Shkojnë për gjah, plagos aksidentalisht kushëririn
Shkon për gjueti shpendësh të egra, përfundon i plagosur. Një gjahtar ka mbetur i plagosur rëndë në gjoks, ndërsa kushëriri i tij është vënë në pranga. Aventura e gjahut në malet e Gjergjevicës është ndërprerë kur 42-vjeçari P.Agollari është plagosur në pjesën e gjoksit. Ai është qëlluar aksidentalisht nga i kushëriri, 46-vjeçari Vladimir Agollari. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00 të së dielës në fshatin Gjergjevicë të Lekasit. Policia e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes ka identifikuar menjëherë si autor Vladimir Agollarin nga qyteti i Korçës, ndërsa nga hetimet dhe zbardhja e rrethanave grupi hetimor ka konkluduar se bëhet fjalë për një ngjarje aksidentale. Vladimir Agollari, bashkë me të kushëririn dhe një mikun e tyre, kishin shkuar për gjah në mal gjatë pasdites të së dielës, në pyllin e fshatit Gjergjevicë. Në momentin që 46-vjeçari ka pikasur një tufë shpendësh të egër, ka qëlluar mbi to, por në mungesë të fushëpamjes saçmat e çiftes kanë rënë mbi të kushëririn. Gjahtarët kishin vendosur të ndaheshin gjatë gjahut. Sipas policisë, ata janë larguar rreth 30 metra, por për shkak të bimësisë dhe pemëve të dendura nuk kanë pasur fushëpamje të mjaftueshme. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, pasi ka bërtitur dhe është rrëzuar i plagosur, dy gjahtarët e tjerë kanë shkuar për t‘i dhënë ndihmë. Policia tha se i plagosuri ka marrë dëmtime të shumta nga saçmat në pjesën e gjoksit. Ai është transportuar me urgjencë nga dy gjahtarët e tjerë për t‘i dhënë ndihmën e parë mjekësore, por për shkak të largësisë nga qyteti i Korçës, i plagosuri ka mbërritur në gjendje të rëndë për shkak të hemorragjisë së madhe dhe plagëve të rënda. Nga ana e mjekëve të spitalit të Korçës është vendosur që 42-vjeçari të dërgohet drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Sipas mjekëve, ai është transportuar drejt kryeqytetit për ndihmë më të specializuar, pasi dëmtimet në trup kanë qenë relativisht të rënda. Disa orë më vonë, policia ka arrestuar edhe kushëririn e të dëmtuarit, Vladimir Agollari për veprën penale "të plagosjes së rëndë nga pakujdesia".
J.Dhimitri
J.Dhimitri