E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjëja e duhur për Afrikën Veriore

09-05-2011 / Nga Donald Kaberuka

Sikurse vullkani i fjetur për një kohë të gjatë që shpërthen papritmas, ashtu edhe revolucionet përreth Afrikës Veriore - që kishin në sfond telashet ekonomike - na zunë të gjithëve në befasi.
Para shpërthimit, mesatarja e rritjes vjetore të GDP-së në rajon sillej rreth 4.6 për qind për një dekadë, me përmirësimin e dukshëm të indikatorëve të zhvillimit njerëzor.
Mirëpo kjo rritje në disa aspekte ishte mashtruese, pasi i maskonte problemet që për një kohë të gjatë fshiheshin nën sipërfaqe: papunësia e lartë, veçanërisht në mesin e të rinjve të rajonit dhe represioni politik – çështje këto që pak a shumë i sollën gjërat në pikën e vlimit. Në Tunizi, ku revolucioni nxiti një zjarr që shumë shpejt u përhap në pothuajse të gjithë rajonin, të rinjtë përbëjnë 70 përqindëshin e totalit të të papunëve. Statistikat janë të ngjashme edhe në Egjipt dhe Libi.
Emëruesi i përbashkët i rajonit është se, derisa ekonomitë po shënojnë rritje, ato nuk po arrijnë të gjenerojnë vende të mjaftueshme pune. Kjo gjë ka krijuar një gjeneratë të tërë të rinjsh të pakënaqur dhe të papunë, me gjithë numrin e madh të atyre që posedojnë diploma të universiteteve. Në fund, të gjitha shtresat e shoqërisë, të ndezura nga veprimet e të rinjve të zhgënjyer dhe të shtypur, u bashkuan në kërkesën për ndryshime dhe reforma. Nëpër të gjithë Afrikën Veriore popullatat kanë ngritur zërin dhe janë çuar në këmbë – dhe vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë.
Ekziston një vullnet i madh për të siguruar një dividendë demokratike për këto shtete. Por si, saktësisht, duhet përgjigjur politikëbërësit e rajonit? Ajo që situata në Afrikën e Veriut na ka mësuar është se duhet të pranojmë me modesti se jo gjithmonë në të kaluarën i kemi pasur përgjigjet e duhura. Duhet të jemi të vetëdijshëm për ndërlikueshmërinë e çështjeve ekonomike që janë para nesh dhe të dëgjojmë më shumë para se t’i dizajnojmë përgjigjet e domosdoshme dhe adekuate.
Mësimi i dalë nga kryengritjet në Afrikën Veriore është i qartë: ky ishte një revolucion jo për ideologji, por për liri, përfshirje shoqërore, për zë politik dhe përgjegjësi të qeverive. Deri në një shkallë, ajo që shtetet në Afrikën Veriore aktualisht po përjetojnë, dhe kjo gjë mund të diskutohet, është kurth klasik i shteteve me të ardhura mesatare, me performanca ekonomike të zbehta dhe të rrezikuara nga transformimi i kufizuar ekonomik përballë prodhimeve të larta me vlerë të shtuar dhe përfshirjes së pamjaftueshme politike, shoqërore dhe ekonomike. Ngjarjet e muajve të fundit kanë saktësuar peshën e rëndë afatshkurtër ekonomike. Ekonomitë e rajonit janë tkurrur, si pasojë e rënies së theksuar të të ardhurave nga turizmi dhe mospërputhjeve ndërmjet prodhimit dhe tregut. Investimet e huaja dhe vendore mund të bien edhe më shumë si pasojë e paqartësive, ndërsa sektorët financiarë dhe tregjet e aksioneve mund të përballen me stres edhe më të madh. E gjithë kjo mund të ketë ndikim të madh mbi segmentet e varfra dhe të cenueshme të popullatës, me gjithë mundësinë e rritjeve të mëtutjeshme në çmimet e prodhimeve ushqimore dhe të shkallës së papunësisë.
Në anën tjetër, mund të jemi të bindur se përfitimet afatgjate nga ndryshimet në fushat sociale dhe politike do të ishin pozitive, pasi kështu korrupsioni dhe kufizimet mbi liritë individuale dhe ekonomike do të eliminoheshin.
Si një prej institucionet kryesore financiaro-zhvillimore të Afrikës, Banka Afrikane e Zhvillimit do të mbështesë anëtarët tanë të Afrikës Veriore, duke forcuar qeverisjen dhe institucionet, rrjetet e sigurisë sociale dhe duke ia vënë themelet një rimëkëmbjeje të fuqishme ekonomike.
Pasi ne financojmë infrastrukturën dhe projektet e tjera në rajon, do të synojmë të integrojmë rajonet e shtypura dhe zonat rurale.
Ne jemi duke i zgjeruar konsultimet tona me qeveritë dhe aktorët e tjerë, dhe jemi duke bashkëpunuar me ngushtë me kombet, grupet civile shoqërore dhe mediet e rajonit, sikurse edhe me institucionet akademike, agjencitë e matjes së opinionit publik, unionet e punës dhe asociacionet industriale dhe sektoriale. Kështu krijojmë partnerë me të cilët mund të përfshihemi në çështjet qeverisëse.
Asnjë shtet apo rajon nuk mund të ketë aspirata për rritje të plotë dhe gjithëpërfshirëse ekonomike pa i përfshirë të gjitha segmentet e popullatës dhe pa u dhënë të drejta të shprehjes të gjithëve. Mirëpo Afrika Veriore duhet po ashtu të punojë në integrimin rajonal ekonomik, me qëllim të rritjes së efikasitetit të politikave kombëtare. Gjithnjë e më shumë shtete po e bëjnë një gjë të tillë nëpërmjet zhvillimit të sektorit privat. Më 2008 për shembull, Fondi i Kapitalit Privat në Magreb ka pranuar investime prej afro 20 milionë eurosh nga Banka Afrikane e Zhvillimit (AfDB), e cila forcon ndërmarrjet e zgjedhura të vogla dhe të mesme në Marok, Algjeri, Tunizi dhe Libi, duke i transformuar ato në aktorë më të fuqishëm rajonalë. Më 2010, “AfDB” ka aprovuar po ashtu një investim kapital prej afro 20 milionë dollarësh për një fond infrastrukturor që operon kryesisht në Afrikën e Veriut.
Në rast se shtetet e Afrikës Veriore duan që t’ia dalin në përmbushjen e nevojave dhe pritjeve të popujve të tyre, atëherë politikanët duhet të nxjerrin mësimet e duhura nga e kaluara – dhe të synojnë që kësaj radhe ta bëjnë këtë punë ashtu si duhet.
Kreativiteti ekonomik duhet të jetë hapi i ardhshëm në pranverën e Afrikës Veriore.

Autori është kryetar i Bankës Afrikane të Zhvillimit. Shkrimi është botuar së pari në rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›