E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjashtë vjet nga vdekja e presidentit Boris Trajkovski

SHKUP-Sot mbushen gjashtë vjet nga aksidenti ajror, në të cilin humbi jetën presidenti Boris Trajkovski dhe tetë bashkëpunëtorët dhe anëtarët e ekuipazhit.

"Kingeri" qeveritar, me të cilin presidenti Trajkovski udhëtoi në Konferencën ndërkombëtare për investim në Bosnjë e Hercegovinë, më 26 shkurt të vitit 2004 u rrëzua në afërsi të Mostarit. Aeroplani duhej të zbriste në aeroportin e Mostarit në orën tetë sipas orës lokale. Mbetjet e aeroplanit u gjetën 24 orë pas rrëzimit të tij.
Në varrin e presidentit Boris Trajkovski në Alenë e Kolosovëve në varrezat e qytetit në Shkup, sot pasdite do të vendosin lule anëtarët e familjes së tij, shefi aktual Gjorgje Ivanov, kryetari i Kuvendit Trajko Veljanovski dhe kryeministri Nikolla Gruevski.

Me rastin e gjashtëvjetorit nga vdekja e presidentit, Fondacioni ndërkombëtar "Boris Trajkosvki" do të organizojë shumë ngjarje që do të mbahen sot dhe nesër.
Në hotelin "Holidej In" pasdite në orën 16, do të mbahet Forum ndërkombëtar i liderëve me temë "Ballafaqim me sfidat - vlera e komunikimit".

Në këtë Forum ndërkombëtar do të marrin pjesë prfaqësues të lartë të Maqedonisë, Kosovës, Shqipërisë, Gjermanisë, Norvegjisë, Belgjikës dhe gjithashtu fjalim të përbashkët në temën e theksuar do të kenë udhëheqësit e zyrave në Maqedoni të Institutit Republikan ndërkombëtar IRI, Instituti Demokratik Nacional IDN dhe Fondacioni Konrad Adenaur. Sonte nga ora 19 e 30 minuta deri në orën 22 në hotelin "Holidej In" do të mbahet edhe "Mbrëmja e lutjes dhe bashkësisë".

Hetimi
Hetimi që e bënë organet kompetente të Maqedonisë dhe të Bosnjës, tregoi se arsye për rrëzimin janë gabimet e ekuipazhit të bëra në procedurën gjatë zbritjes në aeroportin e Mostarit në kushte të një moti aspak të mirë.

Ministria e Punëve të Brendshme kërkoi nga Prokuroria Publike të hapet një hetim i sërishëm për aksidentin. Kërkesa u refuzua me arsyetimin se vendimi është marrë mbi bazën e analizës së kujdesshme, të ndërgjegjshme dhe të përgjithshme të materialit të plotë argumentues të marrë menjëherë pas rënies së aeroplanit dhe se nuk ka argumente të reja për përsëritjen e hetimit.

Megjithatë për MPB nuk është i mbyllur derisa ekziston edhe dyshimi më i vogël lidhur me arsyet e aksidentit.

"Derisa nuk zbardhet edhe paqartësia e fundit dhe nuk largohet edhe dyshimi i fundit, aksidenti i aeroplanit ku presidenti Trajkovski e humbi jetën në mënyrë tragjike, do të jetë rast i cili do të mbetet i hapur për MPB-në", deklaroi ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.

Në fatkeqësinë ajrore, përveç Trajkovskit jetën e humbi Dimka Ilkova-Boshkoviq, Risto Bllazhevski dhe Anita Krishan-Lozanovska nga Kabineti i presidentit, Mile Kërstevski nga MPJ, Boris Velinov dhe Ace Bozhinovski, anëtarë të sigurimit dhe pilotët Marko Markovski dhe Branko Ivanovski.

Në vendin e fatkeqësisë një vit pas rënies së aeroplanit u ngrit një monument përkujtimor.

Kush eshte Boris Trajkovski
Boris Trajkovski (1956-2004)

Boris Trajkovski lindi më 25 qershor të vitit 1956 në Strumicë. Ishte presidenti i dytë i Republiksë së Maqedonisë në periudhën nga 15 dhjetori i vitit 1999 deri më 26 shkurt të vitit 2004.
U diplomua në Fakultetin juridik në Shkup, në vitin 1980 ka specializuar të drejtën afariste dhe të drejtën e marrëdhënieve të punës.

Nga 21 dhjetori i vitit 1998 e kryente funskionin zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë në Qeverinë e udhëhequr nga Lupço Goergievski. Trajkovski gjitashtu ishte kryetar i Komisionit për marrëdhenie të jashtme politike të VMRO-DPMNE-së, këshilltar kryesor politik për politikë të jashtme të kryetarit të partisë, anëtar i Kryesisë të organizatës joqeveritare Lëvizja panveropiane për Repubëikën e Maqedonisë dhe të Konferencës ndërkombëtare "Zgjidhja e konflikteve" me seli në Atlanta, SHBA.
Ka qenë edhe kryetar i rinisë së Kishës metodistike të bashkuar në ish Jugosllavinë më shumë se 12 vjet.

Si president i Republikës së Maqedonisë u zgjodh në vitin 1999. Detyrën si kryetar i shtetit e kreu deri më 26 shkurt të vitit 2004 kur humbi jetën në aksidentin ajror në afërsi të Mostarit.

(d.b/MIA/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›