Skema piramidale e kosovarëve, edhe 20 kallëzime në Prokurori
TIRANE – Njëzet kallëzime të reja janë depozituar në Prokurorinë e Tiranës ndaj dy shtetasve kosovarë, të cilët u arrestuan pak ditë më parë në Tiranë, me akuzën e mashtrimit në shuma të mëdha. Menjëherë pas bërjes publik të faktit se shtetasit Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli, kishin mashtruar së paku 400 qytetarë nga Tirana me anë të premtimeve, për t’u bërë aksionerë në kompanitë fantazmë “Euro Life” dhe “Gemak”, persona të tjerë të dëmtuar janë paraqitur në polici dhe prokurori duke bërë denoncime. Prokuroria tha se ditën e djeshme, edhe 20 denoncime të reja janë administruar në dosjen penale, të hapur ndaj dy shtetasve kosovarë. Ata akuzohen se u kërkonin 2290 euro çdo personi që e “afronin” në biznesin e tyre, duke u premtuar kthimin e parave nëse gjenin edhe tre anëtarë të tjerë, që paguanin secili nga 2290 euro. Skema e mashtrimit realizohej me anë të anëtarësimit të personave të rinj në dy kompanitë që kishin krijuar dy kosovarët, ndërkohë që kishin regjistruar vetëm njërën prej tyre, “Euro Life”, me seli në parajsën fiskale në Qipro dhe me filial në Shkup. Pasi u merrnin 2290 euro qytetarëve, dy të arrestuarit u kërkonin atyre të afronin në kompani edhe tre persona të tjerë, duke u premtuar kthimin e shumës mbrapsht, por në fakt qytetarët merrnin vetëm 700 euro, nga 2290 euro që kishin paguar në fillim. Diferenca mësohet se ka qenë fitimi i dy të arrestuarve për mashtrim, të cilët në total kanë përfituar 780 mijë euro nga të cilat më shumë se 500 mijë mësohet se janë transferuar në Maqedoni. Paratë janë hedhur në emër të kompanisë “Euro Life”, e cila zotërohej nga dy të arrestuarit, Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli. Ata ushtronin aktivitetin e tyre prej fillimit të vitit në Tiranë, duke ofruar kurse “për lidership” në biznes ndaj personave të cilëve u merrnin paratë e anëtarësimit në seminaret e organizuara prej tyre.