E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Programi i Ramës, sipas doktrinës së Marksit për të shkatërruar të pasurit”

31-01-2012 / Gazeta 55

Berisha: “Censusi faktoi rritjen e bizneseve shqiptare pas 2005-ës, opozita po bën propagandë vulgare. Nga 2005-a deri në 2009-ën morën jetë biznese sa në 15 vite të marra së bashku”


Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike se për periudhën 2005-2009-ë, mandatin e parë qeverisës të Partisë Demokratike, në Shqipëri morën jetë biznese sa në 15 vitet e marra së bashku. Duke iu referuar të dhënave të Censusit që flasin për një rritje të ndjeshme të bizneseve në Shqipëri, Berisha tha se këtë e fakton modeli i suksesshëm ekonomik. Për kryeministrin Berisha modeli ekonomik, i bazuar në taksat e ulëta, në qeverinë e vogël, në klimën miqësore ndaj biznesit dhe luftën pa kompromis kundër korrupsionit, bëri që bizneset, të gjejnë një mjedis disa herë më të favorshëm se më parë. “Dua të ndalem sërish në çështjen e parë, por edhe të dytë, të tretë e të katërt të shqiptarëve, ekonominë dhe modelin ekonomik. Censusi i fundit fakton se në vitet 2005-2009, pra në një hark kohor 4 vjeçar, morën jetë, gjalluan, biznese sa në 15 vite të marra së bashku. Pra, kemi të bëjmë realisht me një lëvizje kuantike, apo kërcim kuantik në 4 vite. Këto të dhëna i referohen viteve 2005-2009, sepse po të shtojmë vitet e këtij mandati, natyrisht janë edhe shumë më të fuqishme e më të rëndësishme. Pra, modeli ynë ekonomik, i bazuar në taksat e ulëta, në qeverinë e vogël, në klimën miqësore ndaj biznesit dhe luftën pa kompromis kundër korrupsionit, bëri që bizneset, të cilat janë edhe krijesat më sensitive, natyrisht edhe më të rëndësishmet, të njohin, të gjejnë, të kenë, një klimë, një terren, një mjedis disa herë më të favorshëm se më parë. Nuk ekziston asnjë dhe një vend i vetëm që, në një hark kohor 4 vjeçar, të ketë themeluar biznese të suksesshme, është fjala për bizneset aktive, më shumë se në 15 vite të marra së bashku. Kjo ka vetëm një shpjegim, vetëm një arsye; reformat e kësaj qeverie dhe iniciativën krijuese, iniciativën e lirë të qytetarëve shqiptar, iniciativë të cilët e kishin edhe para vitit 2005, por që ajo u ndrydhej, u shuhej, në kalendat e korrupsionit dhe galeritë e tij”, u shpreh Berisha. Kryeministri theksoi se modeli ekonomik ka bërë që Shqipëria në 4 vjet të ridimensionojë disa herë potencialin e saj të biznesit. “Është ky model i cili ka bërë që Shqipëria, në katër, vite të ridimensionojë disa herë potencialin e saj të biznesit. Është ky model dhe ky zhvillim që shpjegon se si ka mundësi që, në këtë qeverisje, nga viti 2006 deri në 2011, janë mbledhur në arkën e publikut, taksa, tatime, 7.2 miliardë dollarë më shumë se sa në vitin kulmor të socializmit të dytë shqiptar. Pra, janë mbledhur faktikisht mbi 3 buxhete më shumë të vitit 2004”, tha Berisha. Kreu i ekzekutivit u ndal dhe te deklaratat e opozitës për 1 milionë të pa punë, tezë të cilën Censusi e hodhi poshtë. Për kryeministrin Berisha, opozita po bën propagandë vulgare duke mashtruar shqiptarët, ndërsa programi i Edi Ramës për taksimin progresiv, është sipas doktrinës së Marksit “për të shkatërruar të pasurit”, model i cili është edhe një nga faktorët e krizës së sotme në botë. “Në të gjithë këtë realitet, si klithma të të shkuarës, të një të shkuare të largët, vjen dhe propaganda vulgare e drejtuesve të Partisë Socialiste. U thanë shqiptarëve 2 vjet rresht se në Shqipëri ka 1 milionë të papunë dhe nuk u thanë shqiptarëve se përse mashtruan 1 milionë herë, në një kohë kur ‘krahët e punës’ në vend nuk janë as edhe një milionë, sipas censusit të fundit. Bëjnë propagandë sipas së cilës Banka e shtetit po pret para për qeverinë dhe kjo tregon se injoranca financiare nuk mund të mos vendosej ndryshe në piedestal. Në një kohë kur Shqipëria mbylli vitin me inflacion ndër më të ulëtin në Evropë 1.7, nxorën këtë dogmë për të justifikuar mashtrimin periodik që u bënin qytetarëve se qeveria nuk do të ketë para për të paguar. Tani së fundi kanë problemin e taksave. Duan edhe njëherë t’i rikthehen modelit marksist, model i cili është edhe një nga faktorët e krizës së sotme. E vërteta është që modeli ynë bëri që punonjësi i cili merrte 220 mijë lekë  të vjetra në vitin 2005, të marrë rreth 500 mijë në vitin 2010. Është e vërtetë që në vitin 2005, pas heqjes së taksës, atij i mbeteshin 213 mijë lekë të vjetra dhe në vitin 2010 pas heqjes së taksës, i mbeten 450 mijë lekë të vjetra. Por le të pyeten këta punonjës nëse do preferonin 220 mijë minus  7 mijë, apo 500 mijë minus 40 mijë. Kjo është matematika në doktrinën e Marksit: të shkatërrojmë të pasurit. Një gjë kanë socialistët pasion të përjetshëm; të varfrit që ata krijojnë. Por kjo nuk do të mund të ndodhë”, tha kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›