E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Bravo, Romela!"

 

Sapo lexova në "Shekulli-Online" (shekulli.com.al) lajmin që peshëngritësja jonë Romela Begaj u shpall Kampione Europe. Urime kësaj vajze që ngriti në supe gjithë këtë pikëllim në të cilin gjendet shoqëria shqiptare dhe e plasi përtokë. Të paktën për disa çaste sikur harruam mizerjen në të cilën është zhytur sporti shqiptar.

Uroj që një ditë shteti ynë, nëpërmjet institucioneve përkatëse të kuptoj se këto arritje sportive janë shumë herë më pozitive (reklamë) se vetë ato spote për të cilat janë paguar me qindra-mijëra euro nëpër TV e gazeta ndërkombëtare nga taksat e shoqërisë shqiptare. Uroj që shteti të kuptojë që më e rëndësishme është përkrahja dhe inkurajimi i këtyre thesareve sportive sesa një shpërblim post factum.

Dua të shtoj dhe diçka të fundit.

Kampionati Europian qenka zhvilluar në një provincë të Italisë. Me sa pashë nga pamjet vizive ishin të paktë ata që brohoritën për Romelën dhe më konkretisht, vetëm ekipi kombëtar i gjendur në sallë.

Është e çuditshme si emigrantët shqiptarë në Itali nuk janë organizuar për një mbështetje të këtyre vajzave. Mbaj mend një sekuencë nga Lojërat Olimpike të Athinës në 2004, ku garonte një djalë shqiptar që edhe pse nuk mori medalje, në momentin kur ngriti peshën e fundit me sukses, salla ka buçitur nga gëzimi. Edhe pse gjendur para një presioni psikologjik, (një pjesë e mirë e sallës ishte mbushur me forca sigurie) reagimi i turmës ishte mbresëlënës e mjaft emocionues. Ndoshta nuk kemi akoma atë kulture sportive që të inkurajojmë sportistët tanë edhe kur ata nuk arrijnë në atë shkallë që arriti Romela.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›