Gjenden 101 kilogram mariujanë, do dërgohej në Greqi

Policia e Gjirokastrës, bëri të ditur për agjencinë NOA, se në orën 1:30, të mëngjesit të sotëm, shërbimet e Policisë Kufitare të Stacionit të Policisë Kakavijë, gjatë kryerjes së shërbimit, në vendin e quajtur Kthesa e Çecemit në aksin rrugor Vrisera –Llongo, në afërsi të fshatit Llongo të rrethit Gjirokastër, ka konstatuar një automjet i cili lëvizte me ngadalë në drejtim të kufirit.
Menjëherë njësiti i policisë kufitare është afruar në distancë , por personi që drejtonte automjetin kur pa forcat e policisë ka devijuar rrugën duke u futur anës lumit në disa rrepishte. Aty ka braktisur mjetin dhe duke përfituar nga errësira dhe mjegulla që kishte anës lumit është larguar me shpejtësi.
Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka konstatuar në mes të rrepishteve në anën e lumit , një automjet veturë tip “Nisan Micra” me targa TR 8710 L, të mbyllur ku brenda saj dalloheshin disa pako të mëdha të mbështjella me letër natriban, ku dyshohej se kishte lëndë narkotike.
Menjëherë është bërë transportimi i këtij mjeti me karrotrec për në drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër ku dhe është bërë hapja e tij.
Nga kontolli që iu bë mjetit në brendësi të tij u konstatuan 4 çanta të mëdha shpine të mbushura me pako në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si mariuanë, ku secila pako varionte nga 5.5 kilogramë deri në 6 kilogramë.
Gjithësej u evidentuan dhe u sekuestruan 101 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si Mariuanë. Ndërkohë që është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit, që për arsye hetimi nuk bejmë të ditur indentitetin e tij.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
k.b/NOA