Gjashtëvjetori i vdekjes së Papës Vojtila - Fjalët e Benediktit XVI për të Lumin e ardhshëm
Me 2 prill Kisha përkujtohet gjashtëvjetori i vdekjes së Gjon Palit II, ndërsa pritet plot me emocion Lumnimi i tij, më 1 maj. Të shumta, nismat përkujtimore, që kanë në qendër figurën madhore të të Lumit të ardhshëm. Dje për Karol Vojtilën dhe trashëgiminë e tij të jashtëzakonshme u fol në një mbledhje, në Universitetin Papnor të Kryqit të Shenjtë. Takimet, që kanë për qëllim të krijojnë atmosferën festive, ndërsa afrohet 1 maji, data e lumnimit, do të mbahen nga 26-29 prill si edhe më 2 maj e do të vijojnë deri në orët e vona të natës. Lexojmë fjalët e Kardinalit Racinger, e pastaj, edhe të vetë Gjon Palit II, që na kujtojnë vdekjen e shenjtërinë e Karol Vojtilës:
“Eja pas meje!”. Ç’gjë të jashtëzakonshme na la trashëgim Gjon Pali II? Gjatë salikimeve, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, më 8 prill 2005, ndërsa populli i Zotit nisi ta quante ‘Shenjt’, kardinali dekan, Jozef Racinger, nënvizoi se Papa i qe përgjigjur gjithnjë thirrjes së Zotit “Eja pas meje!”. Karol Vojtila eci pas Zotit në vitet e tmerrshme të luftës e të diktaturës, duke kapërcyer mijëra vështirësi. Eci në gjurmët e Zotit si i ri, si meshar, si ipeshkëv e në fund, si pasardhës i Shën Pjetrit. Gjon Pali II, vërejti miku e bashkëpunëtori i tij i ngushtë, “u bë një gjë e vetme me Krishtin, Bariun e mirë, që i do fort delet e veta”: “Dashuria e Krishtit qe forca sunduese e Atit tonë të Shenjtë; kush e ka parë kur lutej, kush e ka dëgjuar kur predikonte, e di mirë këtë. E kështu, falë kësaj rrënjosjeje në Krishtin, ai mundi të mbartë një barrë që i kapërcen forcat njerëzore: mundi të jetë Bari i grigjës së Krishtit, i Kishës së Tij universale”.
Eja pas meje! Së bashku me mandatin për të kullotur grigjën e vet – pati nënvizuar Kardinali Racinger - Krishti i kumtoi Pjetrit edhe martirizimin e tij. Në periudhën e parë të papnisë, Ati i Shenjtë, ende i ri e përplot me forca, i udhëhequr nga Krishti, do të shkonte deri në skajet më të largëta të botës. Por më pas, gjithnjë më tepër, hyri në bashkim me mundimet e Krishtit. E pikërisht në këtë bashkim me Zotin e munduar, e kumtoi pa u lodhur kurrë e me thellësi të re Ungjillin, misterin e dashurisë, që shkon deri në fund të fundit. Papa vuajti e deshi në bashkim me Krishtin e prandaj edhe mesazhi i vuajtjes së tij e i heshtjes së tij ishte aq i kuptueshëm e aq i frytshëm.
Më pas, fjalët plot emocion, drejtuar Papës së dashur, duke i kërkuar, nga qielli, bekimin e Tij: “Mund të jemi të sigurt se Papa ynë i dashur, tani në dritaren e shtëpisë së Atit Qiellor, na shikon e na bekon. Po, bekona, o Atë i Shenjtë. Ne po ia besojmë shpirtin tënd të dashur Nënës së Hyjit, Nënës tënde, që të udhëhoqi çdo ditë e të udhëheq edhe tani në lumninë e amshuar të Birit të saj, Jezu Krishtit, Zotit tonë. Amen!”.
E Jozef Racinger, tani Papa Benedikti XVI, në Meshën e fillimit të papnisë, ia besoi përsëri veten mbrojtjes së Paraardhësit, duke iu drejtuar, me emocion të thellë, ndërsa niste të ecte në gjurmët e Tij: “Akoma e vazhdimisht më jehojnë në veshë fjalët e tij: “Mos kini frikë! Hapjani, dy kapakësh, portat Krishtit – e do të gjeni të vërtetën”. Këtë thirrje Papa Vojtila na e përsërit me forcë të madhe e me bindje të madhe, duke u nisur nga përvoja e një jete të gjatë personale. Mos kini frikë nga Krishti! Ai nuk merr asgjë e jep gjithçka. Kush i dhurohet atij, merr njëqind fish më tepër. Po, hapjani, dy kapakësh, portat Krishtit – e do të gjeni të vërtetën!
