E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nga Mitrovica në Prevezë, 7 milionë shqiptarë janë të bashkuar rreth çështjes kombëtare”

03-04-2011 / Gazeta 55

Deputeti Dashamir Tahiri

Deputeti i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Dashamir Tahiri deklaroi dje në çeljen e fushatës elektorale të PDIU se kjo forcë politike shkon në këto zgjedhje me bindje të qartë dhe të sigurt, për t’i fituar ato. Në fjalimin e tij para mijëra simpatizantëve të PDIU në Pallatin e Kongreseve, Tahiri deklaroi se shumë shpejt çamët do të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe se të gjithë anëtarët e PDIU-së janë sot të bashkuar për dinjitetin e kombit shqiptar. “Një vit e gjysmë më parë i bëra thirrje Shpëtim Idrizit që të bashkoheshim dhe që Çamëria të kishte për herë të parë dy deputetë në parlamentin shqiptar. Sot, ne nuk jemi vetëm dy, nuk jemi vetëm tre së bashku me presidentin Muhedini, nuk jemi vetëm pesë mijë mbështetës që kemi mbushur këtë sallë, por jemi 7 milionë shqiptarë nga Mitrovica në Prevezë, të bashkuar më shumë se kurrë për të zgjidhur çështjen kombëtare dhe çështjen çame”, u shpreh ai.
Duke e konsideruar si thelbësore platformën e PDIU-së, për të drejtën legjitime të komunitetit çam, që janë tokat dhe shtëpitë e tyre në Çamëri, deputeti Dashamir Tahiri tha se “së shpejti ne do të shkojmë në tokat tona. Qershorin e shkuar ju premtova nga Qaf Bota që udhëtimi ynë i kthimit kishte filluar dhe së shpejti do të shkojmë në shtëpitë tona. Jam sot këtu për t’ju kujtuar këtë premtim. Në rrugën tonë janë bashkuar mijëra shqiptarë të ndershëm, nga të gjitha trojet e nga çdo cep i Shqipërisë. Jemi bashkuar për Kombin Shqiptarë, jemi bashkuar për dinjitetin tonë, për shtëpitë e të parëve tanë, Jemi bashkuar për amanetin e prindërve tanë”, u shpreh deputeti Tahiri, ndërsa kujtoi se në 8 maj PDIU do arrijë të korrë fitore. “Vëllezër e motra, suksese të gjithëve dhe takohemi fitimtar dhe me kokën lart në 8 maj”, përfundoi ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›