E Diel, 1 Nëntor 2026

Pallati i shembur, banorët kërcënojnë me grevë

GJIROKASTËR/ Të zhgënjyer nga premtimet dhe pritja për të marrë dëmshpërblim, banorët thonë se do të nisin grevën

GJIROKASTËR- 50 banorët e pallatit të shembur, rreth 3 javë më pare, kërcënojnë se do të nisin grevën e urisë, në gërmadhat e pallatit, nëse dëmshpërblimi i tyre nuk do të kryhet brenda pak ditëve. Ata ankohen për ndihmat e pakta financare që u janë akorduar, si dhe për burokracitë me të cilat ndeshen në institucionet e pushtetit lokal. Ndërsa së shpejti për personat përgjegjës për këtë ngjarje të dëmtuarit do të hapin një tjetër padi, krahas asaj të hapur nga organet e drejtësisë. Banorët shprehen se tashmë durimi i tyre ka marrë fund. Rreth tri javë pas shembjes së pallatit, që ndryshoi tërësisht jetët e tyre, ata janë lodhur nga pritja. Çdo fillim dite i gjen në bashkinë e qytetit dhe në prefekturë, në pritje të një lajmi të mirë. Një pjesë e tyre janë strehuar në shtëpi me qera, një pjesë banojnë te të afërmit, ndërsa ka edhe të tjerë që vazhdojnë të strehohen në hotele. Kanë përfituar disa shuma në ditët e para pas tragjedisë, ndërsa tani, sipas tyre, marrin vetëm 500 lekë të rinj në ditë për secilin anëtar të familjes. “Kur kujtoj mundin dhe djersën e 40 viteve punë, plaçkat që u prishën nga ekskavatori, pa mundur të marrim asgjë, gati çmendem. Më vjen keq kur kujtoj që ne mund të ngushëllojmë veten, ndërsa dy prej komshinjve humbën gjysmën e shpirtit në ato rrënoja, pa pasur asnjë faj. Para shembjes ne mund të ndihmonim të tjerët, tani jemi bërë të na japin të gjithë ndonjë gjë”, -thotë Vullnet Sinani, banor i pallatit të shembur. Ndaj ata kërcënojnë se do të hyjnë të gjithë në grevë urie, ndërsa afati i lënë për përmbushjen e së vetmes kërkesë, atë të dëmshpërblimit, është vetëm disaditor. “Kur ndodhi ngjarja na ngushëllonin, tani as nuk na presin fare. Na thane, merrni shtëpi me qera, i morëm, tani nuk na kanë dhënë as lekët për ta shlyer qeranë. Çdo ditë na thonë nesër, nesër. Po tallen me fatin tonë. Me 20 mijë lekët e rinj që morëm në fillim për secilin prej nesh mundëm të blinim vetëm pak rroba. Po dimri ka ardhur dhe ne jemi të zhveshur.”,- vijon më tej Fejzo Aliaj, një tjetër banor.Ndërkaq, gjatë ditës së sotme (e enjte), të arrestuarit pas shembjes së pallatit pritet të dalin përpara Gjykatës së Apelit në Gjirokastër, ku kanë apeluar vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në lidhje me masën e sigurisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›