Brukseli, presion Çekisë për Lisbonën
Komisioni Europian në përpjekjen e tij për të miratuar sa më parë Traktatin e Lisbonës i ka bërë presion Çekisë që ta miratojë sa më shpejt këtë traktat. Kryeministri i vendit, Jan Fischer, i tha liderëve të Bashkimit Europian se ai priste që të vendi i tij të ratifikonte Traktatin e Lisbonës deri në fund të këtij viti. Gjykata Kushtetuese e Çekisë ka marrë në shqyrtim një ankesë kundër kësaj marrëveshjeje dhe Presidenti i vendit, euroskeptiku, Vaslav Klaus, nuk e ka nënshkruar ende atë. Lisbona nuk mund të hyjë në fuqi pa u ratifikuar nga 27 vendet anëtare të BE-së. Ndërkaq, të gjitha vendet e tjera e kanë bërë një gjë të tillë përveç Republikës Çeke dhe Polonisë. Konservatorët britanikë duan që ta çojnë në referendum pranverën e ardhshme traktatin, i cili sipas krijuesve të tij, kërkon që të centralizojë pushtetet dhe të nxisë rolin e Bashkimit Europian globalisht. Politikanët në të gjithë Europën duan ratifikimin e traktatit sa më shpejt, në mënyrë që të marrin pjesë në strukturat e reja dhe të eliminojnë mundësinë e një qeverie konservatore britanike për të përmbysur traktatin. Ministri për Europën i Republikës Çeke, Stefan Fule, deklaroi se ai mendonte se ratifikimi i traktatit nga ana e çekëve ishte tashmë çështje javësh dhe jo çështje muajsh. Kryeministri i Çekisë zhvilloi bisedime me Presidentin e Komisionit Europian, Barrozo, dhe i premtoi këtij të fundit se "gjithçka ishte në rregull" për ratifikimin e marrëveshjes. Sipas planit origjinal të traktatit, ai duhej të kishte hyrë në fuqi në janarin e këtij viti. Kryeministri shprehu bindjen se edhe Presidenti i vendit të tij do të firmoste traktatin, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Barroso e ka mirëpritur qëndrimin e Fischer, duke deklaruar se ishte i kënaqur nga zotimi i qartë dhe i prerë i qeverisë çeke. Parlamenti i këtij vendi e ka aprovuar ndërkohë traktatin, por një grup senatorësh besnikë të Presidentit euroskeptik, Klaus, e kanë çuar traktatin për verifikim në Gjykatën Kushtetuese për të parë nëse dokumenti bie ndesh me çështjen e sovranitetit shtetëror, apo jo. Për sa i përket Polonisë edhe ajo pritet që ta ratifikojë këtë marrëveshje brenda ditëve të ardhshme. Së fundi, të shtunën edhe irlandezët i thanë "po" traktatit përmes referendumit të tyre të dytë të organizatave një vit pas dështimit të referendumit të parë. Qeveritë europiane e konsiderojnë këtë traktat si thelbësor për suksesin e bllokut. Sipas tyre, pa këtë traktat proceset vendimmarrëse të Bashkimit Europian do të vazhdojnë të jenë të ngadalta. Kundërshtarët e shohin Lisbonën si pjesë të një axhende federaliste që kërcënon sovranitetin kombëtar të vendeve. Një nga mbështetësit e euroskeptikëve është Presidenti çek, i cili e konsideron traktatin si një hap drejt krijimit të një supershteti në të cilin vendet që e përbëjnë BE-në do ta humbasin sovranitetin.