E Diel, 1 Nëntor 2026

Sëmundjet infektive, Shqipëria në një nivel me Afrikën e Ukrainën



Jonida Tashi

Sëmundjet infektive në vendin tonë kanë bërë që Shqipëria të renditet përkrah Afrikës dhe Ukrainës përsa i përket klasifikimit të bërë së fundi për përhapjen e këtyre sëmundjeve në botë. Megjithëse aspiron për t’u integruar drejt Bashkimit Europian, Shqipëria ende vuan pasojat e një vendi të botës së tretë, sidomos përsa i përket sëmundshmërisë, të cilat e rendisin atë në një nivel me vendet e Afrikës e Ukrainës. Sëmundjet gastroenterite, siç njihet në terminologjinë mjekësore diarreja, sëmundje infektive e lidhur me çrregullimet e aparatit të tretjes, vazhdojnë të mbetet problem i pariparueshëm për Shqipërinë. Çdo vit, Shqipëria raporton probleme të diarresë, e cila fillesën e ka te mungesa e higjienës personale, por dhe mjedisit përreth.
Anketimi
Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, bën të ditur se ky fakt u vërtetua dhe gjatë anketimit në rang kombëtar që u bë në lidhje me sëmundshmërinë në popullatën shqiptare. Sipas Yllit, një tjetër arsye e shfaqjes së diarresë akoma në popullatë është cilësia e ujit të pijshëm që konsumojnë shqiptarët, e cila shpesh lë për të dëshiruar. “Diarreja është më shumë e shfaqur tek fëmijët, kryesisht gjatë stinës së verës dhe një prej arsyeve që e shkakton atë është kequshqyerja. Edhe studimi na tregoi të njëjtën gjë, ndaj mendojmë se puna jonë do të fokusohet pikërisht në këto shkaqe me qëllim reduktimin e tyre”,- tha Ylli. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo vit, në botë vdesin rreth 2 milionë fëmijë si pasojë e diarresë. Të dhënat më të fundit të publikuara prej saj, thonë se kjo sëmundje është përgjegjëse për rreth 20 për qind të vdekjeve tek fëmijët në të gjithë botën. Gjithashtu, OBSH-ja ka theksuar se kërkimet për kurimin e diarresë janë ndërprerë dhe ky është një sinjal jo pozitiv. Rastet më të mëdha të vdekjeve janë individualizuar në Afrikë, ku kushtet e jetesës janë shumë të ulëta. Kjo bën që qindra-mijëra fëmijë të humbasin jetën çdo vit në këtë kontinent. Aktualisht në vendin tonë, pranë Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), ekzistojnë laboratorë për ekzaminimet e sëmundjeve infektive, por sipas specialistëve, ky sistem, nuk duhet të përqendrohet vetëm në Tiranë, por duhet të shtrihet në të gjithë vendin.
Gastroenteritet
Informacioni i ISHP-së mbi gastroenteritet sigurohet nga survejanca sindromike ALERT, për të cilën ky institucion përgatit një raport javor. Survejanca bazuar në sëmundjet është një raportim mujor i sëmundjeve infektive bazuar edhe në të dhënat laboratorike. Gjithashtu, ISHP-ja merr informacion të menjëhershëm në mnëyrë që të ndërhyjë për çdo grumbullim të pazakontë të rasteve në kohë dhe hapësirë. Ndërsa për të identifikuar shkaktarët qarkullues, ISHP-ja organizon ekipe sezonale duke mbledhur mostra në Tiranë dhe qytete të tjera. Sipas ISHP-së, gastroenteritet në Shqipëri çdo vit rriten duke arritur maksimumin vjetor në muajt korrik, gusht e shtator. Në këtë periudhë raportohen mbi 2000 raste në javë. Shumica e rasteve vërehen në fëmijët nën 5 vjeç. Faktor risku është temperatura e lartë që favorizon rritjen e agjenteve infektive në ushqime dhe mjedis shtëpiak. Shkaktarët përfshijnë rotaviruset (deri në 25% të të gjitha rasteve me diarre), E.coli, shigela dhe më pak salmonela jotifoide, kampilobakter, apo kriptosporidium. Por, deri më sot, ISHP-ja ka sqaruar se ka vërejtur vetëm rritjen sezonale të pritshme të gastroenteriteve. Sipas këtij institucioni, nëse do të ishte vërejtur një rritje e pazakontë apo grumbullime me natyrë të rrezikshme ISHP-ja do të raportonte menjëherë në Ministri dhe do të niste një hetim epidemiologjik specifik. Situata e gastroenteriteve në vend, sipas ISHP-së, është se në Shqipëri vërehet vetëm rritja e pritshme sezonale e gastroenteriteve dhe nuk ka grumbullime jo-normale të rasteve në spitale.

