E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksident në Tiranë-Durrës, përplasen 3 automjete, një i vdekur



Tiranë - Një aksident i rëndë ka ndodhur përpara pak minutash në autostradën Tiranë-Durrës. Dy automjete dhe një motor janë përplasur mes tyre duke lënë të vdekur një person e duke plagosur disa të tjerë.
Aksidenti
Ende nuk bëhen të ditura identitetet dhe numri i saktë i të plagosurve, ndërkohë që edhe viktima e vetme e këtij aksidenti nuk është identifikuar. Mësohet se viktima e seksit femër ka humbur jetën menjëherë pas përplasjes ndërsa të lënduarit janë dërguar drejt Spitalit Ushtarak. Përplasja ka ndodhur në afërsi të qendrës tregtare në autostradë, teksa mjetet udhëtonin nga Tirana në drejtim të Durrësit. Policia dhe ekspertët kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë filluar punën për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Bllokohet lëvizja në segmentin Tiranë-Vorë. Qarkullimi drejt Vorës është devijuar në rrugën dytësore.
Raste
Një javë më parë në tre aksidente që ndodhën në Tiranë, bilanci ishte 1 i vdekur dhe 3 të plagosur. Dy kalimtarë, njëri prej të cilëve i mitur u aksidentuan në dy aksidente të ndryshme në akset rrugore kombëtare. Aksidenti i parë ndodhi në hyrje të qytetit të Durrësit. Një automjet Fiat Punto me targë BOT 04651, i drejtuar nga 30-vjeçari Agim Gjeta, aksidentoi rëndë kalimtaren Lume C, 26 vjeç. Drejtuesi i automjetit u shoqërua në komisariatin e policisë për të sqaruar rrethanat e aksidentit, ndërsa 26 vjeçarja vazhdon të jetë në gjendje të rëndë në spitalin e Durrësit, ku mbrëmë ndërroi jetë 38-vjeçarja Nasibe Kulla, e cila pesë javë më parë u dëmtua në një aksident me makinë. Në Elbasan, në aksin rrugor Librazhd- Përrenjas, një mjet tip benz me targë DR 8341 E, aksidentoi 12-vjeçarin E. M., teksa ishte duke ecur. Drejtuesi i mjetit, Petraq Sharra u largua nga vendi i ngjarjes, por u kap nga shërbimet e policisë së Pogradecit. 12-vjeçari ndodhet në spitalin e Librazhdit, nën kujdesin e mjekëve. Në një aksident tjetër të ndodhur në orët e para të mëngjesit, në aksin rrugor Cërrik- Belësh, mjeti Toyota me targë ZZ 0.2578 që drejtohej nga Ilir Senja u përplas me një motoçikletë tip DAJANG pa targa, që drejtohej nga J. V., 16 vjeç. Si pasojë e përplasje 16- vjeçari u dëmtua rëndë, ndërsa grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet e rrethanat e aksidentit.

13 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›