E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha paraqiti sot, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, veprimtarinë e qeverisë në disa nga fushat kryesore të reformave në vend, duke veçuar reform

Kryeministri Berisha paraqiti sot, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, veprimtarinë e qeverisë në disa nga fushat kryesore të reformave në vend, duke veçuar reformën zgjedhore, ligjin për arsimin e lartë, thellimin e procesit të decentralizimit dhe hapa të tjerë të rëndësishëm në sistemin fiskal.

Kryeministri rikonfirmoi se kartat e identitetit, regjistrimi i popullsisë, pasaporta dixhitale dhe regjistri elektronik përbëjnë përparësitë më madhore të reformave. "Brenda datës 25 mars, - theksoi Kryeministri, - kompletohet e gjithë ekspertiza e dytë, pasi ka qenë e domosdoshme të ketë një paketë ekspertizash për këto çështje dhe mbi bazën e tyre qeveria do të marrë vendimin për të shpallur tenderin e hapur ndërkombëtar fillimisht për kartat e identitetit dhe për pasaportat dixhitale, proces të cilin do të përpiqemi ta kompletojmë në kohën më të shkurtër të mundshëm, duke pasur parasysh se nuk është një proces që kompletohet në mënyrë të rrufeshme. Ne jemi të përcaktuar të përzgjedhim rrugën më të shkurtër dhe të sigurt të kompletimit të këtij procesi".

Duke u ndalur në reformën në arsimin e lartë, Kryeministri bëri të ditur se së shpejti paraqitet në parlament ligji Për Arsimin e Lartë. Duke e konsideruar një ligj me rëndësi të madhe, Kryeministri theksoi se për hartimin e tij është bërë një punë e jashtëzakonshme mbi një vjeçare, ku janë përfshirë qendrat më të shquara evropiane të mendimit në këtë fushë. "Janë kristalizuar dy rryma në trajtimin e këtij problemi. Qeveria është përpjekur të vlerësojë dhe jo të përjashtojë rrymat dhe mendimet. Unë gjykoj se kjo është rruga më e mirë, sepse në të dy rrymat ka pasur, në mënyrë të pamohueshme, elementë shumë pozitivë. Unë vlerësoj shumë përkushtimin e të gjithë akademikëve dhe profesorëve shqiptarë në këtë fushë. Natyrisht ka qenë një ligj, i cili nuk ka kaluar pa prekur konflikte interesash. Mendoj se ky ligj është shumë i mirë dhe ka përfillur meritën reale, një ligj i cili ka garantuar dhe garanton autonominë akademike dhe financiare të institucioneve tona universitare", u shpreh Kryeministri. Ai shprehu bindjen se gjatë shqyrtimit të tij në parlament deputetët do të organizojnë takime me grupet e interesit dhe botën akademike, do të dëgjojnë dhe vendosin mbi këtë ligj shumë të rëndësishëm.

Kryeministri informoi gjithashtu se në Komitetin e Planifikimit Strategjik të Integruar është diskutuar buxheti afatmesëm, janë përcaktuar hapa të tjerë të rëndësishëm në revolucionin fiskal, janë përcaktuar tavanet e një ekonomie optimiste, e të ardhurave dhe shpenzimeve.

Duke u ndalur në raportin e Bankës Botërore, të publikuar pak ditë më parë, Kryeministri theksoi se "në dallim çka raportoi media mafia që ka marrë përsipër të dezinformoi nga mëngjesi deri në darkë, raporti i Bankës Botërore, pjesa që i atribuohet kësaj qeverie, është më optimisti dhe kam kënaqësi t'ju informoj se për herë të parë ne kapim optimumet në treguesit kryesorë të shpenzimeve publike. Ato që media mafia afishon i përkasin të shkuarës".

Ndërsa lidhur me reformën fiskale, Kryeministri siguroi se në këtë drejtim do të ketë risi madhore. "Ne persistojmë në objektivat e shpallura. Po finalizohen përllogaritjet përfundimtare, të cilat do t'ua bëjmë të ditur dhe do të jetë një mesazh i fuqishëm drejt biznesit dhe jo drejt evazionit. Qeveria është e zotuar për të bërë çdo përpjekje për të lehtësuar klimën e biznesit dhe për t'i dhënë përgjigjen ligjore evazorëve. Pavarësisht nga zhurmat a thirrjet që mund të lëshojnë, toleranca jonë ndaj krimit të çfarëdo lloji do të jetë zero. Ne do të mbetemi miq të shkëlqyer të biznesit të ndershëm shqiptar dhe këtë e kemi faktuar me masat më të fuqishme që janë marrë që nga ardhja jonë në pushtet e deri më sot si, përgjysmimi i taksave për biznesin të vogël, ulja e çmimit të energjisë me 33-45 për qind, ulja e kontributit të sigurimeve shoqërore 31 për qind, ulje të tjera taksash, aplikimi i nismës "Shqipëria një euro" dhe do të vazhdojmë të bëjmë çdo përpjekje për një mjedis miqësor ndaj biznesit. Natyrisht evazioni dhe kontrabanda do të përballen me rreptësinë më të madhe të ligjit. Sado të thërrasin media mafia për klimë biznesi, ne jemi të vendosur në qëndrimin tonë. Ne jemi pro biznesit dhe e kemi faktuar këtë. Ne do të kemi tolerancë zero ndaj evazionit, si krim i shëmtuar dhe i patolerueshëm ekonomik, sikundër është dhe kontrabanda", u shpreh Kryeministri.

