Genta Ramadani - nga jeta e një gruaje
-Në ç’orë e vini zilen... kur fillon dita juaj çdo mëngjes?
Zilja qoftë në kontekstin metaforik dhe atë praktik, nuk ka ekzistuar ndonjëherë në zgjimin tim. Mëngjesi për mua është shumë i rëndësishëm, andaj dita ime fillon pas orës 9 :30.
-Përgatitja e përditshme për të dalë nga shtëpia, në shoqërinë e emisioneve televizivë të mëngjesit, muzikë... çfarë ka në sfond?
Me gotën e qumështit dhe telekomandën e tv në dorë, kërkoj gjithmonë diçka informative si fillim, për t’u njohur me ngjarjet e reja të ditës apo edhe të asaj pjese të mbrëmjes, të cilën e humb zakonisht teksa vë vajzat në gjumë. Në disa raste ka edhe muzikë, kur ajo është e mirë dhe më së fundmi, teksa i jap dorën e fundit përgatitjes së drekës, jam gjithmonë në shoqërinë e kanaleve italiane dhe emisioneve të tyre aq origjinalë dhe me informacion të bollshëm.
-Cila është marrëdhënia juaj me shtypin? A i lexoni gazetat? Cilat janë rubrikat që ju interesojnë?
Me shtypin kam marrëdhënie shumë të mira, kafja ime e mëngjesit është gjithmonë në zyrë, përpara kompjuterit, me 3 gazetat kryesore mbi tavolinë, me faqen e internetit të hapur dhe sigurisht duke kontrolluar dhe postën elektronike. Vëmendje kryesore në shtypin e shkruar i kushtoj pa diskutim faqeve sociale dhe atyre kulturore, kjo pasi gjiganti i komunikimit, televizioni, na jep mundësinë të informohemi më shumë rreth ngjarjeve politike dhe si pasojë më duhet ta shfletoj më shpejt këtë sektor për të kaluar tek ajo sociale.
-Kafja e parë e ditës jashtë? Si e shijoni, ku e shijoni, në shoqërinë e kujt?
Kafja e parë e ditës është diku nga mesdita, jo e përditshme pasi nuk është edhe e domosdoshme, përveçse e quaj edhe humbje kohe. Por gjithsesi kur ndodh, e shijoj me kënaqësi herë me Edin, me babain apo dhe me miken time të ngushtë.
-Dreka, një rit familjar apo pjesë e orarit të punës?
Gjithmonë kam qenë e bindur se një familje, pos shumë të tjerave, për të qëndruar në këmbë dhe e lumtur, duhet të kompletohet me një element të rëndësishëm, që është dreka e përbashkët në shtëpi. Fillon duke pritur njëri-tjetrin, pastaj të gjithë bashkë, ulemi në tavolinë duke biseduar e duke rrëfyer se si ka qenë dita jonë. Eshtë ai moment ku flasim për gjithçka, fëmijët, punën, takimet, kontaktet etj. Madje, dreka në familjen time është një rit të cilin do të dëshiroja ta përcillja edhe tek vajzat e mia si një vlerë. Gjithashtu, një rit i cili në familjen time të re është thjesht vazhdimësi. Sepse ka qenë e pranishme gjithmonë në familjen në të cilën jam rritur. Prindërit e mi vazhdojnë ta ruajnë sidomos ritin e të dielës, kohë në të cilën mblidhemi të gjithë bashkë, familja ime dhe e tim vëllai, për të shijuar pjatën tradicionale të familjeve shkodrane, tavën e peshkut, të cilën e gatuan imë më. Kështu, një herë në javë, nën zhurmën e katër fëmijëve dhe bisedave të përbashkëta, kalojmë këndshëm një të diel familjare.
-Gatuani?
