E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ëndrra e katër martirëve të Shkodrës, u bë realitet”

03-04-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha përkujton në Shkodër 20 vjetorin e demonstratës antikomuniste të 2 prillit 1991

Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanakut dhe Besnik Ceka, dhanë jetën për liri dhe demokraci, ata u vranë nga “arma vrasëse” në dorën e Gramoz Ruçit dhe e shkrepur nga Ramiz Alia
 
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në takimin përkujtimor në Shkodër, me rastin e 20 vjetorit të demonstratës antikomuniste të 2 prillit të vitit 1991, ku ranë Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka. Kryeministri Berisha bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule në memorialin kushtuar 4 dëshmorëve të demokracisë dhe më pas përshëndeti qytetarët e Shkodrës, të mbledhur për të përkujtuar këtë ditë të qëndresës ndaj regjimit të kohës. Kreu i qeverisë tha se Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka mbyllën sytë dhe u ndanë nga ne 20 vjet më parë, në një betejë barbare të regjimit stalinist të bllokmenëve, të cilët zgjodhën Shkodrën, gjakun e të rinjve të saj për të festuar zgjedhjet e dhunuara.
“Ne jemi mbledhur në 20 vjetorin e flijimit të martirëve të Shkodrës, martirëve të 2 prillit, për t’u përulur me nderimin më të madh para veprës dhe sakrificës së tyre sublime, për të shprehur ndaj tyre mirënjohjen tonë më të thellë, për të shprehur ndaj familjeve të tyre falënderimet tona më të përzemërta. Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka mbyllën sytë dhe u ndanë nga ne 20 vjet më parë, në një betejë barbare të regjimit stalinist të bllokmenëve, të cilët zgjodhën Shkodrën, gjakun e të rinjve të saj për të festuar zgjedhjet e dhunuara. Klika Alia-Ruçi mendoi se më 31 mars kaloi rubikonin dhe se do mund të vazhdonte së bashku me Sllobodanin në Beograd, të shtypnin qytetarët shqiptarë. Zgjodhën Shkodrës, Rozafën e lirisë për ta goditur me tanke, në mënyrën më barbare, por Shkodra ishte e pamposhtur. Shkodra flijoi bijtë e saj. Gjaku i Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës skuqën rrugën e Shkodrës, por u bë dritë në rrugën e Shkodrës e të mbarë Shqipërisë drejt fitores përfundimtare të 22 marsit. Ëndrra e martirëve të Shkodrës u bë dritë në shpirtin dhe zemrën e mbarë shqiptarëve. Sot, qyteti shekullor e  mijëravjeçar i Shkodrës është edhe qyteti 20 vjeçar i lirisë. Shqipëria, shekullore e mijëravjeçare, është edhe Shqipëria 20 vjeçare e lirisë dhe vlerave. Martirët e Shkodrës ranë në këtë shesh për vlerat aspiratat më fisnike të qytetarëve të saj, të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i ekzekutivit deklaroi se në 20 vjet nga ajo ditë, ëndrra e tyre është bërë një ëndërr e realizuar, është bërë një realitet i lirë që preket nga çdo qytetar.
Sipas kryeministrit, Shqipëria po ecën e sigurt drejt idealit Evropian, integrimit në Evropën e vlerave dhe dinjitetit të çmuar.
“Arben Broci, djemtë e vajzat, burrat e gratë që themeluan Partinë Demokratike do të shpallnin në ditën e themelimit të saj, çështjen kombëtare si yllin polar. Sot, shqiptarët janë të lirë në Shqipëri, janë të lirë e të pavarur në Kosovë, janë më të lirë se kurrë në historinë e tyre, më të bashkuar se kurrë në historinë e tyre. Shkodra në Europë, Shqipëria në Europë ishte ëndrra e martirëve, djemve të Shkodrës që u flijuan në këtë shesh, për të fituar pavdekësinë. Sot, Shqipëria është në NATO. Liria e saj dhe e shqiptarëve është e garantuar njëherë e përgjithmonë. Shqipëria në Europë. Shkodra, kryeura e perëndimit e kombit shqiptar, Shkodra Europiane ishte ëndrra e gjimnazistëve të saj, ëndrra e martirëve të saj. Sot, shqiptarët lëvizin të lirë në mbarë Europën, si qytetarë dinjitozë, pa viza dhe kjo është vepra e tyre. Shkodra 20 vjeçare është Shkodra e entuziazmit, e energjisë së lirisë, është Shkodra e besimeve të mëdha, është Shkodra e tolerancës së shkëlqyer, e mirëkuptimit të madh qytetar, është Shkodra e shpresës së madhe, e sigurisë për të ardhmen e saj, është Shkodra që ndryshon çdo ditë e më shumë me gjeninë krijuese të qytetarëve të saj. Sot, unë jam këtu, për t’u zotuar para jush se vitet që vijnë do të jenë vitet  e ndryshimeve më të mëdha pozitive të këtij qyteti, se vitet që vijnë ju, qytetarë të Shkodrës do të njihni hapësirat më të gjera të lirisë, në mënyrë që aftësitë dhe gjenitë tuaja krijuese të ndërtojnë qytetin, ta ngrenë atë në lartësinë e ëndrrave të bukura të fëmijëve tuaj”, deklaroi Berisha.
Në këtë përkujtim, Berisha foli edhe për zgjedhjet vendore të 8 majit, duke deklaruar se koalicioni i mazhorancës është ai i aleancës për qytetarin.
“Këtë pranverë, ne ecim drejt zgjedhjes së qeveritarëve vendorë. Aleanca jonë është ‘Aleanca për Qytetarin’ dhe ju garantoj juve se çdo gjë në këtë përpjekje, në këtë fushatë, në këtë qeverisje do të përqendrohet për ju dhe vetëm për ju. Ne së bashku do të hartojmë projektet më të bukura për Shkodrën dhe mbarë qytetet e komunat e këtij vendi. Ne së bashku do t’i shndërrojmë ato në realitet. Sikundër kemi faktuar se ne mbajmë premtimet tona. Ne rrugën nuk e kemi bulevard me lule, sepse ne kemi pasur një trashëgimi jashtëzakonisht të hidhur e të vështirë, por ne, lirinë po e përdorim, po e shfrytëzojmë më mirë, më me mençuri, më me vendosmëri se kushdo tjetër. Shkodra 20 vjeçare është sot 20 vite drite larg Shkodrës së vitit ‘91. Shqipëria e lirë 20 vjeçare është sot 20 vite drite larg Shqipërisë së vitit ‘91. Vitet që vijnë do të jenë vitet, në të cilat ne, shqiptarët do të arrijmë horizonte të reja drejt të Europës, drejt prosperitetit, drejt zhvillimit. Në 2017-ën, Shkodra e Shqipëria qytet dhe vend i zhvilluar”, u shpreh ndër të tjera kryeministri Sali Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›