E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i mbytur në lumë 67-vjeçari

Gjendet i mbytur një 67-vjeçar nga fshati Goskovë i rrethit të Korçës. Trupi pa jetë i burrit është gjetur në lumin Dunavec, poshtë urës së fshatit Turan. Policia tha se kufoma i përket Halil Muçollarit. Ky person mësohet se ishte larguar nga banesa e tij në fshatin Goskovë një ditë më parë. Ndërkohë që pas disa kërkimeve, kanë qenë familjarët e tij, ata që e kanë gjetur të mbytur dhe të pajetë në lumin që përshkon rrugën e fshatit. Policia lokale ka bërë të ditur se 67-vjeçari është gjetur i vdekur rreth orës 06:00 të mëngjesit, ndërkohë që nga këqyrja e trupit të viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune. Sipas policisë, banori i fshatit Goskovë, i larguar një ditë më parë nga banesa, mendohet se ka vrarë veten duke u hedhur nga ura. Për këtë arsye kanë nisur hetimet për gjetjen e motiveve të këtij akti.

Ju.Dh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›