E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, alkooli prek të rinjtë në shkolla

Fenomeni

Ajo për të cilën ndër shkolla flitet me rezerva, si përdorim alkoolikësh apo narkotikësh, pohohet me zë të larta nga ana e mjekëve. Shefi i repartit të urgjencës në spitalin rajonal të Vlorës, Theodhori Muço, konfirmon se janë jo pak adoleshentë e të rinj, të cilët vijnë në gjendje të dehur për të marrë ndihmë në Repartin e Urgjencës. “Kohët e fundit, pacientët që paraqiten në gjendje të dehur apo të droguar, vijnë gjithmonë e duke u rritur, aq sa fenomeni është bërë thuajse i zakonshëm. Ka mbrëmje, e sidomos në orët e darkës, kur këtu mund të vijnë edhe dy ose tre raste me gjendje të dehur, të cilët mund t’i identifikosh njësoj me të droguar”,- rrëfen mjeku. Mjekët pohojnë se e kanë shumë të vështirë të dallojnë edhe përzierjen që kanë marrë të rinjtë apo adoleshentët, kategori kjo që përbën fenomenin më shqetësues. Ata nuk tregojnë çfarë kanë përdorur, ndërsa për kurimin e një kategorie të tillë mungojnë repartet e specializuara, duke e bërë Urgjencën repartin e vetëm pritës. Në kushtet e pamundësisë për t’i dhënë zgjidhje fenomenit, mjekët apelojnë te drejtues të shkollave, apo edhe rektoratit, për të cilët problematika duhet të bëhet pjesë e punës së tyre të përditshme. Sipas personelit të Repartit të Urgjencës, fenomeni është thuajse përditë i pranishëm, teksa ka raste kur ndodhin të paraqiten për ndihmë edhe 3 deri në 4 persona në ditë. Rasti më i fundit ishte ai i një djali dhe një vajze, të dy 17-vjeçarë, që kishin konsumuar përzierës narkotikësh dhe pije, për të cilët mjekët nuk bëjnë me dije detaje, veç inicialeve të tyre, L H dhe J M, si dhe faktit tjetër që ishin në gjendje të rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›