Spitalet me borxhe, rrezikohet futja në skemë
Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Hana, spitalet janë të zhytura në borxhe. Nuk mund t’i mbajmë këto borxhe
Spitale të mbytura në borxhe ndaj firmave farmaceutike, e si pasojë vështirësi për t’u futur në skemën e sigurimeve shëndetësore, në janar të këtij viti. E, ndërsa spitalet kanë përfituar medikamente apo materiale te tjera mjekësore ndaj firmave private, problemi tashmë është se kush do të paguajë borxhet, kur spitalet pritet që brenda një muaji të marrin një status krejt tjetër nga ai që kanë tani. Pikërisht për këtë problem, drejtoresha e ISKSH-së i ka bërë thirrje qeverisë për hartimin e një plani, për mënyrën e trajtimin e borxheve të spitaleve.
Borxhet
Shifra të frikshme borxhesh që janë trashëguar për vite me radhë nga spitalet. Kështu, ende pa u futur në skemën e sigurimeve, kanë filluar problemet e para. “Sigurisht që ky problem kërkon zgjidhje. ISKSH-ja nuk ka si të marrë spitale që janë me miliona borxhe”,- pohon Elvana Hana. Ministrja e Shëndetësisë ka bërë më dije se të gjitha spitalet kanë rreth 4.5 milionë euro borxhe, por specialistët e ISKSH-së pohojnë se këto borxhe janë të paktën 2-fishi i kësaj shume që deklaron ky dikaster. Ndërkohë, mësohet se vetëm Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ka rreth 300 milionë lek borxhe ndaj firmave farmaceutike. Në një prononcim për gazetën, drejtoresha e këtij spitali, Gjeorgjina Kuli, ka deklaruar se ka gjetur fatura të papaguara të shumë viteve më parë. “Në fakt, kam gjetur fatura të papaguara ndaj firmave farmaceutike, të paktën të 4 viteve më parë. Sigurisht që disa nga këto fatura janë paguar, por ka edhe të tjera që mendojmë se do t’i paguajmë”, - pohon Kuli.
Zgjidhja
Lidhur me funksionimin e skemës, në një kohë që spitalet aktualisht kanë borxhe të akumuluara, drejtoresha e ISKSH-së u përgjigj se është ende në diskutim si do të zgjidhet ky problem, nëse borxhi do t’u mbetet spitaleve apo do të jetë Ministria e Shëndetësisë që do ta shlyejë. Sipas znj. Hana, spitalet si struktura të reja që do të menaxhojnë vetë një pjesë të fondeve (investimet dhe pajisjet do të vazhdojnë të jenë pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë), nuk është mirë të kenë këto borxhe, që, për hir të së vërtetës, janë të mëdha, të trashëguara dhe për të cilat spitalet vetë nuk janë përgjegjëse. Ndërkohë, ajo pohon se qeveria po punon për hartimin e një plani për mënyrën e trajtimit të borxheve të spitaleve, të mbartura në vite, duke i paraprirë kështu përfshirjes së tyre në skemën e sigurimeve të kujdesit shëndetësor nga 1 janari i vitit 2009. "Borxhet e spitaleve, për shkak të tenderave, janë të mëdha dhe të trashëguara ndër vite. Natyrisht, është mirë që këto borxhe të mos mbahen nga spitalet që sapo po lindin si institucione vendimmarrëse, kështu që në këtë kuptim, është mirë që ato të jenë të lira nga këto borxhe”,- pohon Hana, duke shtuar se po hartohet një plan i Këshillit të Ministrave sesi do të trajtohen këto borxhe në vitin 2009 dhe vendimi do të merret këto ditë.
Elvana Hana
"Ne nuk mund t'i mbajmë kurrsesi këto borxhe, sepse ne jemi institucion që blejmë shërbimin dhe bëhet fjalë që do t’i mbartin spitalet, apo Ministria e Shëndetësisë, apo Qeveria, problemi është që t’i mbartin ato që i kanë shkaktuar dhe jo ato që po lindin sot. Këto borxhe janë të mëdha”
Gjeorgjina Kuli
“Në fakt, kam gjetur fatura të papaguara ndaj firmave farmaceutike, të paktën të 4 viteve më parë. Sigurisht që disa nga këto fatura janë paguar, por ka edhe të tjera që mendojmë se do t’i paguajmë. U them fatura të papaguara, sepse nuk kam dëshirë t’i quaj si borxhe ndaj subjekteve të tjera”
Tritan Shehu
Hapi që pritet të ndërmerret më 1 janar 2009 për shtrirjen e skemës së sigurimeve edhe në shërbimin spitalor, është i domosdoshëm, pasi duhet të shkohet drejt financimit të të gjithë sistemit nga skema e sigurimeve.
Isuf Kalo
Qendra e Akreditimit, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, ISKSH-në, etj., është duke punuar për përcaktimin e standardeve që do të masin më tej performancën e institucioneve tona shëndetësore.
45 milionë euro borxhe ka deklaruar Ministria e Shëndetësisë se kanë spitalet ndaj firmave farmaceutike
300 milionë lekë borxhe ka Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”,- ndaj firmave farmaceutike
Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, problemet në shërbimin spitalor janë shumë më të mëdha, por do të ndiqet e njëjta linjë
Hana: Sistemi spitalor do të ndjektë tënjëjtën linjë si parësori
Spitalet, pasi të futen në skemën e sigurimeve shëndetësore, pritet të jenë në një linjë me sistemin parësor. Kjo për arsye se drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor e quan të suksesshëm sistemin parësor dhe këtë linjë pritet të ndjekin edhe spitalet. Këtë e bëri të ditur dje në konferencën me temë “Përmirësimi i cilësisë, sfidë urgjente për sistemin tonë shëndetësor”, organizuar nga Qendra Kombëtare e Cilësisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të lartë të Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë në Kuvend, ISKSH-së, Ministrisë së Shëndetësisë, profesoratit, etj. Kryetari i Komisionit të Shëndetësisë në Kuvend, z. Tritan Shehu, u shpreh se hapi që pritet të ndërmerret më 1 janar 2009 për shtrirjen e skemës së sigurimeve edhe në shërbimin spitalor, është i domosdoshëm, pasi duhet të shkohet drejt financimit të të gjithë sistemit nga skema e sigurimeve. Ndërsa prof. Isuf Kalo, u shpreh se Qendra e Akreditimit në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, ISKSH-në, etj., është duke punuar për përcaktimin e standardeve që do të masin më tej performancën e institucioneve tona shëndetësore. Ndërkohë, Hana theksoi se reforma e nisur në shërbimin shëndetësor parësor ka rezultuar efikase dhe po ecën me ritmet e duhura, ndërkohë që jemi në prag të ndërmarrjes së një hapi mjaft të madh, siç është përfshirja e spitaleve në skemën e sigurimeve. “Sigurisht që problemet në shërbimin spitalor janë shumë më të mëdha, por do të ndiqet e njëjta linjë dhe disa rezultate ne i presim shumë shpejt, sidomos sa i takon çështjes së medikamenteve, pasi do të jenë vetë spitalet që do të menaxhojnë buxhetin e tyre”,- thekson Hana.