Gjatë periudhës korrik-shtator, shtimi i papunësisë u përshpejtua në sektorin privat
Numri i vendeve të punës të humbura, si pasojë e krizës ekonomike, vijoi të rritet gjatë tremujorit të tretë të vitit 2009 dhe tendenca duket se është negative, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara dje prej Institutit të Statistikave. Rreth 1300 vende pune u mbyllën në periudhën korrik-shtator, tremujori i tretë radhazi me ecuri negative. Të gjitha vendet e punës janë humbur në sektorin privat jobujqësor. Në fund të shtatorit 2009, Shqipëria kishte gjithsej 236500 të punësuar me sigurime shoqërore në sektorin privat, nga 239 mijë veta që ishin në dhjetor të vitit 2008. Të punësuarit në sektorin publik qenë 166 mijë vetë, shifër kjo e pandryshueshme që nga viti 2007. Një e treta e shqiptarëve të punësuar në sektorin privat janë me statusin e të vetëpunësuarit si sipërmarrës në biznesin e vogël.
Ekonomia shqiptare ka njohur rritje shumë të ngadaltë të numrit të vendeve të punës gjatë dekadës së fundit, por viti 2009 është i pari në katër vjet që mbyllet me rezultat negativ në numrin e përgjithshëm të të punësuarve.
Numri i të papunëve sipas shifrave zyrtare u rrit gjatë kësaj periudhe me 2 mijë veta. Në Shqipëri të papunë konsiderohen vetëm njerëzit që kanë dëshmuar se po përpiqen të gjejnë punë gjatë vitit të fundit. Të tillë konsiderohen zakonisht 140 mijë vetë. Rreth 300 mijë shqiptarë të tjerë konsiderohen “të papunë të dekurajuar”, pasi kanë qëndruar të papunë për një kohë të gjatë dhe kanë hequr dorë nga kërkimi aktiv për një vend pune. Zyrtarisht, të gjithë banorët e fshatit në moshë madhore konsiderohen si “të vetëpunësuar në bujqësi” dhe në Shqipëri janë 568 mijë vetë. Në fshat, koncepti i papunësisë nuk njihet.
Statistikat e punësimit dhe papunësisë grumbullohen nga Ministria e Punës dhe çështjeve Sociale dhe konsiderohen gjerësisht si të pasakta për shkak se punësimi pa taksa në Shqipëri është në nivel të lartë, ndërsa statistikat pasqyrojnë vetëm punësimin e rregullt.
Kriza
Kriza ekonomike dhe financiare që përfshiu botën në shtator të vitit 2008, mbërriti ngadalë në Shqipëri gjatë vitit 2009 dhe duket se kushtet ekonomike janë përkeqësuar gjatë verës, sezon kur ekonomia shqiptare përjeton zakonisht rritje punësimi. Vendet e punës janë humbur në industrinë e lehtë, në industrinë e ndërtimit, si dhe në shitjet me pakicë e shërbimet financiare. Sektori privat i ekonomisë ka qenë veçanërisht aktiv në shtimin e vendeve të punës gjatë dekadës së fundit, kohë kur numri i të punësuarve në sektorin publik u ul ndjeshëm. Ekspertët janë të shqetësuar për ecurinë e punësimit gjatë vitit 2010, për shkak se projektet për investime kanë qenë të pakta, ndërsa shumë sektorë kanë zvogëluar apo ndaluar oreksin për zgjerim. Sektori i shërbimeve bankare, i cili gjatë viteve të shkuara ka zgjeruar aktivitetin dhe të punësuarit me shpejtësi, duket se u ndal në vitin 2009.
Pagat e shtetit
Paga mesatare bruto e sektorit publik në Shqipëri mbërriti në 42 mijë lekë në tremujorin e tretë të vitit 2009, nga 36 mijë lekë që ishte në vitin 2008, me rritje prej 16.3 për qind. Kjo rritje e konsiderueshme i dedikohet faktit që sektori publik gjatë vitit të kaluar e mori rritjen e pagave që nga muaji maj, ndërkohë që vitet e shkuara rritja e pagave është bërë në muajin korrik. Pagesa e papunësisë nuk është rritur që nga janari i vitit 2008 dhe mbetet 5980 lekë në muaj. Gjithsej 9300 shqiptarë ose më pak se 8 për qind e të papunëve të regjistruar e përfitojnë këtë pagesë.