E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet e braktisur në shkallët e pallatit foshnja 1 javëshe

Një foshnje një javësh, e seksit mashkull është gjetur e braktisur, pranë Shtëpisë Ushtarake në qytetin e Fierit. Banorët kanë gjetur foshnjën në shkallët e pallatit Nr.17 në lagjen 11 Janari pasditen e djeshme. Në fillim, banorët kanë dëgjuar disa të qara të  bebushit dhe më pas ky i fundit ka shpërthyer në një zhurmë, aq sa ka tërhequr vëmendjen e tyre. Fëmija ishte i mbuluar me një batanije të lehtë. U habitëm, pasi kjo  është një gjë e rrallë që na ndodh këtu përpara shkallëve të pallatit. Nuk e dimë se kur mund të jetë lënë me përafërsi, por rreth 20 minuta përpara se të gjendej bebi, ne ishim tek sheshi i pallatit me fëmijët dhe nuk pamë askënd. Në njëfarë mënyre na befasoi pasi  menduam se ndonjë grua rome mund ta kishte lënë për pak kohë. Ishte fëmijë shumë i lezetshëm, ka treguar Miranda Hora njëra prej banoreve të pallatit, e cila ka qenë e para  që e ka gjetur djalin e vogël. Menjëherë, foshnja është dërguar në maternitetin e qytetit dhe pasi është bërë kontrolli mjekësor nga mjekët është konstatuar se fëmija ka qenë i shëndetshëm dhe ishte vetëm pak ditësh i ardhur në jetë. Është i shëndetshëm dhe duket mirë në peshë. Nuk mund të themi diçka më konkrete, do të mbahet këtu nën kujdes  derisa të merret ndonjë masë konkrete për strehim, kanë vijuar mjekët, të cilët i janë gjendur vogëlushit fare pranë dhe po kujdesen për mirëmbajtjen dhe mirëushqyerjen e  tij. Tashmë është policia ajo, që ka nisur punën për gjetjen e nënës, që e solli në jetë dhe e braktisi papritur fëmijën një javësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›