Gjenden armë dhe para në banesën e vrasësve të Gjingjiç

Ministria e Brendshme e Spanjës tha se policia ka gjetur një arsenal armësh që i përkasin tre serbëve të arrestuar javën e kaluar përfshirë edhe të arratisurin që është dënuar në vitin 2003 në lidhje me atentatin ndaj kryeministrit Zoran Gjingjiç.
Vlladimir Milisavleviç, Lluka Bojoviç dhe Sinisha Petriç janë arrestuar të enjten ndërsa po takoheshin në një restorant në Valencia.
Pas arrestimit, policia ka bastisur pronat e lidhura me ta dhe ka gjetur armë zjarri, municion, para, fotografi dhe dokumente false, citon deklaratën e Ministrisë, agjencia Associated Press.
Para në vlerë prej 557 mijë eurosh dhe armë të ndryshme janë në mesin e gjërave të konfiskuara. Millisavleviç është dënuar në mungesë për vrasjen e Gjingjixhit.