Shkaktarët e sëmundjeve diarreike dhe helmimeve ushqimore
Sëmundjet diarreike akute shkaktohen nga agjentë patogjenë, si baktere, viruse ose protozoarë dhe mund të zhvillohen si shqetësime të lehta të zorrëve e deri në sëmundje të rrufeshme, që vënë në rrezik jetën. Dekadat e fundit është arritur veçimi i agjentëve etiologjikë specifikë dhe numri i tyre vjen duke u shtuar. Disa nga shkaktarët e sëmundjeve diarreike dhe helmimeve ushqimore janë disa mikrobe dhe viruse (Të tilla janë escherichia coli enterotoksigjene, clostridium perfingensm staphylococus aureusm. Viruset coxsackie, viruset echo dhe rotaviruset, etj). Shkaktarët ndodhen në ajër, ujë dhe ushqime të kontaminuara, kafshë shtëpiake dhe të egra bartëse të këtyre mikrobeve, njerëz të sëmurë, ose bartës të tyre. Insektet mund të jetë transportues pasivë, sidomos për viruset. Periudha më e favorshme për përhapjen e tyre është stina e verës dhe sidomos periudha korrik-tetor. Këto lloj infeksionesh gati gjithmonë merren nga goja, zakonisht nga gëlltitja e ushqimit ose pijeve të helmuara. Çdo prodhim ushqimor është një burim potencial për infektimin e njeriut. Burim për helmimin e ushqimit ose pijes mund të jenë njerëz mbartës pa klinikë, por burimi kryesor i infeksionit të njeriut është rezervuari i gjerë i salmonelave në kafshët e ulëta. Incidenca e lartë e infeksionit të përpunimit të ushqimeve dhe të prodhimit të tyre në sasi të mëdha shtojnë rrezikun e infektimit të njerëzve. Mishi kontaminohet me shumë rrugë, por më të zakonshmet janë infeksioni natyror i vetë kafshëve të përdorura si mish dhe i gjithë pajisjeve që përdoren gjatë therjes ose përpunimit. Vezët ose produktet e vezëve duke përfshirë vezët e thata ose të ngrira janë gjithashtu burim i zakonshëm infeksioni. Nga speciet e ndryshme të kafshëve, shpezët shtëpiake duke përfshirë pulat, gjelat e detit, rosat dhe vezët e produktet e vezëve përbëjnë një rezervuar të gjerë të infeksionit dhe burimin më të shpeshtë për infektimin e njerëzve. Është e rëndësishme të shënohet që temperaturat e larta shkatërrojnë shumicën e mikrobeve, por temperaturat e ulëta mund të mos pengojnë zhvillimin e tyre. Disa nga mikrobet mund të qëndrojnë shumë gjatë dhe në pluhur. Gjithashtu ushqimi ose pijet mund të kontaminohen nga minjtë, macet, insektet ose parazitë të tjerë, që strehojnë këto mikroorganizma.

Si trajtohen rastet me helmime ushqimore

Trajtimi i helmimeve ushqimore është i lidhur ngushtë me stadin e sëmundjes dhe llojin e mikrobit. Zëvendësimi i lëngjeve dhe kripërave minerale është kushti i parë. Në format e lehta dhe kur nuk ka të vjella, marrja bëhet nga goja. Në format më të rënda, me temperaturë, të vjella të shumta, diarre dhe dhimbje barku, mjekimi bëhet intravenoz me perfuzione (serume) që mund të arrijnë disa litra në 24 orë, elektrolit, kortikoid dhe antibiotikë. Duhet theksuar që jo çdo helmim kërkon përdorim antibiotikësh. Antibiotikët e përdorur pa kriter mund të zgjasin dekursin e sëmundjes. Ndërsa kortizonikët jepen në raste të veçanta. Duhet të kihet parasysh se edhe disa ditë ose javë pas kalimit të sëmundjes, pacienti eliminon mikrobe, prandaj trajtimi i zgjatur i tyre ka shumë rëndësi. E vetmja mënyrë për të parandaluar helmimet ushqimore është zbatimi i rregullave higjienike dhe teknologjike në përgatitjen e ushqimit. Mbrojtësja më e rëndësishme është higjiena vetjake. Duhet të tregohet mjaft kujdes në restorante, fast-foode dhe në konsumimin apo përgatitjen e prodhimeve të detit. Helmimet ushqimore nuk kanë preferencë, as moshë. Por moshat që e kalojnë më rëndë janë moshat ekstrem, si fëmijët dhe të moshuarit. Të moshuarit, për faktin se ata mund të kenë edhe sëmundje të tjera shoqëruese, mbivendosjen e një helmimi, sigurisht që organizmi i tyre nuk e përballon dot. Kurse te fëmijët, për shkak të dehidrimit shoqërohet me më shumë probleme. Ndërsa të rriturit mund të konsumojnë më tepër lëngje apo të jenë më koshientë dhe e kalojnë më lehtë helmimin.

Lushnjë, spitali lihet prej 5 vjetësh në mjerim
Prej 5 vjetësh Reparti i Patologjisë në spitalin e Lushnjës ndodhet në një gjendje të mjerueshme. Niveli i higjienës është dramatik, ndërsa nuk ka as kushtet më minimale. Në këtë repart ka edhe të shtruar të cilët shprehen jashtëzakonisht të pakënaqur. Edhe personeli mjekësor që punon në këtë repart është i pakënaqur me ambientet të cilat janë në gjendje të mjerueshme. Infermierja Ëngjellushe Mema, thotë se kushtet janë skandaloze, ndërsa ambientet duken si stallë lopësh. Prej muajsh është premtuar largimi nga këto ambiente, por premtimi nuk është mbajtur dhe çdo ditë e më shumë gjendja rëndohet.

23 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›