E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria italiane, deklaratë për përmbytjet: Gati t’u ndihmojmë

Bashkimi Europian i përgjigjet apelit të qeverisë shqiptare për ndihmë në përballimin e situatës së krijuar. Në një njoftim për shtyp, Ambasada Gjermane në Tiranë deklaroi se “për shkak të përmbytjeve të rënda në veri të vendit, dje, më 7 janar 2010 Shqipëria bëri kërkesë për ndihmë ndërkombëtare”. Në përgjigje të kësaj kërkese, vijon deklarata, këto ditë, Bashkimi Europian do të dërgojë në Shqipëri një grup ekspertësh. “Pjesë e këtij grupi është dhe një ekspert gjerman nga
Organizata për Asistencë
Teknike”, theksohet në njoftimin e ambasadës. Autoritetet gjermane janë në kontakt të ngushtë me qeverinë shqiptare dhe institucionet ndërkombëtare që koordinojnë asistencën dhe mbështetjen për Shqipërinë. Qeveria italiane po ndjek me vëmendje situatën e emergjencës të krijuar në Shqipëri për shkak të përmbytjeve.
Lajmi u dha sot në edicionin e lajmeve TG1, si edhe në deklaratën në faqen zyrtare të internetit të qeverisë italiane sipas të cilës: “Presidenti i Këshillit të Ministrave, Berluskoni po ndjek me vëmendje zhvillimet e emergjencës së përmbytjeve në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë rrezikun në zonat në jug të Shkodrës në të cilën banojnë qindra mijëra vetë”.
Në njoftim thuhet se qeveria italiane ka dërguar në Shqipëri komisarin e Jashtëzakonshëm për emergjencat e digave, Prof Roberto Guerco, i cili në një takim me Kryeministrin Berisha, zv.kryeministrin Meta dhe ekspertë të tjerë shqiptarë kanë hartuar strategjinë e ndërhyrjes. “Presidenti Berluskoni, i cili ka marrë nga autoritetet shqiptare falënderimet më të thella, ka konfirmuar gatishmërinë e qeverisë italiane për të dhënë ndihma për popullsinë e prekur nga moti i keq”, përfundon deklarata.
Një ditë më parë zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, së bashku me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, zhvilluan një takim informativ dhe konsultativ me përfaqësues të Trupit Diplomatik në lidhje me gjendjen e rënduar në zonat e përmbytura në veri të vendit si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut dhe prurjeve të mëdha të ujit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›