E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Të lehtësohet kreditimi për sektorin bujqësor

Atë që nuk e bëjnë bankat e nivelit të dytë, për sa i përket kreditimit të zonave rurale, ministri i Ekonomisë Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve, Genc Ruli ka kërkuar ta bëjnë shoqatat e mikrokredisë. Ministri ka kërkuar nga institucionet financiare jo banka, që të rrisin mbështetjen me kredi për fermerët dhe aktivitetet e ndryshme në zonat rurale, por njëkohësisht edhe me lehtësi në interesin e këtyre kredive. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, z. Genc Ruli, zhvilloi dje një takim konsultativ me përfaqësues të shoqatave të mikrokredive, i cili ka pasur si qëllim diskutimin e vështirësive që ndesh kreditimi i aktiviteteve bujqësore.
“Duke u bazuar në eksperiencën tuaj disavjeçare, - u ka thënë ministri Ruli të pranishmëve, - të mundohemi të identifikojmë së bashku se çfarë mund të bëhet për lehtësimin e aksesit të fermerëve në mikrokredi dhe rritjen e financimit për aktivitetet bujqësore”. Zonat rurale në Shqipëri zënë rreth 2/3 e sipërfaqes dhe punësojnë (direkt apo indirekt) mbi 50% të krahut të punës. Këto zona përmbajnë potenciale të konsiderueshme për zhvillimin e vendit, ku përveç të tjerave, mund të përmendim: produktet bujqësore, agro-përpunimin, turizmin rural, artizanatin, shërbimet rurale etj. Shfrytëzimi i këtyre potencialeve ekonomike dhe përshpejtimi i ritmeve të zhvillimit ekonomik të këtyre zonave kërkon rritjen e nivelit të investimeve për shtimin e kapitalit fizik (investime në infrastrukturë dhe teknologji të përparuara) të bizneseve rurale (bujqësore dhe jobujqësore). Ministri kërkoi nga shoqatat e mikrokredisë të rrisin aksesin ndaj sektorit bujqësor. “Edhe pse bankat kanë filluar vitet e fundit të futen në tregun e mikrofinancës, ato janë shtrirë shumë pak në zonat rurale, duke mbetur pothuajse vetëm në zonat urbane dhe peri-urbane. Aktualisht, oferta e mikrokredisë në zonat rurale është pak e zhvilluar, duke mbuluar vetëm rreth 10-15% të kërkesës së familjeve dhe ndërmarrjeve rurale”, - nënvizoi ministri Ruli. Sipas tij, kjo gjendje është ende më problematike në sektorin bujqësor, ku vështirësitë lidhur me aksesin në kreditim janë akoma më të mëdha. Ministri theksoi se përveç nivelit të lartë të interesave, aksesi i bizneseve rurale në kreditim përballet dhe me faktorë të tjerë, si: mungesa e sasisë së kërkuar të kolateralit, papërshtatshmëria e kushteve dhe afateve të pagesës së kredisë me ciklin e biznesit (sidomos për bizneset bujqësore) dhe ciklin e të ardhurave dhe shpenzimeve (cash-flow), niveli më i lartë i riskut krahasuar me bizneset urbane etj. “Rritja e konkurrueshmërisë dhe aksesit në treg si dhe diversifikimi i ekonomisë rurale (bashkë me përmirësimin e cilësisë së jetës në këto zona) përbëjnë disa nga objektivat kryesore të qeverisë për zhvillimin e zonave rurale gjatë këtij mandati. Megjithatë, përveç fondeve publike (përmes skemave të ndryshme mbështetëse për zhvillimin bujqësor dhe rural), të cilat do të kenë një rritje të konsiderueshme gjatë këtij mandati, një rol të rëndësishëm në financimin e zhvillimit të këtyre bizneseve kanë dhe institucionet e mikrofinancës, - ka thënë ministri Ruli. - Ne jemi të ndërgjegjshëm se aktiviteti i mikrokreditimit është i lidhur ngushtësisht (dhe vepron në sistem) me elementet e tjera pozitive dhe negative të ekonomisë rurale. Si i tillë, ai influencohet nga çështjet e pronës, aksesi i fermerëve dhe bizneseve në infrastrukturë dhe në tregje, mentaliteti dhe njohuritë profesionale të fermerëve, shërbimet financiare si sigurimet etj. Kjo është gjithashtu e lidhur direkt dhe me procesin shumë të rëndësishëm të formalizimit të biznesit në këto zona”.
Duke i falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen, ministri Ruli shprehu dhe angazhimin e tij personal dhe të MBUMK-së për të kontribuar në identifikimin e programeve mbështetëse në favor të përmirësimit të gjendjes në këtë fushë. Kreditimi në zonat rurale gjatë këtyre viteve është ofruar pothuajse vetëm nga institucionet mikrofinanciare jobankare, ndër të cilat shumicën e tregut të mikrokredisë e zënë: Unioni Shqiptar i Shoqatave te Kursim-Kreditit (që vepron kryesisht në zonat me më shumë potenciale prodhuese të vendit); Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit ose ish-Fondi i Financimit të Zonave Malore (që vepron kryesisht në zonat malore dhe më të vështira të vendit); Unioni i SHKK-ve “Jehona”; fondacioni “BESA” (vepron kryesisht në zonat urbane dhe peri-urbane); Partneri Shqipëri në Mikrokredi ose “Opportunity Albania” (vepron kryesisht në zonat urbane e peri-urbane dhe pak në zonat rurale).

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›