Mirënjohja e shqiptarëve ndaj Papës Gjon Pali II/Me rastin e 6 vjetorit të vdekjes së Papës Vojtila, duam të kujtojmë me nderim të veçantë veprimtarinë e Papës Gjon Pali II në favor të Shqipërisë, të Kosovës e të shqiptarëve kudo që ndodhen. Po e bëjmë këtë me fjalët që vetë Ati i Shenjtë pat thënë në shumë raste e rrethana. Së pari nga Otranto kur më 1980 Papa Gjon Pali II dënoi persekutimin e besimtarëve e të qytetarëve në Shqipërinë komuniste. Ati i Shenjtë Gjon Pali II më 1980 nga Otranto e Italisë kujtoi persekutimin e egër të komunizmit në Shqipëri. Më 5 tetor 1980, gjatë vizitës në Otranto, Papa Gjon Pali II nga brigjet e përtejme të Adriatikut, i drejtoi popullit shqiptar mesazhin e tij të parë të dashurisë atërore dhe të kujdesit për grigjën e vogël të martirizuar të katolikëve, nën thundrën e diktaturës ateiste komuniste. Në homelinë e Meshës së Shenjtë të atij 5 tetori, kushtuar martirizimit të të krishterëve në shekuj, Papa Gjon Pali II sensibilizoi mbarë botën me këto fjalë: “E kështu sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, rregulltare, besimtarë e qytetarë të thjeshtë”. “Përveç tyre, mendimi im shkon edhe tek vëllezërit tjerë të krishterë e tek të gjithë besimtarët në Zotin të cilët pësojnë të njëjtin fat të heqjes në atë komb”.
Pastaj gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri 25 prillit 1993. Me atë rast në sheshin Skënderbej të Tiranës, Gjon Pali II iu drejtuar me këto fjalë shqiptarëve që lanë pas diktaturën komuniste: “Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në të janë mbjellë farat e shpresës. Të shoqëroftë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të lirisë në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar. T’i ndriçoftë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë që e dallojnë popullin tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare”! Gjatë vizitës së tij në Shkodër më 25 prill 1003, Papa Gjon Pali II në mbarim të lutjes së mesditës “Mbretëresha e Qiellit”, nga ballkoni i kryeipeshkvisë së Shkodrës i drejtoi një përshëndetje Nënë Terezës. Këto fjalë kuptimplote të Atit të Shenjtë Wojtilla ripohuan përfundimisht para mbarë botës origjinën shqiptare të Gonxhe Bojaxhiut, Nënë Terezës. Ja fjalët e Papës: “Të dashur, nuk mund mos të përshëndes një person fort të përvuajtur që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza e Kalkutës. Të gjithë e dinë nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte pikërisht kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbëtore e përvuajtur e më të varfërve ndër të varfër që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj. Në të, në personin e Nënë Terezës Shqipëria është nderuar gjithmonë. Ky është misioni i saj e i të gjithë atyre, që porsi ajo, janë ndjekës së vërtetë të Krishtit, apostuj të Krishtit, apostuj të dashurisë e të përdëllimit. Ju falënderoj sot në emër të Kishës Universale, ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj”!
Papa Gjon Pali II në Tiranë i drejton përshëndetjen kombit shqiptar në përfundim të vizitës së tij të 25 prillit 1993. “Vëllezër e Motra shqiptare! Ju përshëndes përzemërsisht!
Pas një dite me një program të ngjeshur me kremtime e takime të cilat më dhanë mundësinë të shikoja dhe të përjetoja nga afër jo vetëm fenë e gjallë të Bashkësisë katolike, por edhe ngrohtësinë e mikpritjes së popullit shqiptar, ja erdhi i ndarjes e përshëndetjes dhe thellësisht i prekur nga përzemërsia, po përgatitem të ndahem prej jush. Në miqësinë që më keni shfaqur, kam kuptuar se pata të bëj me miq që kishin një zemër të madhe. Në çiltërsinë tuaj pash guximin e një demokracie të re, një demokracie që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund e të errët të një diktature e të një ateizmi mbytës.
Shenjtërisë së Tij Gjon Palit II e pat për zemër fatin e kosovarëve.
Më 7 qershor 1998 Papa Wojtilla i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për paqe në Kosovë, prej nga vinin lajme që tregonin për acarimin e situatës: “Jo larg nesh – thekson Papa – në Kosovë, opsionet e dhunshme, shtypja, ikja e popullsive nuk mund të mos e shqetësojnë bashkësinë ndërkombëtare, me bindjen se kërkimi i rrugëzgjidhjeve paqësore, të vendosura në tryezën e bisedimeve, kërkojnë durim e guxim”.
Ja edhe fjalët e tij për paqen në Kosovë gjatë mesazhit Urbi et Orbi – drejtuar Romës e Botës të dielën e Pashkëve të 4 prillit 1999 nga Vatikani. Ishte koha kur në trojet kosovare zhvillohej lufta shqiptaro-serbe, që shkaktoi kaq shumë viktima e sakrifica për popullin shqiptar të atyre trojeve. “Nga Zoti i Ngjallur kërkoi dhuratën e çmuar të paqes, posaçërisht për tokën e martirizuar të Kosovës, ku lot e gjak përzjehen në një skenë dramatike, plot urrejtje e dhunë. Mendoj për atë që u vra, për atë që mbetet pa strehë, për atë që e ndajnë nga familjarët, për atë që detyrohet të ikë larg. E uroj të mobilizohet solidariteti i të gjithëve që, më në fund, të nisin e të flasin vëllazërimi e paqja. E si mund të mos prekemi thellë përballë vërshimit të dhimbshëm të burrave e të grave të Kosovës, që na trokasin tek porta, duke na kërkuar ndihmë? Në këtë ditë shenjte, e ndjej për detyrë t’u drejtoj një thirrje të ngutshme Autoriteteve të Republikës Federale të Jugosllavisë, të lejojnë hapjen e një korridori humanitar, për të krijuar mundësinë që ndihmat të arrijnë tek popullsia, e grumbulluar në kufirin e Kosovës. Për veprat humanitare nuk duhet të ekzistojnë kufijtë; hapja e korridoreve të shpresës mbetet detyrë e përhershme”.