Shtyrja, rrezikohen afatet e paraburgimit
Gjyqi ndaj të 16 të akuzuarve për krime të rënda ka nisur që prej 17 qershorit të vitit 2007 dhe deri në seancën e sotme nuk ka mundur të dëshmojë asnjë prej 105 dëshmitarëve të thirrur nga prokuroria. Coli, një ish-anëtar i bandës, sot i penduar, nuk ka arritur ende të dëshmojë plotësisht të vërtetat rreth Bandës. Shtyrja e seancave gjyqësore ka arritur të vërë rekord në llojin e vet: seancat janë shtyre 83 herë. Të pandehurit akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, ndër të cilat vrasje dhe trafiqe ilegale. Avokatët kanë sfiduar hapur sistemin gjyqësor, megjithëse bëjnë pjesë në të. Tashmë rrezikohet seriozisht që lirimi i tyre nga salla e gjyqit të kryhet sa më shpejt dhe për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit. I gjithë skenari duket se është hartuar nga dy kapobandat e grupit, Lulzim Berisha dhe Indrit Dokle, të cilët, pavarësisht se i kanë shkaktuar probleme njëri-tjetrit në liri, janë bashkuar "fort" pas hekurave. Në një prej seancave, Berisha dhe Dokle kanë lënë sallën njëri pas tjetrit, duke e akuzuar politikën shqiptare se kishte luajtur me bandën. Edhe në këtë rast dalja e tyre spektakolare nuk i ka dhënë mundësi të penduarit Adriatik Coli, të rrëfehej përpara gjykatës. Braktisja e sallës nga të pandehurit dhe avokatët e tyre erdhi pasi gjykata refuzoi të pranonte kërkesën e tyre, që në gjykatë të vijnë për të dëshmuar Kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe ish-ministri i Brendshëm, Sokol Olldashi.