E Diel, 1 Nëntor 2026

Si mund ta shlyeni më lehtë qiranë për banesën



Laureta Rryçi

Të gjithë qytetarët që do të jenë përfitues të banesave sociale të projektuara nga Bashkia e Tiranës do të mund të punësohen. Punësimi do të jetë për të gjithë ata familjarë që do të rezultojnë me të ardhurat më minimale mujore. Ndërsa puna që ata do të kryejnë është në varësi të shërbimeve që do të ngrihen në katet e para të pallateve. Sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës, dokumentacioni dhe deklarimet e bëra nga qytetarët për të ardhurat e tyre mujore dhe mundësitë ekonomike do të merren parasysh në përzgjedhjen e tyre. Gjithashtu, do të merren parasysh edhe aftësitë që kanë ata për t’u punësuar në një nga shërbimet që do të hapen në katet e para të pallateve, të cilat mund të jenë dyqane, kopshte, çerdhe etj.
Punësimi
Sipas Drejtorisë së Njësisë së Menaxhimit të Projektit (PIU),
katet e para do të jenë në funksion total të qytetarëve që do të strehohen. Familjarëve që janë të papunë do të mund t’u sigurohet punësim në bizneset apo shërbimet që do të jenë në katet e para të ndërtesave të pallateve. Kështu, Bashkia do të mund t’u sigurojë punësime me një pagë të konsiderueshme familjeve në nevojë dhe pa të ardhura mujore, të cilat do të shërbejnë për të paguar qiranë apo për të mundësuar sigurinë e jetesës për nevojat e familjes. Edhe në rastin e punësimit, familjarët do të përzgjidhen nga Bashkia e Tiranës. Aplikantët në momentin e plotësimit të formularit duhet të deklarojnë të gjitha të dhënat e tyre dhe të familjarëve. Kështu që Drejtoria e Strehimit në Bashkinë e Tiranës do të marrë në konsideratë kategoritë që janë në kushte të këqija ekonomike. Por, nga ana tjetër, të gjithë aplikantët duhet të plotësojnë një kuotë minimale të të ardhurave mujore për t’u bërë pjesë e përfitimit. Në këtë rast, ata duhet të deklarojnë se sa të ardhura kanë dhe nëse janë të aftë për të paguar qiranë e banesës që do të marrin nga Bashkia.
Projekti
Numri i të pastrehëve në kryeqytet është i lartë, por një pjesë e madhe e tyre do të bëhen pjesë e projekteve të Bashkisë për strehimin social të kategorive në nevojë. Në këtë projekt përfshihen mjaft qytetarë apo familjarë, të cilët e kanë të pamundur të paguajnë shtëpitë me qiranë e tregut apo të punësohen me të ardhura normale mujore. Projekti për strehimin social në Bashkinë e Tiranës do të përfshijë 393 apartamente për 1300 të pastrehë në kryeqytet. Apartamentet do të jenë gati në fund të vitit të ardhshëm, ndërsa gjatë kësaj kohe shtresat në nevojë të përcaktuara nga Bashkia mund të aplikojnë. Burime nga Njësia e Menaxhimit të Projektit pranë Bashkisë së Tiranës bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se tashmë zbatimi i projektit pranë Fonder - Mek sh.a. në Shkozë është në fazat e para. Aktualisht po kryhet pastrimi i 15 mijë metrave katrorë të zonës ku do të ndërtohen pallatet dhe menjëherë do të fillohet nga puna. Punimet për ndërtimin e banesave sociale do të zgjasin përreth 18 muaj dhe do të përfundojnë në fund të 2010-s. Kategoritë që do të përfitojnë janë të gjitha shtresat në nevojë që do të seleksionohen nga Drejtoria e Strehimit Social dhe më pas nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.
Ndërtesat
Projekti parashikon të ngrihen 4 blloqe banimi me 393 apartamente. Apartamentet do të jenë të tipit garsonierë, por parashikohet të ketë banesa më të mëdha në bazë të numrit të familjarëve që do të jetojnë në to. Kështu, përveç garsonierave, apartamentet e tjera do të jenë 2 + 1 apo 3 + 1. Pallatet do të jenë 6-katëshe, ku kati i parë do të jetë për shërbime të ndryshme, si kopshte, çerdhe, dyqane ushqimesh, veshjesh etj. Për shkak të kostos së lartë që kërkon ndërtimi i pallateve, këto ndërtesa nuk do të kenë ashensor dhe as parking në bodrumin e pallatit. Programi i strehimit është 10-vjeçar, ndërsa të gjitha familjet që do të strehohen kanë të drejtë të rrinë deri në 10 vjet. Më pas do të jetë Bashkia ajo që do të vendosë nëse këto banesa do të kalojnë në pronësi të familjarëve apo do të jepen sërish me qira. Qiraja që do të paguajnë qytetarët do të jetë e ulët, por ajo do të vendoset më pas dhe në bazë të deklarimit të kushteve të jetesës dhe punësimit që do të bëjnë qytetarët gjatë aplikimit.

Kriteret që duhen plotësuar për t’u trajtuar me programet sociale
Bashkia e Tiranës ka përcaktuar një numër kriteresh për të gjitha kategoritë që do të aplikojnë për të përfituar strehimin në një nga banesat sociale. Kështu, familjet që me vendim të Këshillit Bashkiak klasifikohen për t’u trajtuar me një nga programet sociale të strehimit janë familjet që nuk kanë në pronësi një banesë; që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike ku bëjnë pjesë këto familje; ato familje që kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore. Në këtë skemë përfshihen gjithashtu edhe ato familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme. Bashkia e Tiranës ofron mundësinë e trajtimit me bonus qiraje për qytetarët që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut deri në momentin e trajtimit përfundimtar me strehim. Bonusi nënkupton pagimin e një pjese të qirasë që paguan kjo kategori qytetarësh (familje që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut). Masa e pagesës që do të përfitojë familja do të llogaritet duke u bazuar tek aftësia paguese e familjes (të ardhurat totale të familjes) dhe masa e qirasë që paguan kjo e fundit.

Punësimi
Përfitojnë qytetarët që kanë të ardhura minimale mujore
Punësimi bëhet në katet e para të pallateve të dhëna me qira
Punësimi bëhet në bazë të aktivitetit që do të hapet ( shitës, edukatore, etj).

Qiramarrja
Qiraja mund të shkojë deri në 10 vjet, sipas programit për strehimin,
Qiraja riciklohet çdo 3 vjet për hyrjet dhe daljet e reja.

Investimi
60 për qind investime të CEB-it
40 për qind investime nga Bashkia e Tiranës

Ndërtimi
4 blloqe pallatesh do të ndërtohen në zonën e Shkozës
1 + 1 dhe garsoniere për familjarët apo çiftet e reja
2 + 1 apartamente banimi për familjet e mëdha
3 + 1 apartamente banimi për familjet më të mëdha

Pallatet
6 – katëshe, si ndërtesë në total,
1 kat për shërbime të tjera (kopshte, çerdhe, dyqane etj),
Ndërtesat do të jenë pa ashensorë ( për shkak të kostos së lartë),
Ndërtesat nuk do të kenë parkingje të nëndheshme për automjetet.

Kërkesat dhe kapacitetet
1297 të pastrehë do të përfitojnë banesa,
3372 formularë janë dorëzuar pranë Drejtorisë së Strehimit Social.

23 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›