E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjenden eshtrat me pranga të një njeriu

Skeleti u gjet rastësisht nga një banor i fshatit Katund-Sukth. Prangat pranë eshtrave, të kohës së diktaturës së Enver Hoxhës

Durrës - Pjesë të mbetura të skeletit të një njeriu janë zbuluar në fshatin Katund Sukth, afër lumit Erzen, 11 km larg Durrësit. Eshtrat janë gjetur rastësisht dje pasdite nga një banor i fshatit teksa po gërmonte për të hapur një pus uji. Policia tha se eshtrat e njeriut janë gjetur në thellësinë rreth 3-4 metra dhe pranë tyre janë gjetur dhe një palë pranga.
Ngjarja
Pasditen e së premtes, teksa gërmonte për të hapur një pus, kur ndodhej në thellësinë prej 3-4 metrash, kazma e tij ka takuar kockat e një skeleti njeriu. Në fakt, Skënder Preza, i cili paguhej për të hapur pusin e një bashkëfshatari të tij, mendonte të shihte vetëm shenja uji teksa gërmonte, por asnjëherë nuk i ka shkuar mendja të gjente një skelet njeriu. Në momentin kur ka pikasur kockat ai ka ndërprerë punimet dhe ka njoftuar policinë. Oficerët e policisë mbërritën menjëherë pranë vendit ku u gjet skeleti për të bërë këqyrjen e provave. Pas verifikimeve të para dhe rrethimit të vendit, policia e qarkut të Durrësit është detyruar të ndërpresë punën për shkak të errësirës për të filluar sërish dje në mëngjes. Të dhënat e para tregojnë se vendi ku janë gjetur eshtrat nuk ka qenë asnjëherë varrezë, çka dëshmon se personi mund të jetë ekzekutuar në atë vend.
Hetimi
Qysh nga konstatimet e para policia zbuloi se personi ishte varrosur shqeto rreth katër metra nën tokë dhe pas asnjë shenjë arkivoli. Të paktën policia nuk gjeti asnjë mbetje që mund të ishte përdorur për mbulimin e trupit, mund të ketë vdekur shumë vite më parë. Nga gërmimet ekspertët hetimorë kanë gjetur të padëmtuar kafkën, kockat e kraharorit dhe një palë pranga, të cilat janë të llojit të vjetër, të përdorura në fillimet e komunizmit. Paraprakisht policia ka marrë në pyetje personin që ka gjetur skeletin dhe veç këqyrjes së vendit të ngjarjes nuk ka bërë asnjë veprim tjetër. Kjo për shkak se skeleti i përket një njeriu që mund të ketë vdekur dekada më parë, gjë e cila vështirëson për momentin përqendrimin e hetimeve të policisë. Eshtrat janë dërguar në laborator për analiza të mëtejshme, të cilat do të saktësojnë kohën dhe mënyrën e vdekjes. Pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar seksin, moshën dhe ndonjë detaj tjetër të skeletit, që të nisin dhe hetimet për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së personit si dhe vitin e varrosjes së tij.
Nuk dihet nëse skeleti i përket një njeriu të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, apo një të persekutuari të ekzekutuar gjatë periudhës së diktaturës së Enver Hoxhës. Nga të dhënat e para, policia thotë se prangat e gjetura janë përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe gjatë kohës së diktaturës së Enver Hoxhës.

13 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›