E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ hap 3 kuti votimi, fituesi i Tiranës pas dy ditësh

SHKRUAN: Fejzi Braushi 17-05-2011 10:15

Fituesi i Bashkisë së Tiranës do të zyrtarizohet brenda 48 orëve të ardhshme. Nuk kemi të bëjmë me një premtim nga drejtuesit e institucionit qendror që merret me administrimin e procesit ligjor, por ky është afati ligjor që Kodi Zgjedhor i përcakton Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të miratuar tabelën përmbledhëse të rezultateve për Bashkinë e Tiranës, që nga momenti i mbërritjes së tabelave përmbledhëse të rezultateve për çdo njësi nga KZAZ-të përkatëse. Afat ky që ka filluar të konsumohet duke filluar që sot, pasi dje pasdite pranë KQZ-së kanë mbërritur tabelat përmbledhëse të rezultateve edhe nga dy KZAZ-të e fundit ajo me numër 8 dhe 5, megjithëse kjo e fundit me votën kundër të katër anëtarëve të djathtë.

Rezultati

Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve për njësinë 5 në Tiranë ka paraqitur dje në KQZ tabelën përmbledhëse të rezultateve për të 65 qendrat e votimit të saj, si dhe vendimin që shoqëron atë. Megjithatë, për shkak të kundërshtive, KZAZ 49 nuk ka arritur ta miratojë tabelën përmbledhëse dhe vendimin shoqërues, pasi katër anëtarët e djathtë kanë votuar kundër përmbajtjes së saj. “KZAZ 49 ka plotësuar tabelën përmbledhëse të rezultateve dhe sot është përgatitur vendimi për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve ku 4 nga komisionerët kanë votuar kundër saj. Është dorëzuar më pas vendimi së bashku me tabelën përmbledhëse”, - tha drejtori i komisioneve në KQZ, Alfred Spahiu. Për rrjedhojë, tashmë i lind detyrimi KQZ-së që të marrë rolin e KZAZ-së dhe të miratojë fillimisht tabelën përmbledhëse të kësaj KZAZ-je dhe më pas tabelën përmbledhëse përfundimtare të gjithë njësive që përbëjnë Bashkinë e Tiranës. Veprim ky që duket se do të vonojë dhe pak orë, pasi kreu i KQZ-së, Arben Ristani, interesimit të përfaqësuesit socialist se kur do të merrej vendimi për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve, i është përgjigjur shkurt “të shohim, kur të gjejmë kohë”. Megjithatë, çështja nuk është kaq e thjeshtë, pasi nisur edhe nga qëndrimet kundërshtuese të komisionerëve të djathtë në njësinë 5, shpallja e rezultatit mund të hapë një debat të gjerë.

Akti

Po gjatë mbledhjes së mbrëmjes, KQZ ka miratuar dje dhe një akt të veçantë për mënyrën e verifikimit të saktësisë së tabelave të rezultateve për çdo njësi minibashkiake, para se të miratojë tabelën e saj përmbledhëse për gjithë Bashkinë e Tiranës. Akti me gjithë pritshmërinë e lartë politike, për shkak të natyrës teknike është miratuar brenda pak minutave, ndërsa anëtarët si dhe përfaqësuesit e partive nuk kanë shfaqur ndonjë rezervë përveç disa korrektimeve gjuhësore. Kështu verifikimi i rezultateve do të ndjekë këtë rend: Tabela përmbledhëse e rezultati të printohet nga baza e të dhënave e krijuar nga transmetimi i rezultateve të çdo QV-je nga VNV-të përkatëse në KQZ, pasi të jenë bërë veprimet si më poshtë: Të krahasohen rezultatet në tabelën përmbledhëse origjinale të rezultateve të miratuara nga Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve me tabelat origjinale të rezultateve për çdo qendër votimi dhe më pas këto të dhëna të krahasohen me rezultate për subjektet përkatëse që ndodhen në bazën e të dhënave. Përputhshmëria ose jo e vërejtur të mbahet shënim dhe t’i raportohen Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pas dhënies së pëlqimit nga KQZ, bëhen rregullime përkatëse në bazën e të dhënave dhe printohet prej saj TPR për Bashkinë Tiranë. Kontrolli do të bëhet në kopjen e bazës së të dhënave të bërë në momentin e transmetimit të rezultatit të votimit të kutisë që është numëruar e fundit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›