Prokuroria: Pengmarrësi po i nënshtrohet një akti ekspertimi psikik
Laureta Rryçi
Romeo Leka, 25-vjeçari që arriti të merrte peng vajzën 19-vjeçare, po i nënshtrohet një akti ekspertimi psikiatrik. Burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda pohuan dje për gazetën “Albania” se ndërsa i riu pritet të përballet sot me masën e sigurisë në Gjykatë, kërkesës do t’i bashkëngjitet dhe akti i ekspertimit. Duket se në takimin mes të riut që ndodhet në qelitë e paraburgimit dhe oficerëve gjyqësorë që po merren me zbardhjen e ngjarjes së ndodhur katër ditë më parë, nuk është arritur të zbulohen shumë detaje. Të njëjtat burime konfirmojnë se i riu flet përçart dhe është shumë e vështirë që me të të realizohet një bisedë jo vetëm mbi ngjarjen, por edhe për t’i marrë të dhëna për veten e tij. Rezultati i këtij akti ekspertimi pritet të vendosë dhe fatin e të riut se ç’do të ndodhë më tej me të. Nëse ai rezulton të jetë mirë mendërisht dhe sjellja e ditëve të fundit është thjesht një lojë nga ana e tij, atëherë ai rrezikon arrest me burg dhe vazhdimin e hetimeve për një sërë akuzash të rënda. Por, nëse akti pohon se i riu ka probleme, përfaqësuesve të Drejtësisë do t’u duhet të marrin një vendim tjetër për të, ashtu siç ndodh në raste të tilla.
Hetimet
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar hetimet ndaj 25-vjeçarit Romeo Leka, i cili të premten e kaluar grabiti një bankë në bulevardin kryesor të Tiranës dhe më pas mbajti peng një vajzë 19-vjeçare për 35 minuta, duke e kërcënuar me vrasje atë. Të shtunën paradite i riu është marrë në pyetje lidhur me ngjarjen nga grupi hetimor, duke shpjeguar se e ka kryer grabitjen për shkak të nevojës për para. Duke folur për aktivitetin e tij, 25-vjeçari ka pranuar se ka kryer një vrasje në Greqi më 9 mars 2010, ku ka ekzekutuar me thikë emigrantin shqiptar Renato Krasniqi. Sipas dëshmisë së dhënë për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, i riu ka thënë se menjëherë pas vrasjes së kryer në Greqi ai është kthyer në Shqipëri. Romeo Leka ishte kthyer te daja i tij në Lezhë, i cili i kishte thënë se nuk e mbante dot në shtëpi. Pas kësaj i riu është larguar nga Lezha dhe nuk është e qartë ku ka banuar deri mesditën e së premtes. Romeo Leka duket të ketë një profil kriminal të pasur për shkak se ka treguar mbi një vrasje të kryer prej tij në SHBA në kohën kur ka qenë ende i mitur, dhe për këtë shkak i kishte shpëtuar edhe dënimit. Leka kishte përfituar vizë amerikane me gjithë familjen në vitin 1998 dhe ishte vendosur në SHBA, por u përzu prej atje në vitin 2007, pasi u dënua për grabitje bankash dhe trafik droge.
Krimet
Problemet me Drejtësinë 25-vjeçari duket se i ka pasur prej kohësh. Sipas policisë, i arrestuari më 9 mars ka vrarë në Greqi Renato Krasniqin pas një borxhi prej 300 eurosh që ky i fundit i kishte autorit. Sherri mes tyre ka përfunduar me thika, duke shkaktuar një të vdekur dhe Romeo Lekën të shpallur në kërkim. Babai i Renatos, Ismail Krasniqi, nga Kukësi, thotë se vrasësin e djalit e njihte dhe kur e pa në pamje televizive se kishte vjedhur një bankë dhe kishte marrë peng një vajzë, nxitoi hapat për në Policinë e Kukësit. Ai e denoncoi autorin si vrasës të djalit. Dha të gjitha detajet e mundshme, ndërsa i kërkon shtetit grek të gjejë motivet e krimit. Por ka edhe një lutje për shtetin shqiptar. “Romeo Leka të dënohet maksimalisht, pasi jo vetëm vrau djalin tim, por është një kriminel i lindur. Ai ka vjedhur banka që në moshën 13-vjeçare dhe ka vrarë edhe në Amerikë”, - u ka thënë policëve Ismail Krasniqi. “Më thanë se autori i vrasjes së djalit është Romeo dhe madje kam fotografi të djalit me të kur kanë qenë së bashku në Greqi dhe si shqiptarë që ishin, rrinin bashkë në lokale gjatë ditëve që ishin pa punë. Por nuk më shkonte mendja se do të arrinte deri këtu”, - ka pohuar në polici Ismail Krasniqi. Ndërkaq, ai është thirrur që dëshminë e tij për vrasjen e djalit ta dëshmojë edhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me qëllim që të merret nën cilësinë e provës materiale.
