E Shtunë, 31 Tetor 2026

'Komploti' me shumë pikëpyetje

Brenda 12 muajve Papa Benedicti XVI do të vdes, thuhet në një dokument të besueshëm të Vatikanit. Dokumenti është i vërtetë, thotë një zëdhënës i Vatikanit, por përmbajtja e tij është “përtej realitetit”.

Dokumenti është i shkruar në gjuhën gjermane, mban datën 30 dhjetor 2011 dhe thuhet se kreut të kishës i është dërguar nga kardinali dikur i fuqishëm dhe me ndikim, Darío Castrillón Hoyos, 82 vjeç.

Gazeta e vogël italiane e specializuar për zbulimin e skandaleve, "Il Fatto Quotidiano", publikoi dokumentin të premten, duke provokuar shqetësim dhe rrëmujë në Vatikan.

Raporti i besueshëm flet për vizitën e një kardinali tjetër, Peshkopit të Palermos, Paolo Romeo 73 vjeç, në Kinë. Ai si8 duket gjatë vizitës në Kinë ka shpalosur gjëra spektakolare, nëse dokumenti, i cili është shkruar nga një protokollar i panjohur, nuk është i mbushur me gjepura.

Sipas raportit, Romeo gjatë vizitës në Pekin ka folur për një luftë të ashpër për pushtet, mes dy grupeve të fuqishme në Vatikan, njëri mbështetës, ndërsa tjetri kundërshtar i Papa Benedictit 16. Në dokument gjithashtu theksohet se Papa më së largu në nëntor të vitit 2012 nuk do të jetë më gjallë. Romeo e ka thënë këtë me një bindje aq të besueshme, ka shkruar mbajtësi i protokollit, sa që bashkëbiseduesit e tij të tmerruar ishin të bindur se ai po fliste për një atentat, edhe pse këtë nuk e ka thënë në mënyrë të prerë.

Kardinali gjithashtu ka lënë të kuptojë se i takon rrethit më të ngushtë të bashkëpunëtorëve të Papës dhe se ai me saktësi e di se çfarë ndodh në Vatikan.

Në taborin e grupit tjetër është i rreshtuar Sekretari i Përgjithshëm i Papës, Tarcisio Bertone 77 vjeç, së bashku me miqtë e tij. Bertone është njeriu i dytë në Vatikan dhe marrëdhëniet mes tij dhe Papës janë konfliktuoze, thuhet në protokollin e Romeos.

Gjithashtu theksohet se Romeo ka deklaruar se Bertone është aq i fuqishëm, sa që Papa me dëshirë do ta shkarkonte, por se nuk është në gjendje ta bëjë këtë. Për këtë arsye Papa qysh tani ka filluar fushatën, për të përgatitur shtegun për pasaardhësin e tij. Për këtë arsye ai verën e kaluar ka emëruar Angelo Scolan për peshkop të Milanos, qendrës së dytë më të rëndësishme pas Romës. Ngase ai është i interesuar që Scola të bëhet pasardhës i tij.

Një rrëfim mjaft i komplikuar me shumë pikëpyetje. Askush nuk do ta dinte më mirë se Papa se çfarë ka folur Romeo në Pekin, prandaj pse bashkëpunëtori i ngushtë i Papës, Hoyas, e cilësoi dokumentin si të fshehtë?

A e kanë humbur kontrollin kryesuesit në Vatikan? A janë bë pre e një mashtrimi? Aq më tepër kur deklarata se Papa do të jetojë deri në nëntor të këtij viti flet më shumë për një sëmundje të tij të pashërueshme, e cila nuk është bërë publike deri me tani, se sa për një atentat kundër tij.

Apo është vënë në shënjestër të kësaj loje vetë Scola? Mediet italiane po shtrojnë shumë pyetje, pa arritur të nxjerrin përfundime. A është kjo me të vërtetë një përpjekje, për të njollosur kandidatin e mundshëm për funksionin e Papës?

Dokumenti është i vërtetë, por përmbajtja e tij është aq qesharake, sa që nuk mund të merret seriozisht, deklaroi zëdhënësi i Vatikanit, Federico Lombardi.

“Tërësisht i paqëndrueshëm”, u vlerësua dokumenti edhe nga ana e Paolo Romeos, të cilit i vishen deklaratat në fjalë.

Por pavarësisht të gjitha këtyre deklaratave, është fakt se sërish është bërë publik një dokument tejet i besueshëm i Selisë së Shenjtë.

Të paktë ishin njerëzit, të cilët kishin qasje në të. Në këtë mënyrë po vazhdon trendi i bërjes publike të dokumenteve të besueshme të Vatikanit.

Para pak kohësh, një shkrim i peshkopit Carlo Maria Vigano përfundoi në zyrat e kanalit televiziv, La7. Vigano, zëvendësshef i administratës së Vatikanit, në këtë shkrim kishte folur për një sistem të korrupsionit dhe të keqpërdorimit të pushtetit, duke i krijuar vetës shumë armiq në Vatikan.

Kundërshtarët e tij ju drejtuan Papës dhe ai mori vendimin për të ngarkuar Viganon me një detyrë tjetër.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›