Kryeministri vlerësoi si një drejtim tjetër themelor të veprimtarisë së qeverisë thellimin e procesit të decentralizimit. "Kam kënaqësi t'ju informoj se po decentralizohen jo vetëm taksat, por edhe administrata fiskale. Taksa e biznesit të vogël dhe taksa e pronës, që në shumë vende është taksa themelore po i kalojnë qeverisjes vendore. Qeverisjes vendore do t'i kalojë edhe administrata për vjeljen e saj, në mënyrë që ata të marrin të gjitha përgjegjësitë që u takojnë. Duke shprehur këtë, ne sërish mbetemi të angazhuar për të rritur grantin. Në vitin 2006, nga 7.1 që e gjetëm e rritëm në 16.2 dhe sërish do të rritet, por me një kusht. Qeveria do të rrisë grantin, por do të kushtëzojë disbursimin e tij me performancën fiskale. Shqiptarët nuk mund të ndahen në ‘të nënës e të njerkës', që një pjesë të paguajë e të mbajë pjesën tjetër.Çfarë është e tatueshme do të tatohet dhe do të paguhet. Në rast se qeveria vendore i merr këto dy taksa, e garantojmë se do të vendosim një partneritet shumë të rëndësishëm, në të cilën ne do të derdhim nga buxheti qendror vlera monetare gjithnjë në rritje. Në rast se nuk vjel taksën, firmos falimentimin dhe në një institucion të falimentuar askush nuk duhet të investojë", theksoi Kryeministri.

Në drejtim të thellimit të procesit të decentralizimit, Kryeministri siguroi se qeveria është e vendosur të vazhdojë me shpejtësi decentralizimin e ujësjellësve dhe kanalizimeve, si dhe të inspektoratit të ndërtimit. "Gjatë këtyre ditëve, - u shpreh Kryeministri, - do të kalojmë ligjin për Inspektoratin e Ndërtimit, i cili i kalon qeverisjes vendore, bashkive dhe qarqeve për komunat që nuk janë në gjendje t'i përballojnë ato për shkak të vështirësive për t'i paguar. Ndërsa bashkive të mëdha e të mesme do t'u kalojë në varësi të tyre të plotë inspektorati i ndërtimit. Qeveria do të përcaktojë modalitetet e ekzekutimit të vendimeve të tyre. Nëse do të ngrihet një repart i veçantë apo do të autorizohet një lloj strukture ekzistuese, kjo do të vendoset gjatë këtyre ditëve, pasi të diskutohet me Ministrinë e Rendit dhe të Mbrojtjes. Në këtë mënyrë bashkitë e komunat e vendit marrin të gjitha përgjegjësinë për administrimin territorit".

Lidhur më këtë proces, Kryeministri risolli në vëmendje një problem serioz me qytetin e Tiranës. "Pavarësisht kush ka fituar, ne kemi njohur rezultatin e zgjedhjeve dhe kemi vullnetin e qartë për të bashkëpunuar mbi baza ligjore e për të thelluar procesin e decentralizimit. Por më duhet t'i them zotit Rama se çdo bashkëpunim me qeverinë qendrore do të kushtëzohet nga decentralizimi real i qytetit të Tiranës. Decentralizimi i Tiranës është një detyrim ligjor madhor, i cili ka zero progres. Mungesa e këtij decentralizimi e ka bërë Tiranën qytetin më monocentrik të planetit. Në Tiranë ka një bulevard, një bllok dhe një qendër, por nuk ka asnjë qendër tjetër dhe jetë. Në rast se zoti Rama dëshiron vërtet të bashkëpunojë për decentralizimin, do të ketë të gjithë gatishmërinë tonë, me kushtin e vetëm decentralizimin e Tiranës. Përndryshe bashkia e Tiranës do të jetë casus i veçantë dhe ju siguroj se ekzekutivi do të përdorë të gjithë pushtetin për të imponuar decentralizimin. Nuk mund të pranojmë një Tiranë ‘me vende e popuj'. Tirana duhet të jetë qytet që zhvillohet në mënyrë të harmonishme, me qendra në të cilat gëlon jeta, zhvillimi kulturor dhe zhvillimi i gjithanshëm. Shumica e zgjedhësve në Tiranë janë socialistë, por kjo nuk na pengon aspak. Ministria e Financave dhe Thesari i Shtetit kanë marrë të gjitha porositë që disbursimet e grantit të bëhen duke pasur parasysh banorët e secilës minibashki. Mendoj se decentralizimi i kompetencave është interesi më i mirë i qytetarëve të Tiranës dhe ju siguroj se bashkisë qendrore i ngelen në mënyrë të padiskutueshme kompetencat që meriton të ketë", u shpreh Kryeministri.