Kërkesa në Gjykatë
I arrestuari i “Cikloni 4” kërkon lirim me kusht
Ardian Moçka, një nga të arrestuarit gjatë operacionit “Cikloni 4”, i është drejtuar dje Gjykatës së Tiranës duke i kërkuar lirim me kusht. Kërkesa e tij tashmë është depozituar në kryesekretari dhe i është nënshkruar shortit elektronik. Moçka është dënuar nga Gjykata për një sërë akuzash. Dosja “Cikloni 4” kishte si të pandehur Glerjan Hysenin, Shkëlqim Kokën, Ardian Moçkën dhe Hysen Hykën. Këta të pandehur akuzoheshin për veprat penale të “trafikimit të lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”, “trafikimit të armëve dhe municioneve” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, që parashikohen nga nenet 282/a/2, 278/a dhe 278/2 të Kodit Penal. Katër të pandehurit e arrestuar, në mars të vitit 2008, akuzohen për trafikimin e 9 minave me celular dhe një pushke snajper. Sipas akuzës, të pandehurit janë kapur në flagrancë në Rashbull të Durrësit, ndërsa po dërgonin te porositësi i tyre, i cili në fakt ishte një agjent i infiltruar i policisë, lëndët plasëse të lidhura me celularë tip “Nokia”, pushkën snajper tip “Browing” me 18 fishekë, si dhe një pistoletë.
Policia e prangos në katin e 6-të të pallatit, terrorizoi ish-Bllokun me armë
TIRANË - Mbrëmja e së dielës për pak sa nuk solli një ngjarje të ngjashme si ajo e së premtes në mesditë në kryeqytet. Shtetasi Oltjon Shini, pasi ka qëlluar me armë në mes të ish-Bllokut në Tiranë, duke terrorizuar banorët e shumtë që po shëtisnin në atë orë, i është larguar policisë teksa mbante një armë tip pistoletë në dorë. Ai ka arritur të që të largohet nga zona dhe të fshihet në një pallat në rrugën “Bajram Curri”, në zonën e njohur me emrin Pallatet Agimi. Kur ka parë forcat e policisë ka hyrë brenda në pallat, duke tentuar të hyjë në banesë. Burime për gazetën pohojnë se 20-vjeçari Shini ka tentuar të hapë me dhunë një apartament në katin e 6-të të ndërtesës, por fatmirësisht kryefamiljarët e kanë mbyllur me shpejtësi derën e blinduar. Duke e parë veten të rrethuar nga të gjitha anët, Shini ka hedhur armën dhe më pas është vetëdorëzuar. Operacioni policor për kapjen e shtetasit Oltjon Shini përfundoi pa asnjë person të lënduar. Ky rast është thuajse i ngjashëm me krimin që ndodhi ditën e premte në Tiranë. Ngjarjet e fundit kanë rrezikuar ndjeshëm sigurinë dhe rendin në mjediset publike, ku persona të armatosur lëvizin apo qëllojnë në zona të populluara pa pasur frikën e policisë.
Rifat Rrina vdes nga goditja aksidentale
TIRANË – Një shtetas ka marrë një goditje aksidentale nga një shtetas teksa ndodhej në një pikë të grumbullimit të plehrave në Shkodër duke punuar me traktor dhe më pas ka gjetur vdekjen në spital. Viktima është shtetasi Rifat Rrina, 68 vjeç, banues në fshatin Barbullush. Policia arrestoi pasditen e së hënës personin që e qëlloi në mënyrë të rastësishme Brahim Syknin. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se plagosja ndodhi ditën e hënë, në orën 9:30, në fshatin Bleran në rrethin verior. Sipas tyre, shtetasi Bashkim Sykni ishte duke punuar me mjetin e tij tip traktor me zinxhirë duke bërë sistemimin e plehrave në pikën e grumbullimit kur ka goditur në pjesën e përparme të trupit shtetasin Rifat Rrina, 68 vjeç, lindur e banues në fshatin Barbullush, i cili në momentin e përplasjes ka qenë duke kaluar si këmbësor në atë vend. I dëmtuari është dërguar menjëherë në Spitalin rajonal Shkodër, ku më pas ka gjetur vdekjen. Policia bëri verifikimet në vendngjarje dhe sipas saj, drejtuesi i mjetit e ka goditur nga pakujdesia 68-vjeçarin Rrina. Pasdite u bë shoqërimi i shtetasit Brahim Sykni dhe materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale të "vrasjes nga pakujdesia".
23 Mars 2010