Zgjedhjet në Maqedoni dhe takimi i liderëve shqiptarë
Pa diskutim që java u shënua nga takimi i dy liderëve Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi dhe zotimi i tyre për një proces të rregullt zgjedhor. Pamje e rrallë! Por a do të duhej të ishte kështu? Përgjigjen sigurisht e dini, sepse çështja e dialogut politik ka qenë një nga më të "nxehtat" dhe mungesa e këtij elementi komunikues na ka bërë në përgjithësi "viktima" të mosmarrëveshjeve dhe inateve se sa të vetë proceseve politike. Por pas kalimit të momentit të takimit tani çështja është se sa njerëzit do ti besojnë zotimit të dhënë nga dy liderët, që sipas të gjitha gjasave po marrin vetë përgjegjësinë e procesit zgjedhor. Mua personalisht më rrotullohen me dhjetar deklarata, ofendime, insinuata, aludime, vrer e nxjerrë nga politika, për rivalët për njëri-tjetrin… Takimi në fakt dëshmoi atë thënien se politika është arti i të pamundurës. Por sërish, sa duhet ti besojmë një fotografie, një imazhi dhe një përshëndetjeje se në fakt nga ai moment gjithçka do të shkojë në rregull me proceset? Dyshimet nuk hiqen lehtë, edhe pse dialogu do të duhet të jetë gjëja me e thjeshtë. Në kontekst politik dialogu ka qenë esenca e demokracisë që në Greqinë e lashtë, që te Aristoteli, e më pas në krijimin e shteteve moderne siç i njohim sot. Dialogu është mjeti që mundëson krijimin e një kohezioni më të gjerë shoqëror (në këtë rast shqiptar) për parimet themelore që do të jenë në interes të shoqërisë. Fjala "politikë" vjen nga fjala greke "politikos" (?????????) që do të thotë në përkthim të lirë "për ose që ka të bëjë me qytetarët". Politika që në antikitet e deri më sot ka në qendër të saj procesin e marrjes së vendimeve nga një grup njerëzish, për njerëzit për të mirën e tyre. Është procesi i qeverisjes, kurse referimet e tjera kanë të bëjnë edhe me rregullimin e jetës së njerëzve. Pra gjithçka është PËR NJERËZIT. Por a është e mundur që një takim mes dy rivalësh agresisvisht kundërthënës të na japë qetësinë se që kur se i dhanë dorën njëri-tjetrit tani do të punojnë PËR NJERËZIT? Ose le të bëjmë pyetjen ndryshe: Apërfundoi dialogu, apo filloi dialogu? Dialog në fakt do të thotë një shkëmbim mendimesh në formë të shkruar ose verbale mes dy ose më shumë njerëzve. Në kontekst politik një gjë e tillë do të duhet të zhvillohet në vazhdimësi për të arritur synimin: marrje vendimesh me dhe për njerëzit, në interes të tyre. Fushata (edhe pse zyrtarisht ende jo) ka filluar. Dhe këto parime rreth politikës dhe dialogut, sado bazike qofshin kam frikë se do të lëkunden seriozisht, sepse politikbërja e gjithë kësaj kohe nuk na jep asnjë shpresë për befasi, se në fakt takimi Ahmeti- Thaçi do të sjellë një debat, një dialog, që në esencë do të ketë përplasjen e ideve me të vetmin qëllim interesin PËR NJERËZIT. Një thënie e Presidentit amerikan Abraham Lincoln thotë se "mund të gënjeni gjithë njerëzit ndonjëherë, madje mund të gënjeni disa njerëz çdo herë, por nuk mund të gënjeni të gjithë njerëzit çdo herë". Takimi Ahmeti-Thaçi u zhvillua me ndërmjetësi të diplomatëve por kësaj here me ndikim thelbësor nga Ambasadori i Shqipërisë në Shkup. Një sukses për të padyshim. Nga ana tjetër gjithmonë kam sugjeruar se politikbërja në rajon ka ndikimet e saja të thella tek njëra-tjetra. Sidomos ajo shqiptare. (Mungesa e dialogut njëra prej tyre) Dhe pa diskutim politikanët këtu duhet ta studiojnë mirë atë sepse sidomos periudha e krijimit të shtetit shqiptarë ka dhënë përvoja të vlefshme veprimi rreth krijimit të shtetit, qeverisjes apo dhe ndërtimit të politikave. Dhe këtë ndikim e shohim edhe sot. Takimi Ahmeti-Thaçi nuk do të zhvillohej edhe pa ndikimin e Kryeministrit Sali Berisha. Por realisht çështje vazhdon të jetë për mua, se pse ndikimet në politikbërje nuk janë për elemente më të rëndësishme se sa këto baziket, që kanë të bëjnë me komunikim të thjeshtë? Dhe sërish, nëse takimi ka për qëllim interesin e njerëzve, dialogu asnjëherë nuk do të ndërpritej. Dy partitë shqiptare edhe PDSH edhe BDI patën përvojën të të qenurit në qeveri me VMRO DPMNE-në, e cila ka në qendër interesat e theksuara ekskluzive maqedonase. (Mund të radhisim shembuj dhe ligje plotë të cilat shkaktuan vullkane reagimesh). Dy partitë u përfshinë në vorbull akuzash, disa prej tyre skajshmërisht jashtë politikës dhe sërish nuk arritën që të kuptojnë se esenca e politikbërjes që duhet të ketë në qendër është interesi për njerëzit, nëpërmjet dialogut. Nuk e di se çfarë do të duhej të ndodhte që të kuptohet se një bashkëbisedim më i thjeshtë, madje edhe me nivelet më të ulëta të partive, do të sillte një reagim të bashkuar që do të ishte sërish në mbrojtje të njerëzve, dhe në shumë raste jo vetëm interesi i shqiptarëve. Një sërë veprimesh dhe vendimesh të marra kanë dëmtuar seriozisht procese nga të cilat varet e ardhmja e Maqedonisë. Përgjegjësitë janë të ndryshme pa asnjë dyshim. Të qenurit në opozitë dhe në qeveri ka një peshë tjetër dhe një gjë e tillë nuk mund të barazohet. Por të komunikuarit për të mbrojtur interesat e njerëzve, nëse ky është synimi kryesor, nuk ka pse të mungojë në asnjë moment. Dhe ne kemi parë gjatë gjithë kësaj kohe një animozitet të skajshmë që herë ka nxitur edhe dhunë, nga verbale deri në fizike, madje me pasoja fatale. Dhe tashmë kërkohet prej nesh të harrojmë të gjitha, të falim dhunimin që na është bërë dhe të futemi në idilin politik vetëm dhe vetëm se pamë në media një takim, qoftë ky siç edhe mendohej se do të ishte i pamundur. Në parim nuk ka se si të jesh kundër përpjekjeve që do të duhet të sjellin më shumë mundësi për realizimin e interesave të njerëzve, por nga ana tjetër nuk ka se si mos të vësh në dyshim synimet e marra nga liderët, kur me asnjë gjë politika e viteve të fundit nuk ka treguar se përplasjet të dëmshme për njerëzit nuk mund të tejkalohen për shkak të ngarkesave personale. Këto dyshime kanë ekzistuar gjithmonë në politikë, këtë e thotë edhe Eleonor Roosevelt, diplomate por edhe zonja e parë e Amerikës, kur ngre dyshime për atë se pse "në politikë nuk thuhen gjëra që realisht kanë kuptim, ose vazhdimisht thuhen gjëra që mbase prekin të tërë (si takime formale) por që thonë shumë pak".
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”