E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklarata/Qeveria synon një rritje vjetore ekonomike prej 6 përqindësh

20-06-2011 / Gazeta 55

Shqipëria është nga të paktat vende që nuk u prek nga kriza ndërsa politikat fiskale të ndjekura nga qeveria dhanë impakt në zhvillimin e vendit.
Kështu është shprehur ministri i financave Ridvan Bode në fjalën e mbajtur në forumin e organizuar në Tiranë me guvernatorët e bankave të Detit të Zi. Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se Shqipëria, falë reformave ekonomike të ndërmarra, është në rrugën e drejtë për t’u përfshirë në grupin e vendeve të zhvilluara në vitin 2017.
Në fjalën e mbajtur në forumin e biznesit të “Bankës së Zhvillimit dhe Tregtisë e Detit të Zi”, në të cilën Shqipëria është ndër vendet themeluese, Bode e vuri theksin tek performanca ekonomike e Shqipërisë në përballimin e krizës globale.
Duke vënë në dukje investimet e qeverisë dhe lehtësimin e barrës fiskale, ai prezantoi para panelit të pjesëmarrësve në forum edhe potencialin turistik të Shqipërisë. Banka e Detit të Zi për Tregti dhe Zhvillim (BSTDB) parashikon të investojë në Shqipëri për 4 vitet e ardhshme 50 deri në 100 milionë euro, në disa sektorë të ekonomisë. Përfaqësuesi i lartë i kësaj banke, Andreu Kondakov, u shpreh të dielën, se politikat ekonomike të ndërmarra nga qeveria shqiptare në mbështetje të biznesit, e nxisin bankën (BSTDB) të jetë e prirur të investojë kapitalin e vet në zhvillimin e infrastrukturës, energjisë, agrobiznesit, etj., në Shqipëri.
Anëtarët e Bankës së Detit të Zi prezantuan Strategjinë, me të cilën Banka do të angazhohet për të mbështetur vendin tonë për vitet 2011-2014. BSTDB aktualisht po kontribuon në rritjen e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Portofoli i investimeve të Bankës prej 61,4 milionë euro është mjaft mirë i shpërndarë dhe mbulon investime në prodhim, telekomunikacion, shëndetin publik dhe sektorin financiar. Investimet kryesore të BSTDB-së përfshijnë investimet në kompanitë si Albtelecom (25 milion euro), Kurum International prodhues çeliku (20 milionë euro) dhe Spitali Hygeia në Tiranë (10 milionë euro). BSTDB ka nënshkruar një linje kredie me Bankën Credins për 6.2 milion USD dhe gjithashtu ka marrë pjesë në dy fonde investimesh për të kryer investime në SME-të shqiptare.
Për më tepër, gjatë vitit 2010 BSTDB ka investuar 10 milionë euro në obligacione të qeverisë shqiptare.
Forumi i biznesit BSTDB-Shqipëri u zhvillua në kuadër të 13-të vjetorit të BSTDB në Tiranë, nën kryesinë e Nezir Haldeda, guvernatorit të BSTDB për Shqipërinë dhe zëvendësministër i Financave në Shqipëri.

BSTDB, takimi i 13-të vjetor në Tiranë
Bordi i Guvernatorëve të Bankës së Detit të Zi për Tregti dhe Zhvillim (BSTDB) organizoi dje takimin e 13-të vjetor të tij në Tiranë nën kryesinë e Nezir Haldeda, guvernatorit të BSTDB për Shqipërinë dhe zv/ministër i Financave në Shqipëri.
Bordi miratoi pasqyrat financiare të bankës për vitin 2010. Banka realizoi një fitim neto (10.7 milionë euro) për vitin e gjashtë radhazi, pavarësisht nga efektet negative të krizës globale financiare. Aktiviteti i bankës rriti ritmin në vitin 2010 pas politikës së vështirë, por të domosdoshme, të kujdesit dhe konsolidimit, e ndjekur gjatë viteve 2008-2009.
Projektet e reja të miratuara arritën në 215 milionë euro në vitin 2010, duke shënuar një rritje prej 36 % në krahasim me 2009-ën, ndërsa projektet e reja të firmosura u rritën me 90 % nga viti në vit, duke kapur shifrën e 199 milion eurosh. gjatë vitit 2010 BSTDB -ja arriti të ruajë edhe cilësinë e lartë të huave të portofolit të saj të kredisë.
Ecuria e mirë operative dhe mbështetja e fuqishme nga ana e aksionerëve kontribuoi në vlerësimin fillestar të fuqishëm prej A/A1 nga “Standard & Poor’s” më 16 qershor. Ky vlerësim erdhi si rezultat i vazhdimësisë së vlerësimit afatgjatë të “Moody’s Investors Service”, që më 30 shtator 2010 u përmirësua në A3. Ky vlerësim do të përmirësojë aftësinë e bankës për fonde të reja dhe do të mundësojë kushte më të mira financimi për klientët e saj në rajon.
Bordi i guvernatorëve vendosi t’i japë statusin e vëzhguesit Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim (BERZH), duke bërë që numri i institucioneve vëzhguese të BSTDB-së të arrijë në nëntë.
Bordi zgjodhi Arthur Javadyan, guvernatori për Armeninë në BSTDB, si kryetarin i ri të bordit të guvernatorëve dhe guvernatorët e Azerbajxhanit dhe Bullgarinë si zëvendës kryetarët e bordit për një periudhë prej një viti. Takimi tjetër vjetor i bordit të guvernatorëve të BSTDB -së do të zhvillohet në Jerevan, Armeni, në qershor 2012.
BSTDB është një institucion ndërkombëtar financiar i themeluar nga Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Gjeorgjia, Greqia, Moldavia, Rumania, Rusia, Turqia, dhe Ukraina. Selia e BSTDB është në Selanik, Greqi.
BSTDB mbështet zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal, duke siguruar hua, linja krediti, investime në kapitalin e nënshkruar dhe garanci për projekte si dhe financime në sektorin publik dhe privat në vendet e saj anëtare. Kapitali i autorizuar i bankës është 3,3 miliardë euro. Banka është vlerësuar me A3 nga Moody’s dhe me A nga Standard & Poor’s.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›