E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi i pallatit të shembur vijon me detajet e prodhimit të materialeve inerte

Detajet teknike për mënyrat e plintimit dhe prodhimin e materialeve inerte në zonën ku u rrëzua pallati pesëkatësh, kanë karakterizuar seancën e djeshme gjyqësore në ngarkim të personave të akuzuar për këtë ngjarje. Drejtuesi i seancës gjyqësore Desard Avdulaj ka dëgjuar dëshminë e punëtorit të një firme për prodhimin e betonit për plintat si dhe pronarin e firmës TERLIS  Vangjel Gogo, përgjegjëse për plintimin e masivit mbrojtës betonizues në zonën ku do të ngrihej godina shtatë katëshe. Dy dëshmitarët janë kërkuar nga akuza të cilët kanë dhënë me detaje teknike se si është vepruar në ecuri deri në momentin e ndodhjes së tragjedisë. Punëtori i firmës ndërtuese që merrej me përgatitjen e betonit, pati deklaruar para trupit gjykues se porosia e drejtuesve të firmës që merrej me ndërtimin e plintave ndërtuese ishte e qartë-dërgimi i masës së kërkuar të betonit të tipit 250 posaçërisht për ndërtime të nëndheshme. Kontrolli teknik i bërë ka rezultuar i saktë duke dalë në përfundimin se përgatitja e betonit ka qenë e standardizuar në parametrat e kërkuara sipas projektit ndërtues. Sipas drejtuesit të firmës TERLIS  Vangjel Gogo i cili u pyet gjatë seancës së djeshme, punimet kanë qenë konform projektit duke mos e anashkaluar në asnjë moment atë. Me dëshmitë e sotme, hidhen poshtë kategorikisht deklaratat e inxhinierit zbatues të firmës Arti sh.p.k. Luan Bufi i cili vuri në dyshim cilësinë e betonit të prodhuar nga firmat e inerteve në Gjirokastër në mungesë të një laboratori për të matur cilësinë e tij. Seanca e radhës do të zhvillohet pas dy javësh ndërkohë që priten të pyeten të tjerë dëshmitarë për të identifikuar përgjegjësit e ngjarjes tragjike të 9 nëntorit të vitit të kaluar ku shkaktoi vdekjen e tre personave dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›