Qeveria miraton akte të pabazuara në ligj
TIRANË- Të përfshirë nga "ethet" e NATO-s, ku edhe sot 2 javë pas Samitit të Bukureshtit ftesa është kryefjalë e Kryeministrit në çdo mbledhje qeverie, ministrat si edhe vetë shefi i tyre vijojnë të nxjerrin vendime të pabazuara gjëkundi. Shembulli më i qartë është projektligji për procedurat tatimore, i cili jo vetëm nuk ka hyrë ende në fuqi, po është në diskutim e sipër në Kuvendin e Shqipërisë. E pavarësisht kësaj, qeveria ka nxjerrë dje një sërë aktesh, që i referohen draftit në fjalë, duke e quajtur të kryer punën me projektligjin. Anëtarët e Këshillit të Ministrave nuk kanë menduar gjatë dje teksa kanë kaluar një numër të konsiderueshëm aktesh, që përmbajnë në thelb ndryshimet në ligjet fiskale, të cilat preken nga dispozitat e draftit "Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë". Aktet që janë shqyrtuar dhe miratuar më pas në mbledhjen e Këshillit të Ministrave bazohen në fakt në një ligj pa numër dhe pa datë, sepse në të vërtetë drafti i shumëpërfolur i procedurave tatimore nuk ka hyrë në fuqi, madje nuk është miratuar ende nga Kuvendi. "Shkeljet e dispozitave për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, që përbëjnë kundërvajtje administrative, dhe dënimet përkatëse përcaktohen në ligjin "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë", - thuhet në një nga nenet e projektligjit të miratuar dje nga Këshilli i Ministrave, e konkretisht në atë që bën fjalë për një ndryshim në ligjin "Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar". Projektligji "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë", për rastin në fjalë, ka parashikuar të gjitha shkeljet administrative dhe penalitetet përkatëse për të gjitha llojet e tatimeve që mblidhen në territorin e Republikës së Shqipërisë, ku përfshihet këtu edhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.
Aktet
Ndërkohë, në një formë të tillë kanë kaluar dje nga Këshilli i Ministrave edhe një sërë aktesh të tjera, që përfshijnë draftin "Për ndryshime në ligjin "Për Tatimin mbi të Ardhurat", projektligjin "Për një ndryshim në ligjin "Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore", projektligjin "Për disa ndryshime në ligjin "Për sistemin e taksave", atë "Për një ndryshim në ligjin "Për lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet", si dhe vendimi "Për sistemin e taksave vendore". Anëtarët e kabinetit qeveritar nuk e kanë vënë ujin në zjarr as për rekomandimin e brendshëm të dërguar nga Ministria e Drejtësisë, përmbajtja e të cilit u është vënë në dispozicion ministrave gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë. "Duke qenë se projektligji "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë" nuk është miratuar ende nga Kuvendi, sugjerojmë që projekt-aktet të propozohen në një fazë të mëvonshme, atëherë kur projektligji për procedurat tatimore të marrë fuqi juridike",- shkruan në një shkresë të depozituar që dy javë më parë ministri i Drejtësisë, Enkeleid Alibeaj.