Gjendet e vdekur në tarracën e spitalit foshnja e sapolindur
POGRADEC - Gjendet e vdekur në tarracën e reanimacionit të Pogradecit një foshnjë e sapolindur. Ngjarja mbetet ende e mistershme për policinë, e cila nuk mundi të identifikojë nënën që braktisi foshnjën e saj. Policia e Pogradecit u sinjalizua mëngjesin e djeshëm nga personeli i këtij spitali, se në pjesën e tarracës së katit të dytë ndodhej e pajetë një foshnjë. Ka qenë fillimisht një paciente e shtruar që ka parë gruan që la fëmijën dhe më pas iku. Sipas dëshmisë së saj, rreth orës 05:00 ajo kishte parë një grua, e cila kishte dalë nga dritarja e korridorit në tarracën e katit të dytë të spitalit. Pasi kishte lënë foshnjën, ajo është larguar me shpejtësi. Pacientja e kishte dritaren e dhomës së saj ngjitur me korridorin dhe është zgjuar nga zhurma e shkaktuar. Fillimisht ajo nuk dha asnjë sinjal, pasi nga larg nuk dukej qartë se “plaçka” e lënë mund të ishte foshnjë. Por më vonë, pacientja dyshimin e saj ua ka raportuar mjekëve. Këta të fundit shkuan dhe konstatuan foshnjën e seksit mashkull, i cili për fat të keq kishte vdekur. Burime të policisë bënë të ditur se ende nuk është konfirmuar nëse fëmija ka lindur i vdekur apo nëse ka ndërruar jetë pasi është braktisur. Policia nisi verifikimin te lista e nënave të regjistruara në maternitetin e Pogradecit, që ndodhet 5 minuta larg spitalit civil. Por mjekët kanë mohuar që gjatë ditëve të fundit të jetë kryer ndonjë lindje në këtë spital. Policia tha se është duke hetuar, por ngjarja mbetet ende e mistershme. g.a