Tërmeti, vlerësohen dëmet në 300 banesa në zonën e Dibrës
Grupet e punës të Ministrisë së Brendshme kanë bërë deri tani vlerësimin e mbi 300 banesave të dëmtuara nga tërmeti i disa ditëve më parë në qarkun e Dibrës. Burime nga prefektura thanë se procesi për vlerësimin e dëmeve materiale të shkaktuara nga tërmeti, përgjithësisht në banesat e banorëve të zonës, është duke u realizuar nga 5 grupe pune me specialistë të fushës. Ky proces ka për qëllim që t’u mundësojë banorëve të dëmtuar zhdëmtimin e dëmit të shkaktuar nga kjo fatkeqësi natyrore. Shtabi i Emergjencës Civile, i ngritur pranë prefekturës së Dibrës, i ka dhënë një rëndësi të madhe punës për strehimin e përkohshëm të banorëve të dëmtuar nga tërmeti. Të njëjtat burime saktësuan se në gjithë zonën janë ngritur mbi 250 çadra për strehimin e banorëve, ndërsa janë në dispozicion të tyre edhe 160 të tjera. Për normalizimin e situatës janë ngritur edhe kampe, por që nuk janë populluar për shkak se banorët kanë preferuar të qëndrojnë me çadra pranë shtëpive të tyre. Grupet e Shtabit të Emergjencës Civile, në bashkëpunim me përfaqësuesit vendorë, kanë shpërndarë ndihma ushqimore për banorët e dëmtuar, të cilat llogariten në mbi 9 tonë. Tërmeti 7 ballësh me epiqendër në rajonin e Dibrës shkaktoi dëme të shumta materiale.
13 Shtator 2009