E Shtunë, 31 Tetor 2026

I vë gjobë, masakron policin



Etleva Delia

Një efektiv i Policisë Rrugore të Tiranës, është rrahur nga drejtuesi i një automjeti tip “Peugeot” pa targa, pas vendimit për t’i vënë gjobë atij, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme, në afërsi të Stacionit të Trenit në Tiranë. Burime nga policia thanë se janë njoftuar për ngjarjen, e ndodhur pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, afër Stacionit të Trenit, nga efektiva të tjerë të qarkullimit, të cilët e kanë gjetur pa ndjenja të shtrirë në asfalt kolegun e tyre. Polici rrugor, Bedri Mehmeti, është transportuar në Spitalin Ushtarak, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore. Sipas bluzave të bardha, polici është qëlluar në kokë ndërsa goditjet i kanë shkaktuar humbjen e ndjenjave. Megjithë ngjarjen e rëndë, policia dje në mbrëmje ende nuk kishte një emër për autorin e ngjarjes, i cili pasi ka rrahur efektivin e rrugores është larguar nga vendi i ngjarjes, duke marrë edhe bllokun e gjobave që mbante në duar polici. Ngjarja ka ndodhur pasi efektivi i qarkullimit rrugor i ka kërkuar drejtuesit të mjetit të ndalonte makinën, pranë Fakultetit të Shkencave. Pretendimi i policit ka qenë se shoferi kishte lëvizur me semafor të kuq, te kryqëzimi i Stacionit të Trenit. Paraprakisht dëshmitarët kanë treguar në Komisariatin nr.3, se shoferi ka zbritur nga makina, duke tentuar që të pengonte policin për të firmosur fletën e gjobës. Pas vendosmërisë së policit për të firmosur gjobën, drejtuesi i mjetit i ka rrëmbyer bllokun nga dora dhe ka goditur me grushte në kokë efektivin e qarkullimit rrugor. Ky i fundit ka humbur ndjenjat, duke rënë përtokë ndërkohë që shoferi i makinës është larguar nga vendi i ngjarjes. Disa orë më vonë, hetuesit e ngjarjes kanë marrë në pyetje në Spitalin Ushtarak policin e plagosur, i cili ka mohuar ngjarjen në mënyrë kategorike. Burime nga policia thanë se Bedri Mehmeti, gjatë deklarimeve që ka dhënë nga Spitali Ushtarak, ka mohuar të jetë rrahur dhe goditur nga ndonjë njeri. “Nuk mbaj mend të më ketë goditur ndokush. Më ka rënë të fikët dhe siç duket jam rrëzuar në tokë”, mësohet të ketë thënë gjatë deklarimeve për ngjarjen, efektivi i policisë Bedri Mehmeti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›