtjen e Bazës së Vlorës nën komandën sovjetike. Nga ana tjetër, Ribalko kërkoi ndjesë për incidentin, duke e quajtur veprim individual të detarit të tyre, dhe shprehu gatishmërinë se ky veprim do t’i nënshtrohej një analize të thellë dhe për detarin do të merreshin masa konkrete. Më pas, komandanti sovjetik Ribalko, me peshën e përgjegjësisë së incidentit, shkoi dhe takoi kreun e Flotës Luftarake Detare, Abdi Mati, ku midis të tjerave u diskutua dhe u kërkua mirëkuptim që të bihej dakord, që si në bazën lundruese shqiptare, ashtu dhe në atë ruse “Katjelnikov”, në raste festash të ngriheshin të dy flamujt, ai shqiptar dhe ai sovjetik. Kjo lëvizje e sovjetikëve siç do të vërtetohej shumë shpejt, ishte vetëm një manovër e tyre.
Gatishmëri Nr. 1
Por, ky incident nuk mbaroi me kaq. Ai u bë objekt i analizës urgjente të Ministrisë së Mbrojtjes dhe në qeverinë shqiptare. Sipas fonogramit të Ministrisë së Mbrojtjes, titullari i saj që atë ditë dha urdhrin që efektivat detarë të bazës të kalonin në gatishmëri luftarake nr. 1 për të qenë të gatshëm që të mbronin me çdo mjet, edhe me forcën e armëve, çdo tentativë të sovjetikëve për rrëmbimin e anijeve dhe nëndetëseve. Kjo vendosmëri shprehej në letrën që Mehmet Shehu i dërgoi komandantit të Traktatit të Varshavës, mareshall Greçko. “Shqipëria, në asnjë rast nuk është dakord që t’u japë Bazën Ushtarake Detare ekuipazheve sovjetike dhe gjithë mjetet ushtarake të bazës së Vlorës duhet t’i kalojnë, mundësisht në një periudhë sa më të shkurtër, ekuipazheve shqiptare, të cilët e kanë treguar veten, si gjithmonë, në nivelin e detyrave të tyre, besnikë të atdheut të tyre socialist”.
Kuadro e detarë i vendosën “shtëpitë” e tyre të banimit në urat e komandimit të anijeve, kanë qëndruar me muaj në patrullim e vrojtim për ruajtjen e bazave dhe anijeve. Në bazë të urdhrit të dhënë, efektivat detarë rrinin natë e ditë pranë posteve luftarake, ndërkohë që ushtarakë të lartë të Ministrisë erdhën dhe qëndruan pranë efektivave për të ndjekur çdo sekondë nga afër situatën e për të ndihmuar në zgjidhjen e saj në kohën e duhur.
Materiali është marrë nga rrëfimet e Myfit Qordukës në librin “Flota detare dhe arkiva sekrete”
23 Mars 2010