E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, merret peng shqiptari, arrestohen pengmarrësit



Një shqiptar i marrë peng për rreth 24 orë është liruar nga një operacion blic dhe i mirorganizuar i policisë italiane të Ravenas në bashkëpunim me Drejtorinë e Antimafias së Bolonjas. Agjencia italiane e lajmeve bën të ditur se shqiptari 47- vjeçar ishte marrë peng të enjten në mbrëmje dhe ishte mbajtur i mbyllur në një kapanon të Porto Fuoris, në hyrje të qytetit të Ravenas. Gjatë operacionit të lirimit të pengut, mbrëmjen e së premtes janë arrestuar dy rrëmbyesit, njëri prej tyre shqiptar, 29 vjeç dhe tjetri me shtetësi italiane, 45 vjeç nga Matera. Të dy personat e arrestuar njiheshin nga policia pasi ishin me precedentë penalë në Ravena. ANSA shkruan se pengmarrja ishte mbajtur sekret dhe për lirimin e 47-vjeçarit rrëmbyesit i kishin kërkuar familjarëve 90 mijë euro. Më pas shuma ishte zvogëluar në 50 mijë euro. Media italiane nuk ka bërë të ditur emrin e personit të rrëmbyer si dhe të dy pengmarrësve, ndërsa policia është në kërkim të personave të tjerë të implikuar. Policia e Ravenas dha detajet e pengmarrjes në një konferencë për shtyp që u organizua pasditen e djeshme.

Tropojë

Shfrytëzimi i HEC-eve lokale zgjidh furnizimin me energji

Fillimi i erërave dhe të ftohtit po evidenton ndërprerjet e energjisë elektrike, si rrjedhojë e rrjetit shpërndarës mjaft të amortizuar në rrethin e Tropojës. Specialistët mendojnë se problem është se fenomeni po ndodh edhe në zonat ku ka hidrocentrale të vegjël të ndërtuar në vitet ’70, që tani nuk janë në funksionim. Sipas tyre, nëse mundësohet rivënia e tyre në funksionim, mbi 40 për qind e konsumatorëve të këtij rrethi mund të furnizohen pa ndërprerje me energji elektrike. Shfrytëzimi i hidrocentraleve lokale në rrethin e Tropojës është një mundësi për furnizimin pa ndërprerje të konsumatorëve me energji elektrike dhe me kosto të vogël.. Aktualisht në rrethin e Tropojës janë 7 hidrocentrale lokale, por vetëm 3 prej tyre janë në funksionim, si ai i Lekbibajt me fuqi të instaluar 400 KW që është rivënë në punë përmes dhënies me koncesion. Në punë janë dhe hidrocentrali i Ceremit me fuqi të instaluar prej 25 KW dhe i Brodoshnicës me fuqi të instaluar prej 25 KW. Ndërkohë, 4 hidrocentrale të tjerë janë ende jashtë përdorimit nga dëmtimi dhe pajisjeve krejtësisht të amortizuara.

Elbasan

U kapën më drogë, pranga dy personave

Policia e Elbasanit pas një operacioni të koduar “Dërgesa e vonuar”, ka vënë në pranga 2 persona, të cilët u kapën me një sasi droge. Nikolla Lepuri, 32 vjeç, dhe Gëzim Balla, 35 vjeç, të dy me banim në Elbasan, u kapën një natë më parë në hyrje të qytetit të Peqinit, me një sasi prej 113.3 gramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë. Lënda narkotike u gjet në mjetin tip Wolsvagen, me targa të huaja CA 2021 KT, me të cilin po lëviznin drejt qytetit të Elbasanit. Gjatë kontrolleve në banesat e tyre policia gjeti dhe sekuestroi 26 fishekë luftarakë, një krëhër automatiku dhe 600 gram dinamit.

13 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›