Gjebrea në Eurosong
Nuk e kanë pasur rrugën aq të lirë këtë vit pretenduesit dhe garuesit e përhershëm të festivalit të dimrit për në Eurosong, kompozitorë si Adrian Hila apo Edmond Zhulali. Hyrja në konkurrim i kantautorit Ardit Gjebrea si kompozitor i këngës “Nuk mundem pa ty”, kënduar nga Juliana Pasha, pa dyshim është emri “i ri” që tanimë do të nisë përgatitjet për në edicionin evropian të muzikës së lehtë të 2010-s në Oslo të Norvegjisë. Ndërsa për këngëtaren prekja e çmimit të parë, ashtu siç po ndodh prej vitesh në festivalin e RTSH-së, duket sikur nuk ka më lidhje me të vlerësuarit si më të mirët. Por, përfaqësimi i Shqipërisë në Eurosong është shndërruar në një stimul qëllimi nga nisin kompozimet për çdo konkurrent të festivalit të dimrit.
Me tekst të Pirro Çakos dhe orkestrim të Shpëtim Saraçit, kënga “Nuk mundem pa ty”, dje duhej të bënte edhe prezantimin zyrtar para mediave. Por kjo nuk ka ndodhur këtë vit. Ka mjaftuar atmosfera e mbrëmjes së çmimeve, që organizatorët të mbyllnin deri këtu hesapet me festivalin pa dëshmuar asgjë më tepër nga gjithë organizimi katërditor. Vlerësimi për këngën e kompozuar nga Gjebrea ka vetëm një fjalë: është fitues për në Eurosong. Çfarë e ka bërë këtë këngë “magji” juria sigurisht që ka dhënë voton. Kënga “Nuk mundem pa ty”, kënduar nga zëri potent i Juliana Pashës, duhet thënë se i rikthen muzikës së lehtë shqiptare moderimin e kërkuar prej vitesh. Jo atë që bëhet kopje e një kënge që “u gënjen” veshët si preferenca të Eurosongut. Çudia e këtij festivali tashmë ka kaluar kufirin lindor, ku është diskutuar gjithnjë rënia e befasishme e famës - derisa për ne shqiptarët ajo bëhet ngjarje vjetore qysh me përfaqësimin e parë, me Anjeza Shahinin. Juliana Pasha duket qartë në këmbënguljen e saj, pasi vjet iu duk sikur “ia rrëmbyen” fitoren, duke zënë vendin e dytë në festival me kompozimin e Shpëtim Saraçit. Tani pritet që organizatorët e festivalit apo stafi i RTSH-së t’i prezantojë medias se si do të shkohet në Eurosong, kur në maj të vitit 2010 kënga shqiptare për të disatën herë, arrin të çojë një përfaqësues, por jo me suksesin e pritshëm, përveç këngëtares Anjeza Shahini. Kompozimi i Gjebreas ndoshta është entuziazmi i parë pas atij shkëlqimi të Shahinit që Shqipërinë të paktën ta shohim në vendet e para si pretendente dhe jo nga fundi i tabelës.
V. M.