Kuvendi, letër Prokurorisë: Duam informacion për hetimet në çështjen Rama
Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar dje një kërkesë Prokurorisë ku i kërkon informacion lidhur me hetimet për kreun e Bashkisë së Tiranës Edi Rama. Në kërkesën e dërguar nga kuvendi thuhet se, i kërkon prokurorisë një raport të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me dhënien e lejeve të ndërtimit në bashkinë e Tiranës.
Sipas kësaj letre janë vënë në dukje rastet flagrante të konfliktit të interesit të vërejtura, prej dy anëtarëve të KRRT, caktuar nga kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama, të cilët votojnë haptazi në konflikt interesi me dijeninë e kryebashkiakut Rama. Ndër të tjera në letrën dërguar prokurorisë thuhej se këta persona i kanë monopolizuar lejet e ndërtimit në Bashkinë Tiranë, dhe përbëjnë haptazi element bazë të veprave penale. Edhe pse ju kemi dhënë raste flagrante deri më sot nuk ka patur asnjë veprim procedural prej prokurorisë në detyrim të legjislacionit penal, duke marrë në konsideratë interesin e madha publike që kanë çështjet e mësipërme ju kërkojmë të na informoni në një kohë sa më të shpejtë mbi veprimet hetimore të kryera nga ana juaj, në zbatim të detyrimeve kushtetuese dhe funksionale të institucionit që drejtoni, citohej në një pjesë të letrës.