Kabinet të tillë mund të gjesh vetëm në romanet e Balzakut
Nuk di pse, sa herë e shoh zonjën Topalli në kabinetin e saj ngjyrë rozë, duke biseduar miqësisht me ndonjë ambasador të huaj, më vjen ndërmend Madam Pompadur. Kabinet të tillë mund të gjesh vetëm në romanet e Balzakut apo të Zola-së. Nuk mungojnë veçse shandanët dhe qirinjtë e ndezur... , por edhe ato i shton imagjinata ime e ndezur.
Eh! Zonja Topalli nuk i ka më faqet ngjyrë rozë, por ndoshta nuk e ka ajo fajin për përfytyrimet e mia libidinoze. Ndoshta fajin e kanë pasqyrat. Ndoshta këshilltari i saj, i cili i ka rekomanduar që kabinetit t’i japë ngjyrën e mishit... ose ndoshta stilistja e saj.
Poç’rëndësi ka se kush e ka fajin? Rëndësi ka efekti që më krijon Zonja e Parë e parlamentit shqiptar dhe unë ndjehem krenar me të. Jemi të sajdisur ne shqiptarët e nuk ua prishim të huajve për asgjë.
Nuk mungon veçse një detaj për ta bërë të plotë tablonë. Mungon Madame de Stal. Po ku ta gjejmë një të tillë? Mbase na e sjellin nga jashtë, në kuadrin e ndihmave. Ne jemi mësuar, tashmë, “të presim e të shpresojmë”.