Polici vret me 5 plumba kolegun
SHKODER/ RITVAN DIBRA
Polici vret me armën e shërbimit kolegun. Krimi ndodhi në Bushat, në sy të dhjetëra dëshmitarëve, në kohën kur punonjësit e rendit po ndërronin turnin e mesditës. Viktima është Tom Jakini, 35 vjeç, baba i 4 fëmijëve, i cili u qëllua me pistoletë nga Ramiz Ademi, 41 vjeç. Të dy ishin efektivë të postës së policisë së Bushatit dhe në momentin kur Jakini do të dorëzonte detyrën tek Ademi ka ndodhur dhe vrasja. Policia e Shkodrës e cilëson ngjarjen për motive të dobëta, ndërsa debati që solli vdekjen e policit është zbardhur nga autori në mbrëmje, pasi ka dalë nga gjendja e rëndë psikologjike. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30, fare pranë portës së jashtme të komunës së Bushatit dhe postës së policisë. Dyshohet se pikërisht nxitimi për të dorëzuar shërbimin të ketë provokuar dhe grindjen fatale. Ademi, banor i fshatit Mushan, Komuna e Dajçit dhe Jakini, nga Laçi i Vaut të Dejës janë zënë me fjalë në mes të rrugës, ndërsa po ecnin në drejtim të postës. “Mos nxito se nuk të arrij dot”, mësohet sipas dëshmisë së Ademit që t’i ketë thënë viktimës. Ky i fundit i është kthyer me fjalë fyese, çka ka provokuar dhe sherrin. Të dy janë konfrontuar fizikisht, duke qëlluar me grushte njëri-tjetrin, për të përfunduar me nxjerrjen e pistoletës nga ana e 41-vjeçarit. Ai qëlloi 8 herë në drejtim të kolegut të tij, ku 5 plumba e morën në trup Jakinin, duke e lënë të vdekur në vend. Krismat kanë alarmuar personat që në ato momente kanë qenë duke lëvizur në aksin rrugor të Bushatit, por edhe punonjësit e komunës. Njerëz të shumtë janë mbledhur te porta e jashtme e komunës dhe janë tmerruar teksa kanë parë trupin e Jakinit përtokë, ndërsa Ademi qëndronte në këmbë, me pistoletë në dorë. Në këto momente, autori është larguar me shpejtësi, për t’u fshehur në drejtim të kodrave që ndodhen pas ndërtesës së Komunës së Bushatit. Pasi është larguar nga vendi i ngjarjes dhe siguruar se nuk është ndjekur nga njeri, polici u telefonuar kolegëve të policisë së Shkodrës, ku dhe është dorëzuar. Për disa orë nuk janë mundur të zbardhen arsyet e këtij debati që ka shpërthyer mes dy punonjësve të postës së policisë së Bushatit, një prej komunave më të mëdha në Shkodër. Por, pas qetësimit të gjendjes, vetë autori ka treguar se gjithçka ndodhi papritur. Edhe burime pranë postës së Bushatit e mohuan kategorikisht që mes tyre të ketë pasur ndonjë konflikt të mëparshëm apo ndonjë ngjarje të vjetër. “Nëse do dinim për një konflikt mes tyre nuk do t’i kishim lënë të dy në shërbim”, pohuan ata, duke këmbëngulur në një sherr të momentit. Krahas oficerëve të policisë gjyqësore e të prokurorisë, mbi këtë ngjarje po hetojnë edhe specialistët e SHKB-së. Pasdite, në Shkodër mbërriti dhe zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka. Viktima kishte rreth 18 vjet në radhët e policisë e po aq dhe autori.
Autori: Më vjen keq për atë që bëra
Pas arrestimit, Ramiz Ademi është marrë në pyetje nga grupi hetimor, por për shkak të gjendjes së tij të tronditur, ka qenë e vështirë që menjëherë pas krimit të mësoheshin rrethanat në të cilat ndodhi ai. Të vetmet fjalë që ai ka arritur të pohojë, ndërsa qante, kanë qenë: “Më vjen keq për atë që i bëra Tomës. Nuk e mbaj mend sa herë e kam qëlluar, por mbaj mend që kam nxjerrë armën pasi ai më ka rënë grusht”. Pas disa orësh ai ka treguar dhe ngjarjen.