Matura, 8 ditë konsultime në shkolla për letërsinë
zirina llambro
Javën që vjen, në çdo shkollë do të nisin konsultimet për provimin e parë të detyrueshëm. Drejtoritë arsimore kanë udhëzuar të gjitha shkollat e mesme të publikojnë grafikët për oraret kur do të zhvillohen këto konsultime. Nga data 24 maj, deri në 31 maj, nxënësit për çdo paqartësi do t’i drejtohen mësuesve të lëndës së letërsisë. Ministria e Arsimit ka paralajmëruar se do të penalizohen rreptësisht të gjithë ata mësues që bëjnë kurse private. “Veç konsultimeve që kanë nisur që në muajin mars, një javë para provimit maturantët do të marrin në shkolla të gjithë përgjigjet e pyetjeve dhe paqartësive që kanë. Nuk ka pse të futen në kurse private, madje duhet ta denoncojnë këtë fenomen”, bën me dije Ministria e Arsimit. Për të dyja lëndët e detyruara është vendosur që ndërmjet datave të provimeve të zhvillohen një javë konsultime për të gjithë nxënësit bashkë. Ndërsa për lëndët me zgjedhje, periudha e përgatitjes me mësuesit do të zhvillohet e grupuar, sipas preferencave të përzgjedhura nga vetë maturantët. Javën që vjen pritet gjithashtu që të ngujohen edhe hartuesit e testeve pranë Agjencisë së Vlerësimit dhe arritjeve të Nxënësve. Në kushte të rrepta sigurie, ata do të mund të përzgjedhin testin final nga fondi i pyetjeve të letërsisë dhe gjuhës shqipe. “Testi do t’i përmbahet programeve orientuese dhe do të ketë pyetje për të gjitha kategoritë e nxënësve”, shprehen specialistët e AVA. Maturantët, veç programeve orientuese kanë tashmë në duar edhe shpjeguesit e këtyre programeve, për t’u ardhur në ndihmë, t’i kuptojnë më mirë. Janë rreth 30 mijë maturantë në të gjithë vendin, që garojnë për në universitet këtë vit. Këta të fundit do të përfshihen në provimet e Maturës Shtetërore, si për lëndët e detyruara, ashtu dhe për ato me zgjedhje. Bazuar në kuotat e pranimeve të propozuara nga fakultetet për vitin 2010-2011, do t’u japin të drejtën më shumë se 20 mijë maturantëve për të ndjekur studimet e larta publike. Tezat e provimit, si për lëndët e detyruara, ashtu edhe për ato me zgjedhje, do të përmbajnë pyetje me alternativa si dhe pyetje me shtjellim. Në bazë të përgjigjeve do të jepet dhe vlerësimi me pikë. Për këtë vit kanë të drejtë të kandidojnë për të vazhduar studimet në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik vetëm nxënësit që vlerësohen kalues në të katër provimet e maturës.