Siç e thashë dhe më lart, gatimi është pjesa e punës që bëj më me pasion çdo mëngjes. Por jo vetëm kaq. Dëshira për ta servirur në tavolinë më jep akoma edhe më shumë kënaqësi. Gatuaj shumë, provoj receta të reja dhe ideoj shumë... gjithnjë me shpresën se nuk do ma hedhin poshtë pjatën me “new entry”.
-Cila orë e pasdites ju gjen në shtëpi?
Orari zyrtar, ora 16:00.
-Cili është argëtimi juaj i preferuar orareve të pasdites apo i orëve të para të mbrëmjes?
Pasditen e kam tërësisht në funksion të fëmijëve. Shëtis me Gedin dhe Sarën. Aktivitetin sportiv në natyrë nuk e ndërpres asnjë ditë, shpeshherë Gedi, meqë është pak më e madhe, më shoqëron. Disa ditë në javë, e shoqëroj unë Gedin në aktivitetet e saj, në kurset e notit dhe baletit. Kurse më pas, orët e para të mbrëmjes më gjejnë duke përgatitur darkën.
-Libri i fundit që keni lexuar, shfaqja apo filmi i fundit që keni parë?
Ah, më vjen pak keq që këtë verë nuk kam mundur të kem në dorë diçka letrare, për shkak të punës dhe përgatitjes sime akademike. Kam pasur në dorë më së shumti libra studimorë që lidhen me hulumtimet e mia të doktoraturës dhe ato të gjuhëve të huaja, gjermanishtes dhe spanjishtes. Gjithsesi, kur gjej pak kohë, i kthehem librit që s’po arrij ta përfundoj “Konflikti shoqëror modern” nga Ralf Dahrendorf. Ndërkohë, vazhdoj ta kem si peng, mbarimin e gjithë letërsisë së mrekullueshme të shkruar nga Ismail Kadare. Filmi që kam parë dhe më ka lënë një ndjesi të çuditshme, por edhe të veçantë ka qenë “Slumdog Millioner”.
-Koha juaj në dispozicion të fëmijëve...
Oh, këtu kam për të thënë aq shumë, për këtë argument do të flisja pa pushim. Po, ju siguroj se çdo gjë e imja dhe e Edit është tërësisht në funksion të fëmijëve. Jo rastësisht unë kam vendosur zyrën pranë shtëpisë, kurse im shoq, hoqi dorë për një periudhë nga pozicioni dhe profesioni i tij në media. Në këtë pikë, mendoj se kjo është një sakrificë, të cilën kemi marrë vendimin ta vazhdojmë edhe për pak kohë. Ama na kënaq pa masë, fakti që të dy nuk u mungojmë fëmijëve tanë. Pavarësisht lodhjes dhe privimit, po shohim dita-ditës se ky investim ia vlen dhe këtë e shohim tek dy vajzat tona të mrekullueshme dhe sjellja e tyre që të magjeps në çdo kohë.
-Ç’marrëdhënie keni me shoping-un? Ç’kohë të ditës apo ç’ditë të javës i kushtoni?
Shumë njerëz që më njohin mendojnë se jam e sëmurë nga shoping-u. Por unë s’e besoj, se po të ishte kështu, atëherë të gjitha gratë dhe vajzat jo vetëm në Shqipëri do të ishin të infektuara nga ky virus. Megjithatë, është pjesë e pandarë e imja sa herë që jam në udhëtime dhe sa herë që të më bëjë syri tak, para ndonjë vitrine. Çantat, unazat dhe vëthët janë aksesorët e mi, të cilët i kam me shumicë në shtëpi dhe vazhdoj t’i blej prapë, e prapë, e prapë....
-Cilat janë angazhimet tuaja të paragjumit?
Një reflektim i shpejtë i ditës që kaloi, një vrarje mendjeje për atë që vjen nesër, ndërsa më tej është pak si shumë private dhe nuk dua të flas...
-Në ç’orë e fikni dritën e abazhurit të komodinës?
Atëherë kur gjumi me sovranitetin e tij më të fortë është krejt i pashmangshëm.