Kryeministri vlerësoi gjithashtu reformën zgjedhore si një drejtim tjetër shumë të rëndësishëm. "Në mënyrë të përsëritur gjatë vitit të shkuar edhe tani deklarojmë se pranojmë atë sistem zgjedhor që do të propozojë opozita. Ne nuk kemi asnjë vendim tjetër. Në rast se opozita shprehet për proporcionalin, ne jemi të gatshëm për proporcionalin, në rast se ajo për shprehet për rajonal proporcional, ne jemi të gatshëm ta pranojmë. Nuk besoj se opozita do të shprehet për sistemin maxhoritar, por, në rast se do të insistojë, do ta pranojmë edhe atë me kushtin e vetëm që të mos ketë dushk.

Zoti Rama dha një provë të shëmtuar të qëndrimit ndaj votës jo vetëm me pamfletin e certifikatave, por edhe me bojkotin që bëri në Shijak. Deri më sot, ai nuk ka dënuar vrasësin që shtiu mbi studentit e vitit të pestë, por, në të kundërt, do të deklaronte në Asamblenë e partisë së tij se një vendim të tillë do ta merrnin edhe tani. Me një akt sfidant jo vetëm ndaj një deklarate të bërë nga mbarë shoqëria shqiptare dhe komuniteti ndërkombëtar, por më keq akoma, ndaj vlerave të mëdha në radhë të parë të jetës, si vlera e parë dhe kryesore e njeriut, e votës së lirë si vlera e parë demokratike e qytetarëve, e respektit ndaj këtij qyteti që aksidentalisht, por mbi bazë të rregullt, qeveriset nga një përfaqësues i tij. Them aksidentalisht sepse Shijaku votoi më shumë djathtas edhe për kryetarin e baskisë, por ne ishim të përçarë, sepse krahas kandidatit zyrtar, në garë ishte edhe një kandidat tjetër, një aktivist i yni, i cili me votat që mori transferoi fitoren. Ne e njohim plotësisht atë dhe, ju siguroj, do të bashkëpunojmë me të, sepse ky është motivi ynë. Por edhe kjo nuk i mjaftoi zotit Rama për të mos i kërkuar falje Shijakut dhe zgjedhësve të tij, për të dënuar bodyguard-in e ish ministrit të tij si një kriminel i shëmtuar për aktin që kreu", u shpreh Kryeministri.

Duke u ndalur në çështjen e presidentit të republikës, Kryeministri e vlerësoi pozitive hapjen e debatit për presidentin, duke e konsideruar këtë një proces publik që i përket të gjithë shqiptarëve.

"Media është angazhuar në një debat të fuqishëm e të pandërprerë në çështjen e presidentit të republikës. Unë jam një nga ata që e vlerësoj të drejtë këtë, sepse publiku duhet të dijë e të informohet, pasi ky është një proces që nuk duhet të shkojë në mënyrë konspirative, por një proces që duhet të ndjekë rrugën publike.

Pala kundërshtare ka paraqitur me zëra të ndryshëm jo një, por dy kandidatë. Maxhoranca ka paraqitur dhe është deklaruar se mbështet zotin Topi. Këtu dua të bëj një qartësim të rëndësishëm. Dëgjoj edhe miq të thonë se zoti Berisha duhet të pranojë propozimin e së majtës. Unë jam i gatshëm, por, dua t'ju rikujtoj, se 5 vjet më parë unë pranova propozimin e së majtës dhe e pranova para se ata të pranonin propozimin tim. Unë kërkoj të ndiqen rregullat e lojës siç u vendosën, sepse të gjithë shqiptarët e dinë që kandidatin e propozuar nga qeveria e atëhershme e pranova unë i pari. Prandaj duhet t'i referohen arkivit dhe memories historike. Në rast se ne promovojmë një kandidaturë, nuk bëjmë gjë tjetër veçse riprodhojmë atë praktikë qe kemi pranuar. Në rast e mohojnë këtë, ne nuk dalim jashtë memories sonë dhe jashtë asaj që është e dokumentuar. 5 vjet më parë qeveria propozoi dhe opozita e pranoi. Presidenti është zgjedhur realisht, për aq sa ishte tryeza, me konsensus dhe jo imponim. Ne jemi koalicioni që morëm 54 për qind të votave të shqiptareve, është e vërtetë që kemi rreth 80 vota, pra na mungojnë, por është e vërtetë që arsyeja shkon jo në drejtim të inatit dhe ndëshkimit, por të mirëkuptimit dhe konsensusit. Aktualisht kjo çështje nuk është në rendin e ditës, por është në diskutim dhe është mirë që persiston. Presidenti zgjidhet për çdo shqiptar dhe jo vetëm për deputetët e zotit Berisha apo për zotin Rama e deputetët e tij", u shpreh Kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›